Tatimet sqarojnë biznesin, ja 3 alternativat për përdorimin e tepricës kreditore të tatim-fitimit
2026-03-26 - 16:51
Administrata tatimore njofton bizneset që rezultojnë me tepricë kreditore të tatim fitimit për periudhat tatimore para vitit 2025, se kanë 3 alternativa zgjedhje për përdorimin e shumës së paguar më tepër. Konkretisht sipas tatimeve, së pari bizneset shumën e paguar më tepër ta përfitojnë si kompensim për të shlyer detyrime të tjera të papaguara, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore ose shëndetësore. Së dyti, kanë të drejtë ta transferojnë për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tatimpaguesit (me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore). Së treti, mund ta mbajnë si tepricë kreditore për të paguar për të njëjtin tatim. “Administrata Tatimore informon tatimpaguesit që rezultojnë me tepricë kreditore të Tatimit mbi Fitimin për periudhat tatimore para vitit 2025 se, në përputhje me Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ata mund të përcaktojnë mënyrën e përdorimit të kësaj teprice. Sipas nenit 75 të këtij ligji, për shumën e paguar më tepër, tatimpaguesit kanë mundësi të zgjedhin një nga alternativat e mëposhtme: Kompensimin e saj me detyrime të tjera tatimore të papaguara (me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore); Transferimin e saj për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tatimpaguesit (me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore); Mbajtjen si kredi për të njëjtin tatim, veçanërisht në rastet kur tatimpaguesi mund të jetë subjekt i një procesi kontrolli për periudhat e mëparshme”, thuhet në njoftim. Sipas administratës tatimore, në rast se tatimpaguesi zgjedh kompensimin ose transferimin e tepricës kreditore, ai duhet të paraqesë një kërkesë përmes llogarisë së tij në sistemin e-Filing (me çështje “Pyetje e përgjithshme”), ose me shkresë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore (DRT) ku është i regjistruar. Në çdo rast, dokumenti i kërkesës duhet të jetë i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i subjektit. Në rast se, në varësi të formës ligjore, tatimpaguesi zgjedh transferimin e tepricës së Tatimit mbi Fitimin në përgjegjësinë e re tatimore – Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatës (TAK) ose Tatimi mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi (TAPB) – vlera përkatëse do të konsiderohet, sipas rastit: për mbylljen e detyrimeve të vitit 2025; ose për parapagimet e tatimit për vitin 2026. Administrata Tatimore i fton tatimpaguesit të verifikojnë situatën e tyre tatimore dhe, në rast se dëshirojnë kompensimin apo transferimin e tepricës kreditore, të paraqesin kërkesën elektronikisht nëpërmjet e-Filing ose me shkresë pranë drejtorive rajonale tatimore përkatëse, në mënyrë që kjo shumë të përdoret për përmbushjen e detyrimeve tatimore sipas zgjedhjes së tyre. “Gjatë vitit 2025, Administrata Tatimore ka shqyrtuar dhe trajtuar mijëra kërkesa nga tatimpaguesit. Ky proces do të vijojë në mënyrë të pandërprerë edhe në vijim, për çdo kërkesë që paraqitet, duke garantuar trajtim korrekt dhe në kohë, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi”, thuhet në njoftimin e administratës tatimore.