Yield-i i bonove 12-mujore prek nivelin më të ulët që prej 2022
2026-01-28 - 09:01
Yield-i i bonove 12-mujore të thesarit pësoi rënie në ankandin e kësaj jave dhe preku nivelin më të ulët në pothuajse katër vitet e fundit. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 2.4%, nga 2.47% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Nga 8 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand arriti në 12.79 miliardë lekë. Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumë e emetimit në 8.19 miliardë lekë. Yield-i shënuar në këtë ankand është më i ulëti, që prej muajit maj të vitit 2022. Kjo periudhë shënonte muajt e parë të rritjes së normave të interesit, pas goditjes së fortë inflacioniste në pasoi fillimin e luftës në Ukrainë. Viti 2026 duket se ka nisur me ulje të mëtejshme të yield-eve të titujve qeveritarë. Një tendencë e tillë madje ka prekur edhe instrumentet më afatgjata, që në gjysmën e dytë të 2025 kishin regjistruar një korrektim në rritje të yield-eve. Deri tani, as rritja sezonale e kërkesës për financim nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm financiar. Tremujori i parë i vitit është ka edhe përqendrimin më të larta të huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm financiar. Për këtë arsye, në përgjithësi ndodh që yield-et të shënojnë një korrektim të lehtë në rritje krahasuar me nivelet e vitit paraardhës. Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, për tremujorin e parë 2026 huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 134 miliardë lekëve, në rritje me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shumë përbën më shumë se 35% e vlerës totale vjetore të emetimeve të parashikuara në tregun e brendshëm nga qeveria shqiptare. Pavarësisht rritjes së shumës së emetimeve, yield-et po bien më tej. Në terma relativë, të matura në raport me normën bazë të interesit, yield-et madje kanë prekur nivelet më të ulëta historike. Rënia e yield-eve mund të shpjegohet në një masë të madhe me likuiditetin e lartë në tregun e brendshëm financiar. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit të kaluar rritja e ofertës së parasë ka prekur nivelet më të larta historike. Në nëntor 2025, vjetore e agregatit monetar M2 ishte 14.5%, nga 5.8% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Agregati M2 është rritur me ritme dyshifrore që prej muajit mars 2025, ndërsa ka arritur nivelin maksimal prej 15.3% në shtator. Agregati monetar M2 përbëhet nga paraja jashtë bankave dhe depozitat bankare në Lekë, të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë dhe një rritje më e shpejtë e tij tregon se në ekonomi po injektohen më shumë para në monedhën kombëtare. Arsyet e rritjes së shpejtë të ofertës së parasë duket të jenë kryesisht kreditimi me ritme të larta i ekonomisë dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për të frenuar forcimin e monedhës vendase. Yield-et e ulëta të titujve qeveritarë dhe sidomos të instrumenteve afatshkurtra ndikojnë edhe koston e kredisë në Lekë për sektorin privat. Duke qenë se kreditë afatgjata në monedhën vendase në përgjithësi kuotohen mbështetur mbi ecurinë e bonove të thesarit, yield-et e ulëta të tyre./ E.Shehu Burimi: BSH