Të ardhurat buxhetore rriten 11.5% për janar-shkurt
2026-03-17 - 10:05
Të ardhurat totale, për periudhën Janar-Shkurt 2026, arritën në rreth 130.3 miliardë lekë, sipas Ministrisë së Financave. Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën dymujore të vitit 2026, arritën në rreth 100.6 miliardë lekë. Performanca Paraprake e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për Janar-Shkurt 2026: Të ardhurat totale, për periudhën Janar-Shkurt 2026, arritën në rreth 130.3 miliardë lekë, 104.4 % e planit të periudhës ose 15.8 % e planit vjetor. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 13.4 miliardë lekë ose 11.5 % më shumë. Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për muajt Janar-Shkurt 2026, janë në shumën 80.8 miliardë lekë, 3.1 miliardë lekë ose 3.9 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2025. Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), për Janar – Shkurt 2026, u realizuan në vlerën 33.1 miliardë lekë, 91.7% e planit për të ardhurat doganore për periudhën dymujore 2026. Të ardhurat nga TVSH në import, për periudhën Janar-Shkurt 2026, janë 21.5 miliardë lekë. Të ardhurat nga akciza, për periudhën Janar-Shkurt 2026, janë realizuar në shumën 10 miliardë lekë, 561 milionë lekë ose 5.9% më shumë se e njëta periudhë e një viti më parë. Të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport, për periudhën Janar-Shkurt 2026, janë në shumën 234 milionë lekë. Të ardhurat nga taksat doganore, për periudhën Janar-Shkurt 2026, janë në vlerën 1.3 miliardë lekë, 100 milionë lekë ose 8% më shumë se periudha Janar-Shkurt 2025, si dhe realizim prej 89.8% kundrejt planit të dymujorit 2026. Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për muajt Janar-Shkurt 2026, u realizuan në shumën 47.7 miliardë lekë, 3.6 miliardë lekë ose 8.2% më shumë se dymujori i vitit 2025. Krahasuar me planin e dymujorit 2026, të ardhurat e mbledhura janë 1.4 miliardë lekë ose 3.1% më shumë. Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizuan në shumën 18.5 miliardë lekë, për periudhën dymujore 2026, 2.4 miliardë lekë ose 14.9% më shumë se dymujori 2025, dhe me realizim në shumën prej 1.7 miliardë lekë ose 10.1% më shumë se plani i dymujorit 2026. Rimbursimet e dhëna për muajt Janar-Shkurt 2026 janë në shumën 1.5 miliardë lekë. Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 7.4 miliardë lekë për Janar-Shkurt 2026, 1 miliardë lekë ose 15.6% më shumë se dymujori i vitit 2025, si dhe me realizim në shumën 830 milionë lekë ose 112.6% e planit për dymujorin 2026. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën Janar-Shkurt 2026, janë në shumën 14.1 miliardë lekë, 522 milionë lekë ose 3.8% më shumë se dymujori i vitit 2025. Të ardhurat nga taksat nacionale, për periudhën Janar-Shkurt 2026, u realizuan në shumën 7.7 miliardë lekë, me realizimin në masën 94.1% të planit për dymujorin 2026. Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, periudhën Janar-Shkurt 2026, u realizuan në shumën 32.2 miliardë lekë, 2.3 miliardë lekë ose 7.7% më shumë se dymujori 2025, si dhe me realizim prej 100.1% të planit për dymujorin 2026. Shpenzimet: Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën dymujore të vitit 2026, arritën në rreth 100.6 miliardë lekë me një realizim në masën rreth 92 % e planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 ky zë ka rezultuar 7.2% e më i lartë ose rreth 6.7 miliardë lekë më shumë.