TheAlbaniaTime

Sigurimi i fatkeqësive, vetëm 10 euro për frymë

2026-02-27 - 21:14

Përmbytjet e radhës e kanë gjetur ekonominë shqiptare edhe një herë me mbulim të papërfillshëm me sigurime nga fatkeqësitë. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për vitin 2025, vlera e primeve të shkruara bruto në sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës ishte 2.43 miliardë lekë, ose rreth 25.1 milionë euro. Kjo përkthehet në prim vjetor sigurimi prej afërsisht 10 eurosh për person. Bazuar në numrin vjetor të policave të sigurimit, mund të vlerësohet se në Shqipëri janë të siguruara afërsisht 5% e numrit të përgjithshëm të banesave (duke iu referuar Censit 2023). Ky është një vlerësim indikativ, sepse jo të gjitha kontratat e sigurimit nga fatkeqësitë u takojnë banesave. Më shumë se 90% e primeve të sigurimit nga katastrofat natyrore janë të përqendruara në Qarkun e Tiranës, ndërsa pjesa tjetër e vendit është në masën dërrmuese e pambuluar ndaj këtyre rreziqeve. Megjithëse ligjërisht sigurimi i pronës nga fatkeqësitë natyrore është vullnetar, në praktikë pjesa më e madhe e kontratave të sigurimit për këtë produkt janë të lidhura me pronat e lëna si kolateral për kreditë bankare. Në rastet kur kredia është e siguruar me kolateral, sigurimi i tij është kusht i vendosur nga banka për huamarrësin, ndaj edhe në këtë rast bëhet fjalë për një produkt faktikisht të detyrueshëm. Për vitin 2025, siguruesit paguan rreth 484 milionë lekë, ose 5 milionë euro dëme nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore. Këto shifra tregojnë qartë se fatura financiare e dëmeve nga forcat natyrore bie në pjesën dërrmuese mbi subjektet e prekura ose mbi taksapaguesit, në rastet kur qeveria merr përsipër dëmshpërblimet. Burimi: AMF Ndërsa aplikimi i një skeme të detyrueshme të sigurimit të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet mund të dëmtojë tregun e produkteve vullnetare të sigurimit të pronës, në disa raste ai mund të sjellë dublim të sigurimeve dhe shpenzim të dyfishtë. Për sigurimet e pronës të kërkuar nga bankat dhe institucionet e kredidhënies, një policë sigurimi vullnetar do të vazhdojë të jetë kusht, sepse polica e sigurimit të detyrueshëm nuk do të mbulojë dëmet nga të gjitha rreziqet (për shembull nga zjarri), por edhe sepse limiti maksimal i përgjegjësisë parashikohet të jetë në vlera relativisht të ulëta dhe në shumë raste nuk do të mbulojnë plotësisht vlerën e kredisë. Edhe qytetarët që do të duan vullnetarisht ta sigurojnë banesën e tyre për vlerën e plotë, do të duhen të blejnë një policë sigurimi private, përveç asaj të detyrueshme me ligjin e ri. Lexoni edhe: “Shtetëzimi” i sigurimit të shtëpive

Share this post: