Treguesi i besimit të biznesit pësoi rënie në muajin shkurt
2026-03-02 - 11:15
Treguesi i besimit të bizneseve dhe konsumatorëve pësoi rënie në muajin shkurt. Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomik (TNE) ra me 2.5 pikë në krahasim me muajin janar. Megjithatë, ai ngelet 7.6 pikë mbi mesataren afatgjatë. Rënia u përcaktua nga rënia e besimit në sektorët e ndërtimit, shërbimeve dhe tregtisë. Ndërkohë, besimi në biznesin e industrisë regjistroi rritje, kurse treguesi i besimit të konsumatorit mbeti pothuajse i pandryshuar. Treguesi i besimit në ndërtim ra me 6.5 pikë përqindje në muajin shkurt. Ky tregues qëndron rreth 12 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Në rënie ndikuan të dy komponentët: vlerësimi i bizneseve për aktivitetin ndërtues dhe porositë aktuale. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë në rritje. Treguesi i besimit në shërbime u tkurr me 1.9 pikë përqindje në muajin shkurt. Megjithatë, niveli i tij qëndron rreth 12 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit si dhe niveli i kërkesës, kanë regjistruar rënie. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë gjithashtu në rënie. Treguesi i besimit në tregti u tkurr me rreth 3.6 pikë përqindje në muajin shkurt, i ndikuar kryesisht nga vlerësime jo optimiste për punësimin në të ardhmen. Edhe ecuria e biznesit dha kontribut rënës, por në masë më të ulët. Ndonëse në rënie, niveli i këtij treguesi qëndron rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar në rritje. Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 1.5 pikë përqindje në muajin shkurt, i ndikuar nga vlerësimet më optimiste për kontratat porositëse, si në total dhe për ato të eksportit. Niveli i këtij tregues qëndron rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren e vet historike. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për prodhimin, punësimin në të ardhmen janë gjithashtu në rritje krahasuar me ato të një muaji më parë. Treguesi i besimit konsumator nuk regjistroi ndryshim të rëndësishëm krahasuar me nivelin e janarit, duke qëndruar rreth 1.1 pikë përqindje mbi mesataren historike. Për sa i përket komponentëve përbërës, konsumatorët ulën disi pritjet për gjendjen e tyre personale financiare, si dhe rritën ato për situatën ekonomike në të ardhmen. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve dhe për punësimin në të ardhmen janë rishikuar në rënie.