Teknologjia ul numrin e të punësuarve në zyra, turizmi dhe ndërtimi me rritje
2026-03-24 - 05:11
Statistikat afatshkurtra për tremujorin e fundit të vitit 2025 tregojnë për rënie të punonjësve të zyrave dhe në sektorin e industrisë dhe nga ana tjetër rritje të punësimit në aktivitet që lidhen me turizmin dhe ndërtimin. Sipas të dhënave të zyrtare të INSTAT vihet re reduktim i theksuar në aktivitetet mbështetëse të biznesit, “Administrim zyrash, mbështetje administrative” me një rënie vjetore të indeksit të punësimit me -7.3% në tremujorin e tretë të vitit 2025, duke u renditur si fusha me tkurrjen me të fortë te punonjësve. Administrimi i zyrave dhe mbështetja administrative konsiderohet si shërbim ndaj ndërmarrjeve dhe është një indikator i mirë i shëndetit të bizneseve të tjera. Nëse ndërmarrjet e tjera kanë rritje, ato kërkojnë më shumë shërbime mbështetëse dhe administrative. Burimet nga tregu pohuan se rënia e punësimit në stafet e zyrave shpjegohet edhe me automatizimin dhe Inteligjencën Artificiale. Shumë detyra përsëritëse si faturimi, arkivimi dhe menaxhimi i të dhënave tani kryhen nga softuerë, duke pakësuar nevojën për staf mbështetës. Kjo tendencë negative e punësimit është shtrirë edhe në sektorë të tjerë si Transporti dhe magazinimi, i cili u tkurr me -3.3% në tremujorin e fundit 2025, si dhe në industritë nxjerrëse e përpunuese që pësuan një rënie mesatare -2%. Industria kryesisht ajo përpunuese është në një cikël krize të gjatë që po vijon me shkurtimin e punonjësve si rrjedhojë e rënies së porosive nga jashtë, rritjes së kostove te brendshme dhe humbjet nga kursi i këmbimit. Punësimi në aktivitetet ligjore gjithashtu shënoi një rënie të lehtë, duke mbyllur vitin me një performancë negative prej -0.7%. Në anën tjetër të spektrit, turizmi dhe tregtia po shërbejnë si motorët kryesorë të rritjes së punësimit. Hotelet udhëheqin me një rritje vjetore të indeksit të punësimit me 10.8% në tremujorin e fundit 2025, të ndjekura nga Tregtia me shumicë me 10.1%. Po ashtu, sektorët e ndërtimit dhe Agjencive të udhëtimit treguan qëndrueshmëri të lartë, duke u zgjeruar punësimin në të njëjtën periudhe me nga 6.3% secili. Ky kontrast i thellë mes rënies drastike në shërbimet administrative dhe rritjes hovshme në sektorin e mikpritjes sugjeron një riorientim të kapitalit njerëzor drejt ekonomisë së shërbimeve dhe turizmit në fundin e vitit 2025./ B.Hoxha