TheAlbaniaTime

Zarzavatet kthehen në mall luksi, pse po na kushtojnë kaq shtrenjtë

2026-02-27 - 21:24

Mungesa e prodhimit vendas dhe dëmet nga moti kanë reduktuar ndjeshëm ofertën e produkteve vendase në treg, duke bërë që çmimet të fluturojnë mbi 300-400 lekë për kilogram për prodhimet e stinës si brokoli dhe spinaqi, gati 30% më shumë se vjet në këtë periudhë, sipas të dhënave nga tregu. Zinxhiri i gjatë i ndërmjetësve bën që çmimi nga fusha në tryezë të rritet me mbi 100% në shumë raste. Importet hyjnë me çmime konkurruese, duke dekurajuar më tej prodhimin vendas. Tirana dhe zonat periferike si Gjirokastra po përballen me çmimet më të larta. Pa investime në pikat e grumbullimit dhe një funksionim etik të zinxhirit të furnizimit, prodhimi vendas dhe konsumatori shqiptar do të jenë të ekspozuar nga rreziqet e importit. Kush po penalizohet më shumë nga barra e kostove? Blerina Hoxha Mungesa e prodhimit vendas, dëmet e krijuara nga përmbytjet dhe varësia nga importet kanë vënë konsumatorët në të gjithë vendin përballë çmimeve të papërballueshme dhe shumë më të larta se vitin e kaluar, kryesisht për zarzavatet gjatë këtij muaji. Produktet e serrës si specat 400 lekë/kg në pakicë, spinaqi me 300 lekë dhe patëllxhanët e importit me 400 lekë/kg po shndërrohen në artikuj luksi, duke detyruar familjet me të ardhura të ulëta të orientojnë konsumin drejt alternativave më të lira. Një vëzhgim i detajuar i çmimeve me shumicë nga Portali i Fermerit dhe të dhënat nga tregjet e pakicës, tregojnë për marzh të lartë spekulimi që kalon edhe 100% të vlerës së produktit nga pikat e pakicës në Fier, Divjakë dhe Lushnjë deri në tregjet e pakicës në kryeqytet. Situata është edhe më e vështirë në qarqet më periferike dhe me popullsi të plakur si Gjirokastra, ku çmimet e zarzavateve aktualisht janë më të shtrenjtat në të gjithë vendin. Gëzimi me përvojë gati 30-vjeçare, si shitës me pakicë frutash dhe perimesh tek Uzina Dinamo në Tiranë, pohon se për disa prodhime si spinaqi, patëllxhani, kungulli, brokoli, çmimet janë më të larta se vitin e kaluar në këtë periudhë. “Spinaqi dhe brokoli i vendit u dëmtuan nga përmbytjet dhe ngricat e dimrit, ndërsa kungulli, patëllxhani, domatet, karotat dhe shumë të tjera po vijnë nga importi me çmime më të larta”, pohoi tregtari. Prodhimi vendas po humbet terren me shpejtësi përballë importit. Raftet e marketeve dhe tezgave ndajnë hapësirën në favor të importeve. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2025, sasia e zarzavateve të importuara u rrit me 14% në krahasim me 2024, ndërsa në harkun e 5 viteve janë dyfishuar. Domatja e serrës dhe trangujt importohen me rreth 194-220 lekë për kg, teksa fermeri vendas, që shpesh e shet domaten me 130 lekë në shumicë, nuk ka fuqi të konkurrojë me qëndrueshmërinë dhe standardizimin e produkteve të huaja. Frutat po ndjekin të njëjtin trend ku dardha dhe hurma me çmim shumice 210 lekë dominojnë raftet, ndërsa prodhimi vendas mbetet i fragmentuar dhe pa mbështetje logjistike. Kjo varësi nga jashtë dhe keqfunksionimi i zinxhirëve të furnizimit po ekspozon qytetarët e Tiranës ndaj çmimeve më të larta, duke paguar më shtrenjtë se në shumë kryeqytete të rajonit. Burimi: INSTAT Nga ngastra te tezgat, çmimet fluturojnë Konsumatorët e Tiranës shpesh paguajnë dyfishin ose trefishin e vlerës reale të produktit që prodhohet në një distancë më pak se 90 kilometra, ndërkohë që zinxhiri i ndërmjetësve duket se përfiton pjesën më të madhe të marzhit. Kjo vlen edhe për produktet që vijnë nga importi. Në krye të listës së produkteve me rritjen më agresive qëndrojnë perimet e serrës dhe ato të sezonit. Specat dhe patëllxhanët, të cilët në shumicë tregtohen rreth 210-265 lekë, në dyqanet e pakicës arrijnë deri në 400 lekë për kilogram. Ky kërcim prej gati 90% tregon paqëndrueshmëri që prek drejtpërdrejt konsumatorët. Edhe domatja e serrës, një element i pandashëm i tryezës shqiptare, shfaq një anomali: ndërsa në shumicë kushton 130 lekë dhe 194 lekë, në pakicë ajo mund të shkojë deri në 280-300 lekë, duke reflektuar një marzh shumë të lartë të zinxhirit të furnizimit. Fasulja, brokoli dhe spinaqi kryesojnë rritjen Fasulja, një nga produktet mjaft popullore në recetat tona, mban rekordin e çmimit në tregun e pakicës, duke u shitur deri në 700 lekë për kilogram këto ditë. Fasulja e vendit me pakicë luhatet në 400 lekë për kilogram, ndërsa importi është edhe më i lirë me vetëm 180 lekë për kilogram, gjë që ngre pyetje të forta mbi strukturën e tregtimit dhe arsyet pse ky produkt bazë pëson një rritje kaq galopante në zinxhirin të furnizimit. Po ashtu, brokoli dhe spinaqi i fushës shfaqin të njëjtën tendencë, ku diferenca mes çmimit të grumbullimit dhe shitjes finale mbetet e lartë, duke e bërë ushqyerjen e shëndetshme gjithnjë e më të papërballueshme. Një kilogram spinaq fushë u shit me shumicë, sipas të dhënave nga Portali i Fermerit, më 6 shkurt me 160 lekë për kilogram, ndërsa me pakicë, çmimi arriti në të njëjtën ditë në kryeqytet në 300 lekë/kg. Brokoli gjithashtu nga 190 lekë me shumicë shitet rreth 250-300 lekë me pakicë në tregjet e Tiranës në të njëjtën ditë. Frutat mes prodhimit vendas dhe varësisë nga importi Në sektorin e frutave, situata duket disi më e balancuar, por përsëri e ndjeshme ndaj origjinës së produktit. Portokajtë dhe mollët mbeten shpëtimi i fundit për xhepat e qytetarëve, me çmime që nisin nga 80 deri në 150 lekë në pakicë. Megjithatë, frutat si dardha dhe hurma janë pothuajse tërësisht të varura nga importi, me çmime grumbullimi prej 210 lekësh që përkthehen në 300 lekë për konsumatorin. Kjo tregon se pa një mbështetje më të fortë për frutikulturën vendase, konsumatori do të mbetet peng i çmimeve të diktuara nga tregjet e huaja dhe kostot e transportit. Burimi: INSTAT Produktet e “varfra” që po shtrenjtohen Edhe ato që historikisht njihen si produkte të lira, si patatja dhe qepa, nuk po i shpëtojnë trendit rritës. Me një çmim shumice prej 40 lekësh, ato arrijnë në 80 lekë në pakicë. Ndonëse shifrat duken të ulëta në vlerë absolute, në përqindje rritja prej 100% është një goditje e fortë për familjet me të ardhura minimale që mbështeten kryesisht te këto produkte për mbijetesë. Të dhënat dëshmojnë se tregu i Tiranës po vuan nga një mungesë e efikasitetit në shpërndarje. Ndërsa fermerët dhe grumbulluesit operojnë me çmime relativisht të ulëta, “shkallët” e shumta që kalon produkti deri te blerësi final po krijojnë një fryrje artificiale të kostove, duke e kthyer shportën bazë në një sfidë mujore për shumë qytetarë. Nga prodhuesi tek tregu: kush fiton? Marzhet e fitimeve nga fusha e prodhimit deri te qesja e konsumatorit zbulojnë një mekanizëm spekulativ, ku vlera e produktit rritet në mënyrë disproporcionale në çdo hallkë të zinxhirit. Ky rrugëtim nis me fermerin, i cili mban peshën më të madhe të punës dhe rrezikut, por shpesh merr pjesën më të vogël të tortës financiare. “Në të gjithë zinxhirin e ushqimit, ne jemi më të penalizuar. Shpesh punojmë me humbje dhe jemi të ekspozuar para çmimeve të shitjes pa asnjë mbrojtje. Këtë vit u dëmtuam tërësisht nga përmbytjet. Ndërkohë që ne shesim një kilogram domate në fermë 80 ose 90 lekë për kg, në Tiranë i njëjti prodhim shitet deri në dyfish më shumë”, tha Mirlind Saraçi, një fermer që kultivon perime në serra në zonën e Beratit. Për produkte si patatja apo qepa, që në shumicë tregtohen me 40 lekë, prodhuesi detyrohet të shesë me çmime që mezi mbulojnë koston e farës, plehrave dhe naftës, duke mbetur me një fitim minimal që rrallë i kalon 5 deri në 10 lekë për kilogram. Ky pozicion i pafavorshëm vjen si pasojë e mungesës së fuqisë negociuese dhe pamundësisë për të mbajtur produktin gjatë në magazinë. Sapo produkti largohet nga dora e fermerit, ai kalon në hallkën e grumbulluesit dhe tregut të shumicës, ku çmimi pëson fryrjen e parë të ndjeshme. Në këtë fazë, marzhi nuk përfaqëson vetëm fitimin, por edhe kostot e pashmangshme të logjistikës, si transporti, ambalazhimi dhe humbjet natyrale gjatë peshimit. Rasti i fasules është shembulli më flagrant i këtij tranzicioni, ku diferenca mes çmimit të importit prej 180 lekësh dhe çmimit të shumicës prej 400 lekësh tregon se ndërmjetësit e mëdhenj aplikojnë marzhe që i kalojnë 100%. Kjo ndodh sepse ata kontrollojnë ofertën dhe kanë kapacitete frigoriferike, duke diktuar ritmin e tregut përpara se produkti të shpërndahet te shitësit e vegjël. Goditja përfundimtare për xhepin e qytetarit vjen në hallkën e fundit: pakica. Dyqanet e lagjeve dhe tezgat e tregjeve të vogla aplikojnë marzhet më agresive, të cilat shpesh kalojnë dyfishin e çmimit me të cilin e kanë blerë produktin në shumicë. Një tregtar pakice që blen lakër me 28 lekë dhe e shet atë me 80 lekë, e justifikon këtë rritje me qiranë e lartë të dyqanit, faturat e energjisë dhe faktin që një pjesë e mirë e perimeve dëmtohen e hidhen në mbeturina. Megjithatë, kjo strukturë bën që konsumatori fundor në Tiranë të paguajë për të gjitha problemet e sistemit, duke e kthyer një produkt që kushton pak në origjinë, në një kosto të rëndë për jetesën e përditshme. Fieri, Lushnja dhe Divjaka, me çmimet më të lira Analiza e tregut të shumicës në Shqipëri për muajin shkurt 2026, mbështetur në databazën e çmimeve të përditësuara në Portalin e Fermerit, tregon vështirësitë që sjell sezoni i dimrit për bujqësinë vendase. Tregu paraqitet me dy shpejtësi: nga njëra anë janë produktet si patatja dhe lakra, prodhimet vendase të stinës, të cilat ruajnë çmime mjaft të ulëta në të gjitha qytetet; dhe nga ana tjetër janë perimet jeshile dhe ato të serrës, tërësisht jashtë çdo logjike për fuqinë blerëse të shumicës së konsumatorëve shqiptarë. Të dhënat tregojnë se Divjaka dhe Fieri vazhdojnë të luajnë rolin e rregullatorit të çmimeve në rang kombëtar. Dominimi i tyre në prodhimin e lakrës 22 lekë për kg dhe patates 35 lekë për kg po mban çmimet e këtyre produkteve afërsisht 50% më të ulëta se në skajet e vendit si Gjirokastra. Megjithatë, vihet re se edhe brenda këtyre zonave, produkte si spinaqi apo trangulli i serës mbeten të shtrenjta, çka dëshmon se presioni i kostove të prodhimit është i pranishëm kudo. Tirana dhe Gjirokastra, me më të shtrenjtat Tregu i Tiranës dhe Gjirokastrës shfaq vlerat më të larta, sidomos te produktet e importit dhe disa lloje zarzavatesh që nuk prodhohen në këtë rajon. Spinaqi në kryeqytet po shitet me 300 lekë për kg, 30% më shumë se vitin e kaluar për shkak të dëmit që iu krijua prodhimit vendas nga përmbytjet e janarit. Po ashtu, specat në Gjirokastër arrijnë vlerën rekord prej 350 lekësh për kilogram, që tregon se zonat larg qendrave të prodhimit varen tërësisht nga logjistika dhe produkti i huaj. Një fenomen interesant vihet re në Korçë, ku domatja e importit ka zëvendësuar plotësisht atë vendase me një çmim rreth 300 lekë për kilogram, ndërsa frutat si molla mbeten më të lirat në vend (65 lekë/kg). Korça furnizon vendin me mollë, ndërsa vetë importon perimet bazë të serrës. Në tërësi, tregu shqiptar në këtë periudhë diktohet nga gjeografia e prodhimit, ku sa më larg zonës së Myzeqesë të lëvizë produkti, aq më shumë shtohet kostoja për shkak të ndërmjetësve dhe transportit, duke krijuar diferenca çmimesh që shpesh tejkalojnë logjikën e thjeshtë të tregtisë. Çmimet e larta të shportës: ku po bie barra? Shtresat më vulnerabël paguajnë taksën më të lartë të çmimeve të larta të shportës së mallrave. Ndërsa ekonomia e vendit raporton rritje, përfitimet e kësaj rritjeje nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë, duke rënduar më tepër barrën e atyre që mbijetojnë në raport me 20% të popullsisë me të ardhura të larta. Pensionistët, grupi më i ekspozuar Për pensionistët, çdo luhatje në çmimet e shportës është një goditje e drejtpërdrejtë mbi mjetet bazë të jetesës. Me një pension mesatar që vërtitet rreth 18.000 lekëve, kjo shtresë e popullsisë detyrohet të shpenzojë mbi 60% të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime bazë dhe fatura utilitare. Kur shohim që produktet si fasulja arrijnë në 700 lekë/kg apo specat në 400 lekë, ato automatikisht dalin nga shporta e tyre. Për një pensionist, indeksimi i fundit prej 2.5% (rreth 500 lekë të reja shtesë në muaj) nuk mbulon as rritjen e çmimit të një kilogrami domate dhe një kilogrami patate në tregun e pakicës. Kjo i detyron ata të zhvendosen drejt produkteve me vlerë më të ulët ushqimore ose të reduktojnë sasinë e vakteve, duke e bërë kequshqyerjen rrezik shëndetësor. Familjet me paga minimale, në mbijetesë Familjet me paga të ulëta dhe ndihmë ekonomike gjithashtu janë në zonën e rrezikut. Për këto familje, barra e kostos është e lidhur ngushtë me numrin e anëtarëve. Ndryshe nga pensionistët që shpesh jetojnë vetëm, këto familje kanë nevoja më të mëdha për volum ushqimor. Për ta, rritja e çmimit të perimeve elementare si qepa dhe patatja është kritike. Shporta e tyre është e ndjeshme ndaj çmimeve të pakicës në dyqanet e lagjes, pasi mungesa e likuiditetit i pengon ata të bëjnë blerje të mëdha në tregjet e shumicës ku çmimet janë më të ulëta. Kjo krijon paradoksin ku njerëzit më të varfër përfundojnë duke paguar me çmimin më të lartë për njësi. Shtresa e mesme, në presion të shumëfishtë Shtresa e mesme në qytetet e mëdha si Tirana përballet me një lloj tjetër presioni. Ndonëse të ardhurat e tyre lejojnë një shportë ushqimore më të larmishme, ata goditen nga rritja e kostove të shërbimeve, transportit dhe veçanërisht qirasë, e cila ka pësuar rritje galopante vitet e fundit. Për këtë grup, ushqimi zë rreth 40% të buxhetit, por pjesa tjetër gllabërohet nga kostot e stilit të jetesës urbane. Ata janë grupi që ndien më shumë mungesën e cilësisë; ndërsa mund të përballojnë çmimet e larta të frutave të importit si dardhat apo hurmat 300 lekë/kg, ata shpesh sakrifikojnë kursimet ose investimet në edukim për të ruajtur standardin e konsumit. Elita, imune ndaj inflacionit Në majë të piramidës është vetëm një shtresë e hollë e popullsisë. Për këtë grup, shpenzimet për ushqim zënë më pak se 10-15% të të ardhurave totale. Ata janë të imunizuar nga rritja e çmimit të lakrës apo preshit, pasi konsumi i tyre është i orientuar drejt produkteve premium dhe shërbimeve, ku vlera e shtuar nuk lidhet me koston bazë të produktit bujqësor. Kjo shtresë përfiton nga rritja ekonomike dhe investimet, ndërkohë që inflacioni i ushqimeve nuk e prek fare mirëqenien e tyre. Barra e kostos në Shqipëri është e shpërndarë në formë shkalle, ku sa më poshtë të jesh në nivelin e të ardhurave, aq më e rëndë bëhet çdo qindarkë e shtuar në çmimin e kilogramit. Tregu i Tiranës, me hendekun e madh mes shumicës dhe pakicës, thjesht e thellon këtë pabarazi, duke i lënë shtresat e ulëta në një cikël të vazhdueshëm mbijetese. Si po e zëvendësojnë importet prodhimin vendas Dominimi i produkteve të importit në tregjet e pakicës në të gjithë vendin po dëshmon krizën e bujqësisë vendase, e cila po e humbet betejën me prodhimin e huaj, jo vetëm në çmim, por edhe në praninë e vazhdueshme në treg. Analiza e të dhënave tregon se produktet e importit nuk po hyjnë më si plotësues të mungesave sezonale, por po kthehen në diktues të çmimit dhe referencë kryesore për konsumatorin, duke e nxjerrë gradualisht jashtë loje fermerin shqiptar. Importet e zarzavateve në sasi janë dyfishuar ndërmjet viteve 2021-2025 sipas të dhënave të INSTAT. Një ndër shembujt më tipikë të këtij konkurrimi të pabarabartë vihet re te produktet bazë si domatja e serës dhe kastraveci. Me një çmim importi që luhatet midis 194 dhe 220 lekësh, këto produkte vendosin një tavan që prodhimi vendas e ka të vështirë ta sfidojë. Ndërsa fermeri shqiptar përballet me kosto të larta të inputeve bujqësore, naftës dhe mungesës së subvencioneve, produkti i importit vjen nga vende ku ekonomia e shkallës dhe mbështetja shtetërore e ulin koston për njësi. Kjo bën që, edhe pse në shumicë produkti vendas mund të duket më i lirë, si rasti i domates me 130 lekë, stabiliteti dhe standardizimi i importit i jep këtij të fundit përparësi te tregtarët e mëdhenj që kërkojnë furnizim të sigurt dhe jetëgjatësi të produktit në raft. Edhe më alarmant është rasti i produkteve që tradicionalisht janë konsideruar fortesa të bujqësisë sonë, si fasulja apo patatja. Fakti që kostoja e importit të fasules është vetëm 180 lekë, ndërkohë që në tregun e pakicës ajo shitet deri në 700 lekë, tregon se tregu është i varur totalisht nga flukset e huaja. Importi ka arritur të thyejë sezonin e prodhimit vendas. Sot nuk ka më rëndësi nëse është koha e vjeljes në Myzeqe apo Korçë, pasi tregu është i mbushur me produkte nga rajoni apo më gjerë që hyjnë me çmime konkurruese. Kjo varësi krijon një rreth vicioz: fermeri vendas, duke mos pasur siguri që do ta shesë produktin përballë importit më të lirë, ul sipërfaqet e mbjella, gjë që çon në rritjen e mëtejshme të importeve për të plotësuar nevojat e popullsisë. Për më tepër, produktet e importit po fitojnë terren te frutat, ku artikuj si dardha dhe hurma, të cilat dikur mbulonin nevojat vendase, tani vijnë pothuajse ekskluzivisht nga jashtë me një çmim shumicë prej 210 lekësh për kilogram. Kjo tregon se teknologjia e ruajtjes dhe përpunimit jashtë vendit është shumë më para nesh. Konsumatori i Tiranës po mësohet me një produkt që ka pamje të kuruar dhe është i pranishëm 12 muaj të vitit, diçka që prodhimi vendas, i fragmentuar dhe pa pika grumbullimi moderne, nuk e garanton dot. Nëse ky trend vazhdon, prodhimi vendas rrezikon të kthehet në një produkt luksi për tregjet organike, ndërsa tryeza e përditshme e shqiptarëve do të varet tërësisht nga politikat tregtare dhe luhatjet e çmimeve të huaja.

Share this post: