Skocia forcon pozitat në AI, Lanarkshire shpallet zonë strategjike
2026-01-29 - 13:02
Qarku skocez i Lanarkshire është shpallur zyrtarisht Zona më e re e Rritjes së Inteligjencës Artificiale në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të planeve të qeverisë britanike për të krijuar mijëra vende të reja pune dhe për të tërhequr investime miliardëshe në rajon. Lanarkshire, i vendosur në Central Lowlands të Skocisë, i bashkohet zonave të shpallura më herët në Oxfordshire, Uellsin e Veriut, Uellsin e Jugut dhe në verilindje të Anglisë. Zonat e Rritjes së AI janë territore që përfitojnë mbështetje të posaçme shtetërore për zhvillimin e industrisë së inteligjencës artificiale, përfshirë procedura të përshpejtuara planifikimi për infrastrukturën përkatëse. Zona e re e AI në Lanarkshire do të fokusohet rreth qendrës së të dhënave të DataVita në qytetin Airdrie dhe do të zhvillohet në partneritet me kompaninë amerikane të cloud AI, CoreWeave. Sipas qeverisë, projekti synon ta kthejë këtë zonë në një nyje kyçe për strategjinë kombëtare të rritjes së inteligjencës artificiale. Kryeministri britanik Sir Keir Starmer deklaroi se investimet miliardëshe në Lanarkshire do të krijojnë vende pune të paguara mirë dhe do të ofrojnë mbështetje financiare që ndikon drejtpërdrejt në përballimin e kostos së jetesës për familjet. Ai shtoi se pas progresit të bërë gjatë vitit të fundit në Planin e Veprimit për Mundësitë e AI, është momenti për të përshpejtuar zbatimin në mënyrë që përfitimet të ndihen në çdo cep të Mbretërisë së Bashkuar. Departamenti për Shkencën, Inovacionin dhe Teknologjinë bëri të ditur se zona e re pritet të krijojë më shumë se 3.400 vende pune, përfshirë qindra role me paga të larta në kërkimin dhe programimin e inteligjencës artificiale. Paralelisht, qeveria njoftoi se në zonë janë angazhuar 8.2 miliardë paund investime private, si edhe një fond komunitar prej 543 milionë paundësh që do të financojë programe lokale gjatë 15 viteve të ardhshme. Sekretarja e Teknologjisë, Liz Kendall, tha se nisma synon krijimin e vendeve të mira të punës, mbështetjen e inovacionit dhe shpërndarjen e përfitimeve të inteligjencës artificiale në nivel komuniteti. Sipas saj, Zonat e Rritjes së AI po sjellin mundësi transformuese për breza të tërë dhe po ndikojnë në zhvillimin ekonomik të të gjitha rajoneve të vendit./ UK Tech News