Tregu i kartave, Mastercard fiton terren, por Visa ruan kryesimin
2026-03-17 - 05:14
Visa ruajti kryesimin në tregun shqiptar të kartave të pagesave edhe vitin e kaluar, por kompania rivale Mastercard fitoi lehtë terren. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2025, bankat tregtare shqiptare kishin mbi 850 mijë karta aktive të lëshuara me markën e Visa, shifër kjo në rritje me 8.8% krahasuar me një vit më parë. Visa e ka rritur pjesën e saj të tregut të 51.5% të numrit total të kartave aktive në Shqipëri, nga 51.7% që mbante në fund të vitit 2024. Gjigandi tjetër global i pagesave, Mastercard renditet i dyti, me rreth 802 mijë karta aktive. Numri i kartave Mastercard është rritur, me 9.9% më shumë krahasuar vitin 2024. Kartat e lëshuara në emër të Mastercard përbënin 48.5% të numrit total të artave aktive, në rritje nga niveli prej 48.3% që zinin një vit më parë. Që prej vitit të kaluar, Mastercard ka nisur një fushatë të dedikuar promocionale për tregun shqiptar. Kjo fushatë përfshin ofrimin e terminaleve POS pa kosto për bizneset, deri në një vlerë të caktuar transaksioni, por edhe përfitime për mbajtësit e kartave Mastercard, në formën e cashback (kthimi i një pjesë të vlerës së shpenzuar nëpërmjet kartës), në ditë të veçanta të javës. Fokusi në rritje i kompanive të mëdha globale të pagesave për tregun shqiptar ka ardhur në vijim të një cikli të rritjes së shpejtë të pagesave me kartë, që nisi sidomos pas pandemisë dhe ciklit rritës të turizmit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i kartave bankare aktive të lëshuara nga sektori financiar shqiptar në fund të 2025 arriti në 1.65 milionë, në rritje me 9.4% krahasuar me një vit më parë. Numri i kartave të debitit arriti në 1.46 milionë, në rritje vjetore me 10%. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën 88% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve. Ndërkohë, viti 2025 ktheu rritjen edhe në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte afërsisht 119.6 mijë karta krediti aktive, me një rritje vjetore prej 5.6%. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2025 pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në 27.2 milionë, me një rritje prej 38.7% krahasuar me një vit më parë. Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 105.75 miliardë lekë, 27% më shumë krahasuar me vitin 2024. Për vitin 2025, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 17.5% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 16% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë. Visa dhe Mastercard zotërojnë plotësisht tregun e kartave pagesave në Shqipëri, duke filluar që nga viti 2023. Në vitet e mëparshme, një pjesë modeste tregu e zotëronte American Express, si edhe kartat lokale të lëshuara nga institucionet shqiptare të pagesave. Por, qysh në vitin 2023 American Express doli nga tregu, pas shkrirjes së Alpha Banka Albania, banka e fundit tregtare në Shqipëri që lëshonte ende karta të kësaj kompanie. Edhe kartat lokale, që gjithsesi kishin qenë në shifra të papërfillshme, tashmë kanë dalë plotësisht nga tregu. / E.Shehu Burimi: BSH