TheAlbaniaTime

“Standard & Poor’s lë të pandryshuar vlerësimin për borxhin e Shqipërisë në “BB”

2026-03-24 - 12:42

Agjencia e vlerësimit të kreditit “Standard & Poor’s Global Ratings” ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në “BB”, duke ruajtur gjithashtu një perspektivë “të qëndrueshme”. Në një njoftim për median Ministria e Financave njoftoi se S&P vlerësoi se ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri ndaj goditjeve të njëpasnjëshme në vitet e fundit, duke përfshirë tërmetin e vitit 2019, pandeminë COVID-19 dhe krizën e çmimeve të energjisë. S&P parashikon një rritje të PBB-së reale prej 3.7% për vitin 2025 dhe mbi 3% për periudhën 2027-2029. Turizmi do të vazhdojë të mbetet një shtyllë kyçe e rritjes ekonomike. Flukset e shërbimeve të nxitura nga turizmi kanë forcuar pozicionin e jashtëm të Shqipërisë, duke ndihmuar në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente në shifra të ulëta njëshifrore. S&P parashikon një deficit buxhetor prej rreth 2.4% të PBB-së në vitin 2026, paksa mbi objektivin 2.3% të autoriteteve për shkak të supozimeve paksa më të ulta të rritjes ekonomike për 2026. Gjatë periudhës afatmesme, agjencia parashikon që deficitet të jenë mesatarisht rreth 2% të PBB-së deri në vitin 2029 dhe borxhin publik të stabilizohet pranë 50% të PBB-së nën kuadrin fiskal të ankoruar nga Ligji Organik i Buxhetit. Kjo qasje e matur fiskale do të sigurojë stabilitetin e vazhdueshëm të financave publike. Një zhvillim pozitiv i theksuar nga S&P është progresi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku Shqipëria ka hapur tashmë të gjitha kapitujt negociues të “acquis-it” të BE-së, duke shënuar një gur kilometrik të rëndësishëm në bisedimet e anëtarësimit. Rezervat valutore të Shqipërisë janë forcuar ndjeshëm, duke u rritur në 8.7 miliardë dollarë në Janar 2026, me një rritje prej rreth 33% krahasuar me vitin e kaluar, të mbështetura nga flukset e forta nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte. Sektori bankar mbetet likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Kreditë e këqija kanë vazhduar të ulen në 3.85%, duke reflektuar standarde të forta të miratimit dhe rritje të fortë të kredisë. Konfirmim i vlerësimit nga S&P është një tregues i qartë i progresit të vazhdueshëm të Shqipërisë dhe një sinjal pozitiv për investitorët ndërkombëtarë, gjë që reflekton qëndrueshmërinë e fortë ekonomike të vendit dhe menaxhimin më efektiv të politikave.

Share this post: