Ulet kërkesa në ankandet e bonove, por yield-et ngelen sërish të ulëta
2026-02-26 - 12:05
Kërkesa e investitorëve në ankandet e bonove të thesarit ka pësuar një rënie në ankandet e fundit, por as kjo nuk ka mjaftuar për të sjellë një rritje të rëndësishme të yield-eve. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në ankandin e kësaj jave të bonove 12-mujore yield-i mesatar i ponderuar rezultoi në nivelin 2.43%, nga 2.42% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Nga 10.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand nuk arriti më shumë se 7.16 miliardë lekë. Pavarësisht mosplotësimit të shumës, rritja e yield-it ishte shumë e vogël dhe duket se për momentin tendencat e tregut duken për ruajtjen e niveleve të ulëta të tyre. Në dy ankandet e fundit të bonove 12-mujore, është vërejtur një rënie në kërkesën e investitorëve. Kjo mund të lidhet me uljen e ndjeshme të yield-eve, por edhe me faktin se tremujori i parë i vitit ka edhe përqendrimin më të lartë të huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm. Yield-et e bonove të thesarit ngelen poshtë nivelit të normës bazë të interesit si edhe në rënie me bazë vjetore. Një vit më parë yield-i i bonove 12-mujore kishte qenë në nivelin 2.77%. Në terma relativë, të matura në raport me normën bazë të interesit, yield-et madje ndodhen pranë niveleve më të ulëta historike. Rënia e yield-eve mund të shpjegohet në një masë të madhe me likuiditetin e lartë në tregun e brendshëm financiar. Deri tani, as rritja sezonale e kërkesës për financim nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm financiar nuk ka sjellë presione të mirëfillta për rritjen e yield-eve të titujve qeveritarë. Yield-et e ulëta po përcaktojnë kosto më të ulët për huamarrjen e qeverisë, por po orientojnë në ulje edhe normat e interesit të kredisë për sektorin privat. Bonot 12-mujore janë edhe instrumenti kryesor referues për përcaktimin e interesave të kredisë afatgjatë për sektorin privat. Yield-et e ulëta të bonove 12-mujore reflektohen në norma më të ulëta për kreditë interesa të ndryshueshme në Lekë. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në Lekë në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.19%, nga 4.52% që kishte qenë një vit më parë. Norma mesatare e interesit të kredive për shtëpi ka zbritur në nivelet më të ulëta që prej mesit të vitit 2022. Normat e ulëta të interesit vazhdojnë të favorizojnë rritjen me ritme të larta të kredisë për ekonominë. Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit 2025 arriti vlerën e 943.5 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 12.9%. Rritja e portofolit u përshpejtua më tej, krahasuar me rritjen prej 12.3% të vitit 2024, duke shënuar rritjen më të lartë në 16 vitet e fundit./ E.Shehu Burimi: BSH