TheAlbaniaTime

Turistët nga Shqipëria, Gjermania e Turqia “braktisin” Kosovën, bie numri i vizitorëve në hotele

2026-03-10 - 12:25

Kosova ka regjistruar rënie të numrit të vizitorëve në hotele në fillim të vitit 2026. Numri i vizitorëve nga Shqipëria ka rënë nga 19 348 në 17 418, që përfaqëson një rënie prej 10 për qind. Numri i vizitorëve në hotelet e Kosovës gjatë muajit janar 2026 ka shënuar rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Sipas të dhënave zyrtare, në janar të këtij viti në hotele janë regjistruar gjithsej 66 980 vizitorë, prej të cilëve 27 377 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 39 603 vizitorë të huaj. Në krahasim me janarin e vitit 2025, kur në hotelet e vendit ishin regjistruar 69 227 vizitorë, kjo paraqet një rënie prej 3,2 për qind të numrit të përgjithshëm të vizitorëve. Edhe numri i net-qëndrimeve në hotele ka pësuar rënie. Në janar 2026 janë regjistruar gjithsej 126 838 net-qëndrime, ku pjesa më e madhe e tyre i takon vizitorëve të huaj. Nga totali i përgjithshëm, 71 197 net-qëndrime ose 56,1 për qind janë realizuar nga vizitorët e jashtëm, ndërsa 55 641 net-qëndrime ose rreth 43,8 për qind nga vizitorët vendorë. Të dhënat tregojnë se edhe numri i vizitorëve të huaj ka shënuar rënie krahasuar me një vit më parë. Në janar 2026 në Kosovë qëndruan 39 603 vizitorë të huaj, ndërsa në janar 2025 ishin 41 447, që përkthehet në një rënie prej 4,4 për qind. Më pak vizitorë nga Shqipëria, Gjermania dhe Turqia Sa i përket net-qëndrimeve të realizuara nga vizitorët e huaj, rënia është edhe më e theksuar. Në janar të këtij viti u regjistruan 71 197 net-qëndrime, krahasuar me 83 832 net-qëndrime në janar 2025, që paraqet një ulje prej 15,1 për qind. Sipas shteteve prej nga vijnë vizitorët, Shqipëria vazhdon të jetë burimi kryesor i turistëve për Kosovën. Megjithatë, edhe nga ky shtet është shënuar rënie e dukshme. Numri i vizitorëve nga Shqipëria ka rënë nga 19 348 në 17 418, që përfaqëson një rënie prej 10 për qind, ndërsa net-qëndrimet e tyre kanë pësuar rënie edhe më të madhe – nga 35 415 në 27 232, ose 23,1 për qind më pak. Nga Gjermania janë regjistruar 3 339 vizitorë, krahasuar me 3 573 një vit më parë, që paraqet rënie prej 6,6 për qind. Megjithatë, net-qëndrimet nga vizitorët gjermanë kanë shënuar rritje prej 11,1 për qind, duke kaluar nga 7 312 në 8 128. Ndryshe nga disa shtete të tjera, nga Zvicra është regjistruar rritje e vizitorëve. Numri i tyre ka shkuar në 3 247, krahasuar me 2 755 në janar 2025, ose 17,9 për qind më shumë. Edhe net-qëndrimet e tyre janë rritur nga 4 869 në 5 320, që përfaqëson rritje prej 9,3 për qind. Në anën tjetër, nga Turqia është shënuar rënie e ndjeshme. Numri i vizitorëve ka rënë nga 2 814 në 2 212, që paraqet rënie prej 21,4 për qind, ndërsa net-qëndrimet kanë rënë nga 4 836 në 3 494, ose 27,8 për qind më pak. Ndërsa nga shtetet e tjera është shënuar një rritje e moderuar e vizitorëve. Në këtë kategori janë regjistruar 13 387 vizitorë, krahasuar me 12 957 një vit më parë, që përfaqëson rritje prej 15,6 për qind. Megjithatë, net-qëndrimet e tyre kanë rënë nga 31 399 në 27 024, ose 13,9 për qind më pak. Sa i përket vizitorëve vendorë, edhe këtu është shënuar një rënie e lehtë. Në janar 2026 janë regjistruar 27 377 vizitorë vendorë, ndërsa në janar 2025 ishin 27 780, që përfaqëson rënie prej 1,5 për qind. Edhe net-qëndrimet e tyre kanë pësuar rënie. Nga 61 901 net-qëndrime në janar 2025, numri ka rënë në 55 641 në janar 2026, që përkthehet në një ulje prej 10,1 për qind. Bie numri në Pejë dhe Prizren, rritet në Gjakovë dhe Gjilan Sipas rajoneve, Rajoni i Pejës vazhdon të ketë numrin më të madh të vizitorëve vendorë në hotele. Në janar 2026 në këtë rajon janë regjistruar 10 868 vizitorë vendorë, të cilët kanë realizuar 32 372 net-qëndrime. Megjithatë, edhe ky rajon ka shënuar rënie krahasuar me një vit më parë, kur kishte 12 155 vizitorë dhe 39 681 net-qëndrime. Në Prishtinë është regjistruar rritje e vizitorëve vendorë. Numri i tyre ka arritur në 7 165, krahasuar me 6 229 në janar 2025, që paraqet rritje prej 15 për qind. Edhe net-qëndrimet janë rritur nga 8 610 në 9 692, ose 12,6 për qind më shumë. Rritje e ndjeshme është regjistruar edhe në Mitrovicë, ku numri i vizitorëve vendorë ka shkuar në 1 952, krahasuar me 1 248 një vit më parë, që përfaqëson rritje prej 56,4 për qind. Edhe net-qëndrimet janë rritur ndjeshëm, nga 1 554 në 2 628, ose 69,1 për qind më shumë. Ndërkohë, në Prizren është shënuar rënie e vizitorëve vendorë nga 5 246 në 4 218, ose 19,6 për qind më pak, ndërsa net-qëndrimet kanë rënë nga 6 720 në 5 836, që përfaqëson rënie prej 13,2 për qind. Në rajonin e Ferizajt numri i vizitorëve është rritur nga 2 161 në 2 337, ose 8,1 për qind, por net-qëndrimet kanë rënë nga 4 203 në 3 618, që paraqet rënie prej 13,9 për qind. Ndërkohë, rajonet më të vogla si Gjakova dhe Gjilani kanë shënuar rritje të numrit të vizitorëve, megjithëse net-qëndrimet në disa raste kanë pësuar rënie. Në përgjithësi, të dhënat e janarit 2026 tregojnë një tendencë të përzier në sektorin e hotelerisë në Kosovë. Ndërsa disa rajone dhe disa tregje të huaja kanë shënuar rritje të vizitorëve, në nivel të përgjithshëm numri i vizitorëve dhe net-qëndrimeve ka rënë krahasuar me një vit më parë. Rënia është më e theksuar sidomos te net-qëndrimet e vizitorëve të huaj, çka mund të tregojë se turistët kanë qëndruar më pak ditë në Kosovë, edhe pse numri i tyre në disa raste ka qenë më i madh.

Share this post: