TheAlbaniaTime

Vrojtimi, ekspertët presin norma interesi të qëndrueshme interesi për 2026, rënie të euros

2026-02-14 - 21:17

Vrojtimi i “Monitor” me ekspertë dhe analistë të tregut tregon pritshmëri për norma të qëndrueshme interesi gjatë vitit 2026. Shumica e ekspertëve mendojnë se norma bazë e interesit do të qëndrojë e pandryshuar, ndërsa, mes atyre që presin ndryshime, pak më të larta janë pritshmëritë për rritje. Në parashikimet për kursin e këmbimit, ekspertët presin një tjetër rënie të lehtë të kursit mesatar Euro/Lek për vitin 2026. Ersuin Shehu Në muajin janar, “Monitor” zhvilloi një vrojtim për pritshmërinë rreth normave të interesit dhe kursit të këmbimit, me një panel prej 12 ekspertësh të tregjeve financiare, kryesisht analistë të sektorit bankar dhe të shoqërive administruese të fondeve të pensionit dhe fondeve të investimit. Sipas vrojtimit të kryer nga “Monitor”, 58% e ekspertëve presin që pas një viti, norma bazë e interesit të jetë e pandryshuar në nivelin aktual prej 2.5%. 25% ekspertëve mendojnë se norma bazë do të rritet në harkun e 12 muajve të ardhshëm, ndërsa 17% e tyre presin që norma bazë e interesit të ulet. Burimi: Anketimi i Monitor Skenari më i mundshëm, sipas panelit të ekspertëve, është që në 12 muajt e ardhshëm, norma bazë e interesit të mos pësojë ndryshime. 58% e ekspertëve nuk presin asnjë ndryshim të normës bazë të interesit në 12 muajt e ardhshëm. 25% e ekspertëve të anketuar parashikojnë që në 12 muajt e ardhshëm të ketë vetëm një rritje të normës bazë me 0.25 pikë përqindje. 8.3% e ekspertëve presin vetëm një ulje, me 0.25 pikë përqindje, ndërsa 8.3% e tyre presin dy ulje gjithsej, me nga 0.25 pikë përqindje secila. Burimi: Anketimi i Monitor Parashikimi pikësor më i shpeshtë mes ekspertëve të panelit është se norma bazë në 12 muajt e ardhshëm do të jetë e pandryshuar, që nënkupton se pas një viti, norma bazë e interesit pritet në nivelin 2.5%. 58% e ekspertëve mendojnë se norma bazë e interesit pas 12 muajsh do të jetë në këtë nivel. 25% e ekspertëve parashikojnë se norma bazë e interesit pas një viti do të rritet në 2.75%. Mes ekspertëve që presin ulje të normës bazë, 8% e tyre e parashikojnë normën bazë të interesit në intervalin 2.25% dhe po 8% e tyre presin një normë bazë interesi në nivelin 2%. Burimi: Anketimi i Monitor Pritet rritje e lehtë e interesave të kredive dhe depozitave Në terma mesatarë, paneli i ekspertëve parashikon që normat e interesit të kredive dhe të depozitave pas një viti do të jenë në nivele lehtësisht më të larta. Kjo përputhet edhe me një balancë parashikimesh që anon lehtë nga rritja e normës bazë të interesit. Ekspertët presin që, mesatarisht, norma mesatare e interesit për depozitat 12-mujore në Lek pas një viti të jetë 1.47%, nga afërsisht 1.25% që ishte sipas të dhënave të raportuara nga bankat në Bankën e Shqipërisë (fundi 2025, i llogaritur mbi shumat minimale). Burimi: Anketimi i Monitor Në numër parashikimesh, kryesojnë opinionet që parashikojnë një normë mesatare të barabartë ose lehtësisht më të lartë në raport me atë aktuale. 33% e ekspertëve parashikojnë një normë mesatare interesi për depozitat në intervalin 1.2-1.4%. Ndjek intervali i parashikimit mes 1% dhe 1.2%, që parashikohet nga rreth 25% e ekspertëve të anketuar. Burimi: Anketimi i Monitor Paneli parashikon një rritje në përmasa të ngjashme edhe në normat e interesit të kredive për shtëpi në Lek, mesatarisht me rreth 0.14 pikë përqindje (4.34% nga 4.2% që është shifra e fundit e publikuar nga Banka e Shqipërisë). Gjysma e ekspertëve e parashikojnë normën mesatare të interesit pas një viti më të ulët ose të barabartë me nivelin aktual. Edhe kjo në thelb duket se përputhet me opinionin mbizotërues për një mjedis të qetë dhe pa trysni të mëdha për rritjen e normave të interesit në tregun e brendshëm financiar. Gjysma e mbetur e ekspertëve parashikojnë norma më të larta interesi për kreditë për shtëpi, në intervalin 4.3%, deri në 5% Në rastin e kredisë, përqindja e ekspertëve që presin rritje duket të jetë pak më e lartë krahasuar me pritshmërinë për normën bazë të interesit dhe me normat e interesit të depozitave. Burimi: Anketimi i Monitor Pritet rritje e lehtë në kurbën e yield-eve Në vija të përgjithshme, vrojtimi me ekspertët tregon pritshmëri në rritje të lehtë për yield-et e titujve të qeverisë. Pritshmëritë mesatare për rritjen e yield-eve të letrave të borxhit të qeverisë shqiptare lëvizin në intervalin prej afërsisht 0.1 pikë përqindje për bonot 12-mujore, deri në 0.6 pikë përqindje për obligacionet 15-vjeçare. Grafiku i kurbës së parashikuar të yield-eve shfaq disa thyerje, sidomos në segmentin e obligacioneve. Ky parashikim përputhet me balancën e pritshmërive që anon nga rritja e normës bazë të interesit, por edhe me faktin që yield-et kanë zbritur tashmë në nivele shumë të ulëta relative, kundrejt normës bazë, ndërsa disa instrumente afatgjata madje janë edhe pranë niveleve më të ulëta në vlerë absolute. Parashikimet e ekspertëve lënë të kuptohet se këto instrumente aktualisht mund të jenë disi të mbivlerësuara (me yield-e shumë të ulëta) dhe gjatë vitit 2026 mund të jetë i pritshëm një korrektim në rritje i yield-eve. Burimi: Anketimi i Monitor Edhe në ankandet e para të vitit 2026, tregu i titujve qeveritarë është karakterizuar nga një kërkesë e bollshme dhe likuiditet i lartë. Kjo ka bërë që yield-et për të gjitha maturitetet të pësojnë rënie të mëtejshme, madje pranë niveleve më të ulëta historike, në raport me normën bazë të interesit. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit të kaluar, rritja e ofertës së parasë ka prekur nivelet më të larta historike. Në nëntor 2025, rritja vjetore e agregatit monetar M2 ishte 14.5%, nga 5.8% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Agregati M2 është rritur me ritme dyshifrore që prej muajit mars 2025, ndërsa ka arritur nivelin maksimal prej 15.3% në shtator. Agregati monetar M2 përbëhet nga paraja jashtë bankave dhe depozitat bankare në Lek, të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë dhe një rritje më e shpejtë e tij tregon se në ekonomi po injektohen më shumë para në monedhën kombëtare. Arsyet e rritjes së shpejtë të ofertës së parasë duket të jenë kryesisht kreditimi me ritme të larta i ekonomisë dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për të frenuar forcimin e monedhës vendase. Të paktën për momentin, kushtet aktuale të tregut vazhdojnë të dëshmojnë mungesën e presioneve afatshkurtra për një rikthim të rritjes së qëndrueshme të yield-eve. Rënia e Euros: Ekspertët mendojnë se ka ardhur kryesisht nga turizmi, publiku nga paratë e pista Pjesë e vrojtimit ishin edhe dy pyetje lidhur me shkaqet e rënies së kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut, si dhe një parashikim për nivelin mesatar të kursit të këmbimit gjatë vitit 2025. Ekspertët u pyetën për të vlerësuar ndikimin e një liste faktorësh, në një shkallë që fillonte nga një deri në pesë. Mbështetur në përgjigjet e tyre, faktori me peshën mesatare më të lartë në vijimësinë e rënies së kursit të këmbimit Euro-Lek ka qenë turizmi dhe në përgjithësi rritja e eksporteve të shërbimeve në ekonominë shqiptare. Paneli i ekspertëve e ka vlerësuar këtë faktor me një ndikim 4.5 (nga një shkallë maksimale 5). Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, për të gjithë 9-mujorin 2025, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 2.1 miliardë euro, në rritje vjetore me 19.6%. Turizmi vazhdon të jetë kontribuuesi kryesor në zërin e të ardhurave në bilancin e pagesave të vendit. Madje, për 2025, rritja e turizmit në statistikat e bilancit të pagesave rezulton më e lartë krahasuar me 2024. Përveç turizmit, në përgjithësi sektori i shërbimeve vazhdon të japë një kontribut të lartë në rritjen e eksporteve të vendit. Për të gjithë 9-mujorin 2025, shërbimet sollën të ardhura neto në ekonomi në vlerën e pothuajse 3.5 miliardë eurove, në rritje me 16.4% krahasuar me një vit më parë. Faktori i dytë më i zgjedhur nga ekspertët e anketuar janë remitancat. Mesatarisht, ndikimi i këtij faktori në kursin e këmbimit vlerësohet në nivelin 3.91. Për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 817 milionë eurove, në rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Valët e reja të emigrimit të shqiptarëve në vitet e fundit kanë ringritur remitancat, duke ndikuar pozitivisht bilancin e llogarisë korrente të vendit. Faktori i tretë për nga ndikimi, sipas ekspertëve, janë prurjet informale të valutës, me një vlerësim mesatar në nivelin 3.83. Me një ndikim lehtësisht më të ulët vlerësohen prurjet e paligjshme të valutës, me vlerësim mesatar 3.58. Në perceptimin e përgjithshëm, flukset informale dhe të paligjshme kanë pasur gjithmonë ndikim të konsiderueshëm në tendencat e kursit të këmbimit. Një perceptim të tillë duket se e ndajnë edhe ekspertët, që i rendisin ndër faktorët me ndikim në kursin e këmbimit. Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohen gjithashtu ndër faktorët me ndikim, me një nivel mesatar 3.66. Sektori i pasurive të paluajtshme dominoi investimet e huaja për të katërtin vit radhazi në 2025, me një peshë gjithnjë e më të lartë. Për 9-mujorin 2025, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arritën vlerën e 403 milionë eurove. Vlera e investimeve të huaja në prona është rritur me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investimet në këtë sektor përbëjnë më shumë se 33% të investimeve të huaja për këtë vit, nga 23% që zinin një vit më parë. Blerjet e shtetasve të huaj në vitet e fundit kanë qenë një faktor me peshë në tregun e pronave në Shqipëri dhe kanë luajtur rol të konsiderueshëm në rritjen e çmimit të pronave, veçanërisht në zonat bregdetare të vendit. Në renditjen e vlerësimit mesatar të ekspertëve për faktorët që kanë ndikuar kursin e këmbimit, vijon bilanci tregtar, me një mesatare vlerësimi 3.25 dhe ulja e deficitit buxhetor dhe e borxhit publik, në nivelin 2.83. Burimi: Anketimi i Monitor me ekspertët Për të ballafaquar mendimin e ekspertëve me mendimin e një publiku më të gjerë, “Monitor” realizoi mes fundit të muajit janar dhe fillimit të muajit shkurt një sondazh në faqen e saj të internetit. Pjesëmarrësit u pyetën për faktorët kryesorë që, sipas tyre, kanë përcaktuar rënien e kursit të Euros ndaj Lekut, me të njëjtat alternativa që iu parashtruan edhe ekspertëve. Sipas përgjigjeve të sondazhit (rreth 690), në pjesën më të madhe pjesëmarrësit mendojnë se faktorët kryesorë që kanë sjellë rënien e kursit të Euros janë prurjet e paligjshme të valutës, me 36% të përgjigjeve dhe prurjet informale, me 30% të tyre. Faktorët e tjerë vijojnë me diferencë të konsiderueshme, duke filluar nga turizmi, me 13% të përgjigjeve, investimet e huaja në prona, me 9%, dhe remitancat, me 5%. Burimi: Anketimi i Monitor me publikun Kursi për vitin 2026 parashikohet edhe më i ulët Ekspertëve të anketuar iu drejtua edhe një pyetje lidhur me pritshmërinë e tyre për kursin mesatar të këmbimit gjatë vitit 2026. Mesatarja e parashikimeve të ekspertëve për vitin 2026 e vendos kursin e këmbimit në nivelin e 95.75 lekëve. Një parashikim i tillë e vendos kursin e këmbimit në rënie të mëtejshme me 2.1%, krahasuar me nivelin mesatar të vitit 2025. Burimi: Anketimi i Monitor Shumica dërrmuese e ekspertëve, dy të tretat e tyre, kanë një projeksion për kursin e këmbimit në intervalin mes 95 lekëve dhe 97 lekëve. 25% e ekspertëve presin rënie edhe më të fortë krahasuar me nivelet e vitit 2025 dhe kanë shprehur një parashikim në intervalin midis 93 dhe 95 lekëve. Vetëm 8% e ekspertëve kanë një parashikim për një nivel të kursit mesatar sipër 97 lekëve (konkretisht 98 lekë). Burimi: Anketimi i Monitor Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 97.85 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Megjithatë, shkalla e rënies së kursit në 2025 ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me dy vitet e mëparshme. Për vitin 2025, kursi mesatar zyrtar i këmbimit Euro-Lek pësoi rënie me 2.8%, nga 7.4% që kishte qenë rënia gjatë vitit 2024 dhe 8.6% që kishte qenë rënia gjatë vitit 2023. Megjithatë, ngadalësimi i rënies së kursit duket se mund të shpjegohet në një masë të konsiderueshme me ndërhyrjet e Bankës Qendrore. Në mungesë të këtyre blerjeve, kursi i këmbimit do të kishte pësuar rënie edhe më të madhe. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2025, Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës janë rritur me 52.2%. Gjatë vitit 2026, Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025. Anketimi i 2024, tregu konfirmoi tendencat e parashikuara nga ekspertët “Monitor” pati realizuar një anketim të mëparshëm me ekspertët, duke iu drejtuar të njëjtat pyetje në periudhën shtator 2024, për të marrë parashikimet e tyre lidhur me ecurinë e normave të interesit gjatë vitit 2025. Tendenca e normave të interesit gjatë vitit të kaluar i konfirmoi tendencat e parashikuara nga paneli i ekspertëve të anketuar nga “Monitor”. Në periudhën kur u krye anketa, norma bazë e interesit ishte në nivelin 3%. 80% e ekspertëve parashikuan ulje të normës së interesit. Parashikimi konkret më i ngjashëm, sipas 53% të ekspertëve, ishin dy ulje të normës bazë në 12 muajt e ardhshëm, me nga 0.25 pikë përqindja secila. Parashikimi u përmbush plotësisht dhe një vit pas kryerjes së anketimit, norma bazë e interesit zbriti në 2.5%, nivel ku qëndron edhe sot. Ky ishte edhe parashikimi pikësor më i përzgjedhur nga paneli i ekspertëve. Ekspertët parashikuan rënie gjithashtu të yield-eve të titujve qeveritarë dhe normave të interesit të kredive dhe depozitave për sektorin privat. Kjo tendencë në rënie u konfirmua, por veçanërisht në segmentin e yield-eve, ulja gjatë vitit 2025 rezultoi më e fortë se parashikimet. Ekspertët gjithashtu parashikuan rënie të mëtejshme të kursit mesatar të këmbimit Euro/Lek gjatë vitit 2025. Parashikimi pikësor mesatar e vendoste kursin mesatar Euro-Lek në nivelin 99.8 lekë për vitin 2025. Megjithatë, rënia e kursit rezultoi më e madhe se parashikimet. Gjatë vitit 2025, Euro u këmbye mesatarisht me 97.85 lekë.

Share this post: