Turizmi nuk po rrit konsumin, vetëm 2.7% në 2025, niveli më i ulët që nga pandemia
2026-03-26 - 11:52
Shqipëria përjetoi një vit me shifra rekord të turistëve të huaj vitin e kaluar, por të dhënat më të fundit mbi konsumin tregojnë se fuqia blerëse nuk po ndjek të njëjtin trend. Të dhënat e sotshme të INSTAT mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto treguan se konsumi final i popullatës u rrit me 2.77 për qind vitin e kaluar, niveli më i ulët i regjistruar që viti i pandemisë 2020 (shiko grafikun e mëposhtëm ). Të dhëna të tërthorta tregojnë se turistët e kanë ndikuar pozitivisht tregtinë dhe konsumin, por gjithsesi ato nuk arrijnë të përmbushin tërësisht hendekun që krijon popullsia e vendase. Në 1 janar 2025 popullsia e vendit ra me 27 mijë persona ose -1.2 % ne raport me vitin paraardhës, ndërsa grup-mosha e re 0-29 vjeç u tkurr me trefishin, -3.7 për qind. Tregtarët pohojnë se pakësimi i të rinjve ka ndikim të fortë të shitjet, pasi ata janë konsumator të mëdhenj të pijeve, brumërave, por edhe veshjeve, ndryshe nga moshat më të vjetra që kanë një strukturë krejt tjetër blerjeve. Turistët vijnë dhe ikin, por ata që konsumojnë çdo ditë, 365 ditë të vitit, janë banorët e përhershëm. Largimi i vazhdueshëm i të rinjve ndikon drejtpërdrejt në konsum. Një turist që rri 7 ditë nuk mund të zëvendësojë dot konsumin e një qytetari që jeton dhe shpenzon këtu gjatë gjithë vitit. Pakësimi i popullatës rezidente reflektohet natyrshëm në një rritje më të ngadaltë të konsumit total. Të dhënat mbi konsumin e familjeve kanë një lidhje të fortë edhe me faktorët demografike, po aq edhe me ciklet ekonomisë. Në periudhën e artë të rritjes 2000-2008 konsumi i popullatës u rrit shumë herë më tepër se ekonomia, i nxitur nga rritja e pagave, pensioneve dhe kredisë bankare. Popullsia e vendit ende ruante bazamentin e fortë të grup-moshat e reja të cilat janë sot janë pakicë në raport me popullsinë e përgjithshme. Të dhënat mbi konsumin tregojnë se shumë nga turistët që vizitojnë Shqipërinë vitet e fundit janë me buxhet të ulët. Ata shpenzojnë minimalisht dhe paratë e tyre shkojnë kryesisht në pak duar. Bashkë me rënien e popullsisë inflacioni i lartë i ushqimeve duket se po gërryen fuqinë blerëse. Ndonëse pagat mund të kenë pësuar rritje nominale, kostoja e jetesës, veçanërisht ushqimet dhe qiratë po përpijnë pjesën dërrmuese të buxhetit familjar, duke lënë pak hapësirë për konsum shtesë. Turistët sjellin valutë dhe rrisin xhiron në biznese specifike si hotelet apo restorantet, por ky efekt shpesh mbetet i përqendruar në një sektor dhe nuk po përkthehet menjëherë në mirëqenie të shpërndarë për të gjithë popullatën. Burimi: INSTAT