Të huajt shpenzuan një rekord prej 5.7 miliardë eurosh në Shqipëri në 2025-n; 460 euro për turist
2026-03-25 - 11:31
Ndonëse ritmet e hyrjes së shtetasve të huaj u ngadalësuan ndjeshëm në 2025-n dhe operatorët turistikë u ankuan se shpenzimet e turistëve ishin në rënie dhe në vend po vinin kryesisht të rinj me çanta, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një panoramë tjetër. Sipas statistikave të bilancit të pagesave, që përfshin dhe udhëtimet, shpenzimet e të huajve në Shqipëri shënuan një rritje të ndjeshme në 2025-n, duke arritur një rekord prej 5.7 miliardë eurosh, me një rritje prej 15% në krahasim me vitin e mëparshëm. Megjithatë në krahasim me vitet e mëparshme ritmet e rritjes janë ngadalësuar. Në 2024-n turistët prunë 19.6% më shumë të ardhura dhe në 2023-n rreth 47% më shumë. Të dhënat e tjera të INSTAT treguan se në 2025-n, në vend hynë 12.46 milionë shtetas të huaj, me një rritje minimale prej 6.3%, më e ulëta që nga koha e pandemisë. Në 2023 dhe 2024 rritja kishte qenë përkatësisht 15.2% dhe 34.6%. Të dhënat e krahasuara mes hyrjeve dhe të ardhurave tregojnë se shpenzimi mesatar për një të huaj në 2025-n ishte 460 euro, nga 427 euro një vit më parë. Rekordi i shpenzimeve ishte në kulmin e sezonit, në tremujorin e tretë, me 2.3 miliardë euro, përkundrejt 1.9 miliardë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe shqiptarët jashtë shpenzojnë më shumë Edhe shqiptarët po udhëtojnë më shumë, të nxitur nga shtimi i destinacioneve dhe çmimeve të lira me të cilat mund të fluturohet nga Rinasi. Në 2025-n, ata harxhuan jashtë 3 miliardë euro, një nivel rekord, me rritje 14.8% me bazë vjetore. Sipas INSTAT, në 2025-n u regjistruan 8.6 milionë dalë nga shtetasit shqiptarë, me rritje 9%. Në Shqipëri mbesin 2.7 miliardë euro Dy dekada më parë, shpenzimet e shqiptarëve jashtë ishin pothuajse të barabarta me ato të të huajve në vend. Megjithatë, zhvillimi i turizmit vitet e fundit ka bërë që bilanci i udhëtimeve të jetë dukshëm pozitiv, duke u bërë një burim i rëndësishëm i hyrjes së valutës në vend. Në 2025-n, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bilanci neto i udhëtimeve, që mat diferencën mes prurjeve të të huajve dhe shpenzimeve të shqiptarëve jashtë ishte 2.7 miliardë euro. për krahasim, një dekadë më parë, ky bilanc ishte po pozitiv, por në një vlerë shumë më të ulët, 237 milionë euro. Burimi: Banka e Shqipërisë