Yield-et e obligacioneve 20-vjeçare bien më tej dhe i afrohen minimumit historik
2026-03-02 - 15:54
Yield-et e obligacioneve 20 vjeçare pësuan rënie të mëtejshme në ankandin e dytë të këtij viti, duke konfirmuar tendencat në ulje që po shfaqen edhe gjatë tremujorit të parë 2026. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në rihapjen e ankandit të obligacioneve 20-vjeçare, yield-i uniform i pranuar ra në 6.2%, nga 6.72% që kishte qenë yield-i në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve, të zhvilluar në janar të këtij viti. Yield-i i këtyre obligacioneve po i afrohet përsëri nivelit minimal historik prej 6.15%, që ishte shënuar në mars të vitit të kaluar. Ulja e yield-it u përcaktua kryesisht nga kërkesa e lartë e investitorëve. Nga 1 miliard lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave arriti në rreth 2.6 miliardë lekë. Ministria e Financave vendosi të rrisë shumën e emetimit afërsisht me nivelin maksimal prej 15% të lejuar nga rregullorja e ankandit, për një shumë totale prej 1.15 miliardë lekësh. Në rast se shuma e emetimit nuk do të rritej, me shumë mundësi yield-i do të rezultonte edhe më i ulët. Prorata ose pjesa e pranuar e ofertave konkurruese ishte 85.95%. Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit që ofron aktualisht tregu i brendshëm financiar. Ato u emetuan për herë të parë në muajin janar 2025, nëpërmjet një ankandi për testimin e tregut. Ky instrument u prit me mjaft interes nga investitorët, çka e shtyu Ministrinë e Financave ta përfshinte në kalendarin e rregullt të huamarrjes së brendshme. Shtimi i instrumenteve të borxhit me maturim afatgjatë krijon më shumë premisa për të zhvilluar tregun dytësor të titujve, për t’i bërë këta tituj më likuidë. Një tendencë të ngjashme në rënie kanë shfaqur edhe instrumentet e tjera të borxhit afatgjatë, duke përfshirë obligacionet 10-vjeçare dhe 15-vjeçare. Ndërkohë, bonot e thesarit, në të gjitha maturitetet, vazhdojnë të qëndrojnë poshtë normës bazë të interesit. Likuiditeti i lartë i tregut dhe kërkesa e investitorëve duket se po ushtron sërish një trysni rënëse edhe mbi kthimet e titujve afatgjatë të qeverisë shqiptare. Depozitat në banka, që janë edhe financuesi kryesor i borxhit të brendshëm po vazhdojnë të rriten me ritme të kënaqshme edhe në muajt e fundit. Rritja vjetore e depozitave në fund të janarit arriti në afërsisht 8%. Ndërkohë, oferta e Lekut në tërësi po rritet me ritme dyshifrore që prej marsit të vitit të kaluar, e mbështetur nga kreditimi me ritme të larta të ekonomisë dhe nga operacionet e Bankës së Shqipërisë për blerjen e valutës.