TheAlbaniaTime

Sigurimet, viti 2026 nis me rritje modeste

2026-03-19 - 16:01

Tregu i sigurimeve e ka nisur me një ecuri modeste vitin 2026. Sipas statistikave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për muajin janar primet e shkruara bruto u rritën me më pak se 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e tregut ka ardhur e gjitha në segmentin e sigurimeve të Jo-Jetës, me 2.9%. Ndërkohë, tregu i jetës ka pësuar rënie me 1.1%, ashtu si edhe aktiviteti shumë i vogël i lidhur me veprimtarinë e risigurimit. Ecuria e tregut paraqitet edhe më e dobët sipas numrit të kontratave, që ka ngelur pothuajse e pandryshuar krahasuar me një vit më parë. Edhe në këtë fillim viti, shifrat tregojnë se ecuria e tregut të sigurimeve ngelet e plogësht dhe kryesisht e lidhur me ecurinë e produkteve të detyrueshme. Në tregun e Jo-Jetës, sigurimet motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta vazhdojnë të jenë dominuese, me më shumë se 67% të primeve të shkruara bruto. Pesha e tyre është në rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë dhe ka ardhur nga zgjerimi në produktin e sigurimit të brendshëm për përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta. Primet e shkruara bruto nga ky produkt janë zgjeruar me 4.6% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, Kartoni Jeshil dhe Polica Kufitare paraqiten të dyja në rënie krahasauar me janarin e vitit të kaluar. Ndër produktet vullnetare, ecuri pozitive ka shfaqur sigurimi i pronës nga zjarrei dhe forcat e natyrës, me 16% më shumë krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Në përgjithësi, luhatjet e këtij produkti lidhen me sigurime të rëndësishme në bizneseve. Sidoqoftë, ky produkt zë vetëm 8.5% të primeve të shkruara bruto të tregut. Ndërkohë, viti 2026 ka nisur me rënie të lehtë edhe për tregun e sigurimit të jetës, që në dy vitet e fundit kishte shfaqur ecuri më të mirë dhe norma më të larta të rritjes. Ky treg ngelet gjerësisht i varur nga produkti i sigurimit të jetës së debitorit, i lidhur kryesisht me kreditë bankare. Ky produkt ka vazhduar rritjen dyshfirore edhe për janarin 2026, por ndërkohë, rënia në shumicën e produkteve të tjera e ka frenuar ecurinë e tregut. Viti 2026 ka nisur ndërkohë me një rënie të dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit, me afërsisht 7% më pak krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Rënia ka ardhur kryesisht nga tregu i sigurimit të jetës, ku dëmet janë tkurrur me 59% krahasuar me një vit më parë.

Share this post: