Subjektet pasive ankohen për gjoba, Bashkia Tiranë: Dorëzoni vërtetimin e statusit, përndryshe…
2026-03-24 - 10:52
Biznese dhe kontabilistë ngrenë shqetësimin se ndonëse për vitin 2025 rezultojnë me status pasiv për veprimtarinë e biznesit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave dhe Vendore iu janë dërguar njoftimet me llogaritjet e detyrimeve që kanë për të paguar. Për detyrimet vendore 2025 të bashkisë Tiranë, afati për pagesën është deri më 31 Maji nga 20 Prilli që ishte më parë. Ndërsa afati për pagesën e këstit të parë të detyrimit të taksës së ndërtesës është brenda datës 20 Prill (ku paguhet 50% e vlerës), ndërsa brenda 30 Qershorit është afati për pagimin e 50% të vlerës së mbetur të detyrimit. Për shqetësimin e bizneseve Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV) në Bashkinë e Tiranës e kontaktuar nga “Monitor” sqaroi se bizneset që kanë kaluar në status pasiv, duhet të sjellin pranë kësaj drejtorie vërtetimin e ndryshimit të statusit, në të kundërt llogaritja e detyrimeve vijon normalisht. DPTTV thotë se kjo është procedurë që zbatohet gjithmonë dhe nuk ka ndryshuar. “Taksat ndalojnë vetëm pas kalimit të subjektit në status pasiv, për të cilin njoftohet DPTTV me një vërtetim. Deri në këtë datë, detyrimet tatimore përllogariten normalisht dhe duhet të jenë deklaruar tek institucioni përkatës. Pra bizneset duhet ta kishin deklaruar tek pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore”, sqaruan nga ky institucion. Më herët Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore ka ndërmarrë një nismë informuese për të rikujtuar bizneset, mbi rëndësinë e vetëdeklarimit të saktë të të dhënave, si një hap thelbësor për përllogaritjen e drejtë të detyrimeve vendore për vitin 2026. Në formularët e vetëdeklarimit të të dhënave të cilët bizneset mund t’i plotësojnë nëpërmjet e-Albania, përpara rillogaritjes së detyrimeve, kanë mundësinë të përditësojnë të dhënat e tyre në rast se gjatë vitit 2025 kanë pasur ndryshime, si p.sh. në xhiron vjetore, vendndodhjen e biznesit apo sipërfaqen e pronës së përdorur për qëllime tregtare. Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore thotë se gjatë plotësimit për vetëdeklarimin e të dhënave, bizneset kanë mundësi të deklarojnë edhe ndryshimet e statusit. DPTTV u bën thirrje bizneseve të plotësojnë onlinë në e-Albania formularin, pasi janë ende në kohë. https://monitor.al/taksat-vendore-2026-bashkia-tirane-thirrje-bizneseve-te-vetedeklarojne-te-dhenat-ne-e-albania/ Afati për detyrimet deri më 31 Maj, Taksat Vendore të Tiranës rikujtojnë bizneset për vetëdeklarimin