Të rinjtë nuk pinë më alkool, konsumi në bare dhe restorante nuk po arrin të rikuperohet
2026-03-28 - 21:11
Baret dhe restorantet po ndiejnë si pasojat e ndryshimit të sjelljes së konsumatorëve ashtu dhe reduktimin e popullatës, por edhe turistët më të pakët. Për muajt janar-shkurt, sipas Kryetarit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, konsumi është 20% më pak. Në muajt janar–shkurt 2026, konsumi në bare dhe restorante ka shënuar rënie të ndjeshme, deri në rreth 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas Kryetarit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, kjo ulje lidhet me një kombinim faktorësh: mungesë konsumatorësh në qytete, ofertë të njëjtë në treg, çmime të larta në disa nga restorantet më të njohura të Tiranës ku çmimi ka arritur deri në 4,000 lekë për person, si dhe bllokimet infrastrukturore në Juglindje për shkak të bllokimit të rrugës Librazhd-Përrenjas që kanë penguar furnizimin dhe lëvizjen e klientëve. “Në bare, kërkesa për kafe ka rënë ndjeshëm, duke ndikuar në hyrjen e produkteve më të lira dhe me cilësi më të ulët, pasi konsumatorët kryesisht pensionistë, kërkojnë çmime të përballueshme”, nënvizon z. Jahja. Rënie frekuentimesh në këtë periudhë ka pasur edhe për jetën e natës. Kleantino Goga, kryetari i Shoqatës së Bartendërve, pohon se aktualisht për periudhën janar-shkurt kërkesa për pije alkoolike në bare është e ulët. Z. Goga thotë se te kërkesa po ndikojnë ndryshimet në sjelljen e konsumatorëve, përfshirë ata të rinj, por edhe fasha e konsumatorit mbi 40 vjeç. “Të rinjtë frekuentues të jetës së natës, prej vitesh tashmë nuk konsumojnë pije alkoolike. Më tepër parapëlqehen pije spumante dhe pa alkool. Ndërsa grupmosha mbi 40 vjeç nuk frekuentojnë baret apo edhe klubet e natës, më tepër frekuentojnë birraritë e lagjeve”. Ai nënvizon se operatorët parashikojnë që kërkesa të rigjallërohet gjatë muajit maj, me fillimin e sezonit turistik. Mungesa e fuqisë punëtore mbetet problem për industrinë. Përfaqësues të industrisë shprehen se situata është rezultat i brezit të ri që refuzon të punojë në sektorin e shërbimit, duke ndikuar më tej në hendekun e burimeve njerëzore Lexoni edhe: Shtrenjtimi i kostos së jetesës, konsumatorët po rendin drejt çmimeve të lira