TheAlbaniaTime

Yield-et e bonove rriten lehtë, investitorët në “tërheqje” presin për kthime më të mëdha

2026-03-25 - 12:41

Yield-et e bonove 12-mujore shënuan një tjetër korrektim në rritje në ankandin e kësaj jave, ndërsa tregu ka filluar të reflektojë një rënie të pjesëmarrjes në ankande dhe kalimin në pozita pritëse të një pjese të investitorëve. Yield-i mesatar i ponderuar në ankandin e ditës së martë u rrit në 2.5%, nga 2.45% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Megjithatë, rritja nuk ishte shumë e madhe, duke pasur parasysh pjesëmarrjen relativisht të ulët në ankand. Nga 11 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Banka e Shqipërisë, kërkesat totale në ankand nuk arritën më shumë se 6.65 miliardë lekë. Ky ishte ankandi i katërt radhazi që shuma e shpallur e huamarrjes nuk u arrit të plotësohej, por megjithatë pa efekte të forta mbi çmimin e instrumenteve të emetuara. Ulja e pjesëmarrjes së investitorëve në ankande në muajt e fundit mund të shpjegohet së pari me rënien e fortë të yield-eve. Gjatë gjithë tremujorit të parë, yield-et kanë qëndruar poshtë normës bazë të interesit, duke i bërë këto instrumente më pak tërheqëse për investitorët dhe duke ulur gradualisht pjesëmarrjen e tyre. Ndërkohë, pas shpërthimit të konfliktit të radhës në Lindjen e Mesme, ulja e pjesëmarrjes mund të jetë motivuar edhe me marrjen e pozitivave pritëse nga investitorët, që, me sa duket, parashikojnë një rritje të normave të interesit dhe të yield-eve. Tensionet gjeopolitike kanë rritur çmimin e naftës dhe kanë krijuar shqetësim në rritje për një valë të re inflacioniste. Rritja e çmimeve të naftës është reflektuar tashmë edhe në tregun shqiptar, me një shtrenjtim të karburanteve prej afërsisht 25%. Në rast se nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë të konfliktit dhe zhbllokim të rrugëve të transportit të naftës, çmimet e larta të energjisë do të përcillen në mënyrë të pashmangshme në të gjithë zinxhirin e mallrave dhe shërbimeve të ekonomisë globale. Rritja e inflacionit do të sillte rritje të normave të interesit nga bankat qendrore dhe rrjedhimisht edhe rritjen e interesave dhe yield-eve në tregjet financiare. Duke qenë se një skenar i tillë po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, investitorët kuptueshëm po marrin kohë për të kryer investime të reja, në pritje të yield-eve më të larta. Deri tani, bankat qendrore ende nuk kanë ndërhyrë për të rritur normat e interesit, me shpresën se konflikti dhe tensionet mund të bien në një kohë të shkurtër. Banka e Shqipërisë do të zhvillojë të mërkurën mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës, ku pritet të miratohet edhe vendimmarrja e parë e politikës monetare për vitin 2026./ E.Shehu

Share this post: