Si u nda tregu i ajrit në vitin 2025, destinacionet kryesore ku fluturojnë shqiptarët
2026-02-21 - 21:24
Tregu ajror po vijon rritjen, ndonëse me ritme më të ngadalta, i nxitur nga rikthimi i Shqipërisë si destinacion i preferuar turistik dhe shtimi i konkurrencës pas hyrjes së operatorëve me kosto të ulët. Në vitin 2025, një numër rekord prej 31 shoqërish ajrore operuan fluturime nga dhe drejt Rinasit, por tregu u dominua nga dy operatorë, “Wizz Air” dhe “Ryanair”, të cilët transportuan rreth 76% të pasagjerëve. Milano (Bergamo) mbetet destinacioni më i kërkuar, i ndjekur nga Londra. Gjermania ishte shteti me rritjen më të fortë gjatë vitit 2025. Rreth 62% e udhëtarëve ishin të huaj, duke shënuar një nivel rekord, nga 40% që ishte pesha e tyre mbi një dekadë më parë. Si po kthehet Rinasi në një tranzit për rajonin. Planet për fluturimet në SHBA e Kanada Ornela Liperi Qielli mbi Shqipëri po bëhet gjithnjë e më i ngarkuar, ndërsa vendi po konsolidohet si një pikë e fortë hyrëse për turizmin në rajon, i mbështetur nga zgjerimi i rrjetit të fluturimeve dhe konkurrenca e fortë mes operatorëve me kosto të ulët. Aeroporti i Rinasit (Tirana International Airport – TIA) po shndërrohet në një nyje kyçe për lëvizjen e turistëve, që prej disa vitesh po zënë peshën kryesore të pasagjerëve, duke ua kaluar vendasve. Por, pas një periudhe rritjeje shumë të shpejtë në vitet e fundit, tregu po hyn gradualisht në një fazë më të qëndrueshme zgjerimi. Një numër rekord prej 11.6 milionë pasagjerësh fluturuan nga dhe drejt Rinasit në 2025-n, sipas të dhënave zyrtare nga “Tirana International Airport” (TIA), me rritje prej 8.7% në raport me vitin e kaluar. Kthimi i vendit në një destinacion turistik dhe hyrja e operatorëve me kosto të ulët vlerësohen se janë dy arsyet kryesore që kanë nxitur industrinë e fluturimeve në vend, që gjithsesi në 2025-n pa një ngadalësim të rritjes, në krahasim me periudhën 2020-2024, kur zgjerimi kishte qenë dyshifror (në 2024-n rritja vjetore ishte 48% dhe në vitin 2023, 44%). Ngadalësimi ka ardhur më së shumti nga tregu i Italisë, drejt dhe nga i cili fluturojnë 40% e pasagjerëve. Lëvizjet me shtetin fqinjë u rritën vetëm 2.5% në 2025-n, nga 43% një vit më parë. Edhe shtetet e tjera panë ngadalësim, me përjashtim të Gjermanisë, që shënoi rritjen më të fortë në 2025-n. “Është e rëndësishme të theksohet se aviacioni shqiptar është pjesë e dinamikave të tregut ndërkombëtar. Në këtë kontekst, fundi i vitit 2024 dhe viti 2025 kanë qenë me sfida të konsiderueshme në industrinë e aviacionit. Viti 2025 përfaqëson një hap të konsoliduar drejt objektivit tonë strategjik afatmesëm prej 15 milionë pasagjerësh”, thotë Manjola Kaso, Drejtoreshë për Zhvillimin e Aviacionit dhe Marketing, Tirana International Airport (TIA). Ajo shton se parë nga një pikëpamje më globale duhet të theksohet se mesatarja e rritjes së aeroporteve europiane ishte vetëm 4.5%, aeroportet e vendeve jashtë BE vetëm 6.2%; ndërsa aeroportet e së njëjtës kategori me TIA-n (10-25 ml pasagjerë), vetëm 5.8%. “Pra TIA udhëheq çdo tregues rritjeje në çdo kategori të aeroporteve europiane”. Burimi: TIA, INSTAT Të huajt janë kthyer në “karburantin” kryesor të aeroportit. Sipas INSTAT, rreth 7.2 milionë pasagjerë, ose 61.6% e totalit në 2025, ishin të huaj, një nivel rekord, nga 47% që ishte pesha e tyre në 2019-n dhe 30% në vitin 2011. Gara e operatorëve me kosto të ulët u ashpërsua në vitin 2024, pas hyrjes së “Ryanair”, që i mori një pjesë tregu “Wizz Air”, teksa ky i fundit ra nga 61% e tregut në vitin 2023 në rreth 55% në 2024-n. Në vitin 2024, “Ryanair”, në vitin e parë të plotë të aktivitetit, realizoi 22.4% të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve. Por, në 2025-n, të dy operatorët ruajtën pothuajse të njëjtën peshë tregu secila, duke pasur së bashku 76% të biznesit të fluturimeve të pasagjerëve, nga 77% në 2024-n, duke lënë pak hapësira për konkurrentët e tjerë që sa vijnë e shtohen. Italia vijon të mbetet destinacioni kryesor edhe në 2025-n, e ndjekur nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Milano (+Bergamo), Londra, Bolonja, Treviso, Vjena, Stambolli mbeten qytetet më të vizituara. Në 2025-n, nga Rinasi u fluturua në 108 qytete, kryesisht në Europë, por dhe jashtë saj, si në Azi (sidomos Lindja e Mesme) sipas të dhënave nga TIA. Hyrja e operatorëve me kosto të ulëta ka sjellë çmime më të lira për udhëtarët, si për shqiptarët, ashtu dhe të huajt, duke qenë një faktor kryesor që ka nxitur ardhjen e turistëve të huaj. Nëse prenoton përpara, një biletë, kryesisht drejt Italisë mund ta blesh edhe me 20-30 euro në një drejtim. Burimi: INSTAT Si u nda tregu në vitin 2025 “Wizz Air”, kompania me origjinë hungareze, mbetet operatori më i madh i fluturimeve ajrore në vend, që ka arritur të ruajë pothuajse të njëjtën peshë tregu në 2025-n, pasi humbi lehtë terren në vitin 2024, me hyrjen e konkurrentit tjetër me kosto të ulët “Ryanair”. “Wizz Air” ka kryer 54.3% të tregut të fluturimeve nga dhe drejt Rinasit në 2025-n, nga 54.8% në 2024-n dhe 61% në vitin 2023, kur shënoi dhe nivelin rekord të dominancës në tregun ajror. Përmes kësaj linje ajrore me kosto të ulët kanë fluturuar 6.3 milionë pasagjerë, sipas të dhënave nga TIA. “Kërkesa nga Tirana mbetet veçanërisht e lartë për linjat drejt Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, duke reflektuar si udhëtimet turistike, ashtu edhe vizita te familjarë dhe miq”, thotë Ian Malin, drejtor komercial i “Wizz Air”. Operatori tjetër me kosto të ulët, “Ryanair”, që hyri në treg në fund të 2023-t, në vitin e parë të plotë të aktivitetit, në 2024-n, mori 22.3% të udhëtarëve që fluturuan përmes Rinasit. Edhe në vitin 2025, pesha e tij mbeti në pothuajse të njëjtat nivele, duke zbritur lehtë në 21.9%. Në janar 2026, kompania njoftoi se do të shtojë në bazën e Tiranës avionin e katërt B737-800 nga prilli 2026 (investim prej 400 milionë dollarësh) dhe do të hapë 20 linja të reja direkte, si Alghero, Baden-Baden, Eindhoven, Genoa, Memmingen, Parma dhe Wroclaw, përveç 23 linjave ekzistuese për sezonin verë 2026 (gjithsej 43 linja). Ky zgjerim do të krijojë mundësinë për mbi 3,000 vende të reja pune dhe 120 pozicione me paga të larta për pilotë dhe ekuipazh kabine të “Ryanair” në Tiranë. “Lufthansa” dhe “Austrian Airlines” zunë përkatësisht 2.86% dhe 2.11% të tregut të fluturimeve në vend. Pesha e tyre në vite është e qëndrueshme, teksa ato janë të përqendruara kryesisht në fluturimet tranzit drejt destinacioneve të largëta. Në vitin 2025, “Lufthansa” kaloi në operatorin e tretë ajror më të madh në vend, pas “Wizz Air” dhe “Ryanair”. Të dyja janë pjesë e “Lufthansa Group”, një nga grupet më të mëdha të aviacionit në Europë dhe përfshin disa linja ajrore, ndër të cilat kryesoret janë: “Lufthansa”, “Austrian Airlines”, “SWISS”, “Brussels Airlines”, “Eurowings”. Dy kompanitë e tjera të grupit, “Eurowings” dhe “Swiss Air Lines” kishin përkatësisht 0.71% dhe 0.55% të tregut. I gjithë grupi “Lufthansa” kreu në 2025-n rreth 6.2% të fluturimeve në vend. “Pegasus Airline”, me destinacion Turqinë, realizoi 2.54% të fluturimeve, duke u ngjitur në kompaninë e katërt më të madhe të tregut ajror, me rritje nga 2% në 2024-n. Problemet me “Air Albania” në fund të 2025-s, që anuloi një sërë fluturimesh drejt Stambollit, e kanë “ndihmuar”, konkurrentin e tij që të rrisë peshën në treg. “Air Albania”, që në vitin 2021 ishte operatori i dytë më i madh, me 17% të tregut, ka zbritur në vend të pestë në 2025-n, me një peshë prej 2.3%. Pasi një prej aksionerëve të tij “Turkish Airlines” njoftoi në nëntor 2025 se kishte nxjerrë në shitje 49% të aksioneve që zotëronte tek “Air Albania”, kjo e fundit nisi të anulonte fluturimet dhe doli gradualisht nga tregu në fund të vitit (shiko nënndarjen: “Shkëlqimi dhe rënia e Air Albania”. “Aegean Airlines” është operatori tjetër që ka arritur të ketë më shumë se 2% të tregut të fluturimeve në vitin 2025. Shoqëria ofron lidhje direkte me tregun grek dhe e mbylli vitin me 2.1%, nga 1.85% në 2024-n. Aktiviteti i charter-ave kulmoi në vitin 2021, kur Shqipëria filloi të bëhej një destinacion i preferuar turistik. Në 2019-n, përmes charter-ave fluturuan 8% e pasagjerëve. Pesha e tyre ra më pas, duke zbritur në 4% në vitin 2023 dhe 3.1% në 2024 dhe 3.17 në 2025-n, teksa operatorët me kosto të ulëta nisën fluturimet direkte në shumë destinacione të Europës, si Poloni, Norvegji, apo Çeki. Sipas të dhënave nga “Tirana International Airport”, në vitin 2025 fluturuan gjithsej në Rinas 31 operatorë (përveç charter-ave), nga 29 një vit më parë, por pjesa e tregut për 24 prej tyre është më pak se 1% secili. Burimi: TIA Ndonëse numri i operatorëve që fluturuan drejt Rinasit është shtuar, i ndihmuar nga fluksi i lartë i turistëve dhe destinacionet janë zgjeruar, operatorët e tjerë ajrorë nuk kanë arritur të fitojnë terren. “Swiss Air”, “Air Serbia”, “Eurowings”, “British Airways”, “ITA”, “LOT Polish Airlines” iu desh të mjaftoheshin me 0.5-0.1% të totalit të pasagjerëve. “Iberia”, “Jetairfly”, “Easyjet”, “Fly Dubai”, “Transavia HV”, “SunExpress”, “Transavia TO” ndanë midis 0.1-0.5% të pasagjerëve që fluturuan nga dhe drejt Rinasit. “SAS”, “Croatia Airlines”, “Sky Express”, “Flynas”, “Air France” kishin më pak se 0.1% të tregut. Ikin linjat direkte nga vendet arabe Në vitin 2024, kishte dy operatorë arabë, që kishin fluturime direkte përmes Rinasit. “SalamAir”, një kompani ajrore nga Omani është linjë ajrore me kosto të ulët me bazë në aeroportin ndërkombëtar të Muscat. “Jazeera Airways” është një kompani ajrore nga Kuvajti. Është gjithashtu linjë ajrore me kosto të ulët me bazë në aeroportin ndërkombëtar të Kuvajtit. Të dy këta operatorë, kishin 0.06% të tregut të fluturimeve secili në vitin 2024, por nuk figurojnë më në 2025-n. Për herë të parë me grupe të organizuara, turistët nga vendet arabe dhe Azia Perëndimore nisën të eksploronin Shqipërinë në vitin 2021 kur ende kufizimet e COVID e bënin lëvizjen e lirë kudo në botë të vështirë. Kjo tendencë u shua më pas në vitin 2022 duke pasur më pak vizitorë dhe arsyeja kryesore e largimit në atë kohë ishte mungesa e qasjes për ushqim të dedikuar ‘hallall’ sikurse kërkohet nga këto vende. Ndërkohë në vitin 2024, në vrullin turistik të promovimit të vendit, disa agjenci të huaja nga vende si Omani por edhe Riadi apo Emiratet, në tërësi ofruan paketa që shkonin nga disa qindra euro në rreth 2 mijë euro personi, por duket se sërish turisti i këtyre vendeve nuk e ka gjetur veten në Shqipëri duke e zbehur edhe një herë praninë në 2025. Italia mbetet destinacioni kryesor ku udhëtojnë shqiptarët, rritja e fortë e Gjermanisë Sipas statistikave të Eurostat, në Itali jetojnë të paktën 570 mijë shtetas shqiptarë, çka përbën një bazë shumë të rëndësishme për tregun ajror, së bashku me familjarët e tyre. Italia, e njohur për historinë, kuzhinën dhe kulturën e saj, ndodhet vetëm rreth 1–1.5 orë fluturim nga Rinasi, në varësi të qytetit, duke mbetur një destinacion i preferuar edhe për turizëm. Edhe gjatë vitit 2025, shteti përtej Adriatikut vijoi të ketë trafikun më të madh ajror me Shqipërinë. Në 2025-n, sipas të dhënave nga “Tirana International Airport” (TIA), rreth 40% e pasagjerëve (ose 4.6 milionë) udhëtuan nga Rinasi drejt qyteteve italiane dhe anasjelltas. Në krahasim me vitin e mëparshëm, fluksi i udhëtarëve është rritur me 2.5%. Ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm nga 43% që ishte zgjerimi vitin e mëparshëm, duke treguar për një maturim të këtij segmenti, të ndikuara nga Milano (+Bergamo). Nga Rinasi u fluturua në 22 qytete italiane në vitin 2025, nga 24 në 2024 (Ankona, Bari, Bergamo, Bolonja, Brindizi, Katania, Comiso, Genova, Lamezia Terme, Milano, Napoli, Olbia, Peruxhia, Peskara, Piza, Rimini, Romë, Salerno, Treviso, Trieste, Torino, Verona). Dominojnë Milano, së bashku me Bergamon dhe Roma. Krahas emigrantëve e shqiptarëve që vizitojnë Italinë për pushimet apo tek të afërmit e tyre, Shqipëria është kthyer vitet e fundit në një destinacion të preferuar për turistët italianë. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, shtetasit nga Italia ishin grupi i dytë më i madh i turistëve në vend, pas Kosovës, me 1.3 milionë italianë që hynë në vend në 2025, ose 3.2% më shumë. Ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm në raport me 2024, kur zgjerimi ishte 31%, duke qenë dhe një faktor kryesor që ka ndikuar në ecurinë më të dobët të fluturimeve me Italinë. Në vend të dytë ka mbetur Gjermania, me 13.7% të lëvizjeve, nga 10.7% vitin e mëparshëm. Gjermania është shteti që ka shënuar rritjen më të lartë të trafikut ajror nga Shqipëria në vitin 2025. Nga dhe drejt qyteteve të ekonomisë më të madhe europiane, që vitet e fundit është kthyer në destinacion punësimi për shqiptarët, kanë udhëtuar 1.55 milionë pasagjerë, ose 33% më shumë se viti i mëparshëm. Një shtysë këtij destinacioni i ka dhënë dhe rritja e interesit të gjermanëve për të vizituar vendin. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, në vitin 2025 në vend hynë 425 mijë shtetas gjermanë, me rritje prej 17% me bazë vjetore. Nga Rinasi fluturohet në 13 destinacione në Gjermani. Qyteti me fluksin më të madh të udhëtimeve ka kaluar Dortmundi, ndërsa në 2024-n udhëhiqte Frankfurti. Më pas vijojnë Memmingen, Berlini, Hamburgu. Mbretëria e Bashkuar (MB), sidomos Londra, është destinacioni i tretë për trafikun nga Shqipëria, me 8.7% të totalit. Hyrja e operatorëve me kosto të ulët, fillimisht “Wizz Air”, çoi në rritje të shpejtë të fluturimeve, duke shënuar zgjerim prej 62%, në 2024-n, kur nisi dhe “Ryanair”. Por, në 2025-n drejt dhe nga shteti ishullor udhëtuan 1 milion pasagjerë, me një rritje prej 5.3% me bazë vjetore. Londra tërhoqi 92% të udhëtarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar. Turqia ka vijuar të ruajë vendin e katërt, me 5% të udhëtimeve dhe rritje me 4.4% me bazë vjetore (nga 35% vitin e mëparshëm), me Stambollin që zë peshën kryesore (72%). Destinacioni tjetër i preferuar për pushime është Antalia, me rreth 110 mijë pasagjerë, i ndjekur nga Bodrumi me 13 mijë. Polonia vijon të renditet në vendin e pestë, pavarësisht se interesi i polakëve për udhëtimet turistike në Shqipëri po vjen në rënie. Nga dhe drejt qyteteve të Polonisë kanë udhëtuar 485 mijë shtetas, me rënie prej 6.5% në raport me vitin 2024. Kjo tendencë vjen pas rritjes me 57% vitin e mëparshëm. Sipas operatorëve turistikë, rënia ka ardhur kryesisht nga udhëtarët individualë, ndërsa udhëtimet e organizuara përmes agjencive vijojnë të jenë të qëndrueshme. Nga Rinasi është fluturuar në nëntë destinacione polake, Varshavë, Krakov, Katovicë, Vroclavw, Poznan, Gdañsk, Zheshov, Shiman, Zjelona, Lodz. Varshava mbetet destinacioni kryesor me 40.7% të totalit, e ndjekur nga Krakovi, me 20%. Franca është një tjetër destinacion që ka parë rënie të udhëtimeve, pas dyfishimit në vitin 2024, që u ndikua dhe nga hyrja e “Ryanair” në këtë linjë. Në vitin 2025 fluturuan nga dhe drejt Francës rreth 465 mijë pasagjerë, me tkurrje prej 5% në raport me vitin e mëparshëm, me 490 mijë pasagjerë, më se dyfishim në krahasim me vitin 2023. Parisi mban rekordin me 62% të trafikut me Francën. Austria është nga të paktat destinacione me rritje dyshifrore në vitin 2025. Trafiku drejt këtij shteti u rrit me 12%, në 444 mijë pasagjerë, vetëm në Aeroportin e Vjenës. Ky i fundit shërben si linjë e rëndësishme tranziti për gjithë botën, teksa hyrja e operatorëve me kosto të ulët vitet e fundit ka shtuar dhe udhëtimet turistike. Burimi: TIA, përpunime të “Monitor” Burimi: TIA, përpunime të “Monitor” Një kafe në Milano (Bergamo), apo një shëtitje në Londër Milano, që është e arritshme nëpërmjet dy aeroporteve (Malpensa dhe Bergamo) është destinacioni më i frekuentuar për fluturimet nga dhe drejt Rinasit. Në 2025, përmes këtyre aeroporteve, fluturuan 1.02 milionë pasagjerë, me një rënie prej 4.6%, pas rritjes prej 45% që u shënua në 2024-n, kur hyri dhe linja e “Ryanair” drejt Bergamos. Nga dy aeroportet, Bergamo ka trafikun më të lartë me 658 mijë pasagjerë. Londra mban vendin e dytë midis destinacioneve kryesore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, me 8% të udhëtimeve totale. Rreth 933 mijë udhëtarë shkuan apo erdhën në Mbretërinë e Bashkuar, me rritje 11.3% nga një vit më parë. Janë disa shoqëri ajrore që operojnë me aeroportet e Londrës, duke e bërë këtë destinacion që po tërheq shumë emigrantë vitet e fundit, të arritshëm me kosto të lirë. Bolonja ka mbetur në vend të katërt, me 505 mijë pasagjerë. Treviso është një tjetër qytet italian që ka arritur të ketë 464 mijë pasagjerë në vitin 2024. Vjena është ngjitur në vend të gjashtë pas një rritjeje të fortë në 2024, që ka vijuar të mbetet dyshifrore edhe në 2025-n, me 442 mijë pasagjerë. Krahas “Austrian Airlines”, hyrja e “Wizz Air” dhe më pas “Ryanair”, me çmime më ekonomike e ka bërë Vjenën një qytet të preferuar për turistët nga Shqipëria. Nga dhe drejt Stambollit kishte 424 mijë pasagjerë, ose 4.1% më shumë se një vit më parë. Piza ka zbritur në vend të tetë, me 401 mijë pasagjerë. Burimi: TIA, përpunime të “Monitor” Si turizmi po nxit industrinë ajrore Në vitin 2025, në Shqipëri hynë një numër rekord prej 12.5 milionë të huajsh, dy herë më i lartë se në 2019-n, sipas të dhënave nga INSTAT. Nga ajri hynë 29% e totalit të turistëve që erdhën në vend, nga rreth 10% që kishte qenë mesatarisht kjo peshë deri në vitin 2020. Kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik i ka dhënë hov të ri industrisë ajrore në vend. Që nga viti 2023 ka më shumë të huaj që udhëtojnë në aeroport sesa vendas, për të arritur në një rekord prej 61.6% të pasagjerëve në 2025-n, ndërsa më herët të huajt zinin mesatarisht një të tretën. Numri i të huajve që hyjnë e dalin përmes TIA-s është rritur me shpejtësi vitet e fundit, duke arritur në rreth 7.2 milionë në vitin 2025, nga 1.6 milionë në vitin 2019, sipas të dhënave nga INSTAT. Numri i lartë i udhëtarëve të huaj flet për ndikimin e jashtëzakonshëm që ka aeroporti dhe lidhjet e tij ajrore në industrinë e turizmit, sipas Manjola Kaso, Drejtoreshë për Zhvillimin e Aviacionit dhe Marketing, Tirana International Airport. “Linjat ajrore me kosto të ulët kanë riformatuar gjeografinë e turizmit në Ballkan, duke sjellë më shumë turistë drejt rajonit”. “Vitet e fundit, Shqipëria ka shënuar një rritje të numrit të udhëtarëve ndërkombëtarë, e mbështetur nga përmirësimi i lidhjeve ajrore dhe shtimi i popullaritetit të destinacioneve”, thotë Ian Malin, Drejtor Komercial i “Wizz Air”. “Wizz Air” ka luajtur rol kyç duke e bërë udhëtimin ajror më të arritshëm dhe më të përballueshëm, duke mundësuar flukse të reja turizmi hyrës, si dhe duke mbështetur udhëtimet jashtë vendit për qytetarët shqiptarë. Modeli ynë me tarifa të ulëta siguron një fluks të qëndrueshëm udhëtarësh me frekuencë të lartë, të cilët mbështesin sektorët lokalë të mikpritjes, tregtisë dhe kulturës, duke zgjatur sezonin turistik dhe duke diversifikuar tregjet”, shton z. Malin. Burimi: INSTAT Hapja e pritshme e një aeroporti të dytë në Vlorë pritet t’i japë hov të mëtejshëm turizmit, sidomos atij në bregdetin e Jugut. Elvis Kotherja, Themelues i Elite Travel Group & Elite Hospitality thotë se në fillim të qershorit, kompania NTLG Ving & Spies dhe linja e saj ajrore, Sunclass Airlines, do të operojnë fluturime direkte për në Aeroportin e Vlorës (VLO), nga Stokholmi, Oslo dhe Kopenhaga. “Nga statistikat, numri i pasagjerëve që vijnë me charter në Aeroportin e Tiranës është simbolik në krahasim me atë që ne mendojmë, rreth 120,000 – 130,000 në total, kryesisht nga Europa Qendrore”, pohon ai. “Kjo do të thotë që Aeroporti i Tiranës mbetet si rajonal, që u shërben shteteve rajonale si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, etj., dhe ai i Vlorës do të jetë qartësisht i pozicionuar, veç linjave, si aeroport i charter-ave, që do të jetë në funksion të destinacioneve nga Ksamili deri te Gjiri i Lalëzit, etj. Vende si Shëngjini dhe ato të shtrira më sipër gjeografikisht do të jenë më shumë të lidhura me Aeroportin e Tiranës”. A do të hapet këtë vit Aeroporti i Vlorës?! Në 8 maj të vitit të kaluar, kryeministri Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e certifikimit të pistës së Aeroportit të Vlorës dhe pohoi se fluturimet do të nisinin në verë 2025. Por, në fund të majit Kreu i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa tha për “Monitor”, se në “2024-n na u tha se aeroporti do të niste fluturimet ndoshta në verë 2025 dhe se do të mundësohej që të paktën kjo të bëhej për charter-at me turistë por tashmë na kanë konfirmuar që kjo është e pamundur pasi duhet të kalojë disa procedura standarde sigurie dhe certifikimi. Kjo na ka vënë në vështirësi sepse ne kemi parapaguar disa qindra dhoma për gjithë sezonin dhe hotelet thonë që nuk është faji i tyre dhe nuk kanë pse tolerojnë në aspektin e pagesave”. Që nga fundi i vitit të kaluar, Aeroporti i Vlorës ka qenë peng i konfliktit mes aksionerit të shumicës MABCO (në pronësi nga shoqëria zvicerane me aksioner shqiptar, Mabetex), zotërues i 98 për qind të aksioneve në shoqërinë e Aeroportit të Vlorës dhe atij të pakicës 2A Group (shoqëri me kapital nga Kosova), me 2 për qind të aksioneve. Kjo e fundit pretendon se ka një kontrate për shitjen e 47 për qind të aksioneve, duke e çuar kuotën e tij në 49%, transaksion që MABCO nuk e pranon të ketë ndodhur. Asnjëra palë nuk jep një datë se kur do të nisin fluturimet, ndërsa punimet në aeroport janë intensifikuar së fundmi. Në një konferencë të fundit për shtyp, përfaqësues të MABCO thanë se nëse gjykata do të zgjidhë ngërçin kompania që ata përfaqësojnë, e cila është garantore e një kredie 57 milionë euro me asete në vlerën 180 milionë euro, mund të përshpejtojë punimet dhe të vijojë me certifikimet e nevojshme që aeroporti i Vlorës të hyjë në operim brenda disa muajve. Nëse çështja zvarritet dhe ai mbetet i përjashtuar duke u “shpronësuar” kështu nga e drejta e tij në këtë koncesion atëherë çështja do të ndiqet në Arbitrazh ndërkombëtar. Elvis Kotherja, Themelues i Elite Travel Group & Elite Hospitality, e cila ka njoftuar se në fillim të qershorit, kompania NTLG Ving & Spies dhe linja e saj ajrore, Sunclass Airlines, do të operojnë fluturime direkte për në Aeroportin e Vlorës (VLO) është i bindur se fluturimet do të nisin. “Duke parë angazhimin e autoriteteve qendrore, gjithashtu edhe interesin e investitorëve, nuk shoh ndonjë shenjë që kjo nuk do të ndodhë, sepse infrastruktura dhe angazhimi janë maksimal. Administrata komunikon dhe është në lidhje të sigurt. Kjo më bën ta përjashtoj si mundësi moshapjen. Të paktën për charter-at, do të nisë”, pohon ai. Qeveria hapi garën për dhënien me koncesion të Aeroportit të Vlorës në dhjetor 2019 duke deklaruar në atë kohë se procedurat do të ecnin në mënyrë të shpejte që punimet të fillonin në verën e vitit 2020. Në fakt pandemia e COVID-19 ngadalësoi këto plane dhe vetëm në prill 2021 u arrit që të nënshkruhej kontrata me konsorciumin që fitoi të drejtën e kësaj kontrate. Sipas studimit të fizibilitetit të asaj kohe punimet llogariteshin në 87 milionë euro teksa konsorciumi merrte përsipër të investonte pak më shumë se 100 mln euro. Ndryshe nga kontrata e aeroporti të Rinasit, ajo e Vlorës është me trafik të garantuar. Kështu referuar tabelës parashikohet që të ardhurat e garantuara në skenarin bazë për 10 vitet e para të operimit të jenë 9.6 milionë euro në vitin e katërt, 10.3 në vitin e pestë, 11.2 për të gjashtë , 12.1 për të shtatë e kështu me radhë me një kulmim prej 18.6 në vitin e trembëdhjetë nga nënshkrimi i kontratës. Qeveria do garantojë 138 milionë euro të ardhura për 10 vjet për koncesionarin e Aeroportit të Vlorës. Për krahasim, “Tirana International Airport” (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, deklaroi në vitin 2024 të ardhura prej 11.4 miliardë lekë (rreth 115 mln euro) dhe një fitim prej 4.4 miliardë lekë (45 mln euro), duke e renditur atë mes bizneseve më fitimprurëse në vend. Lexoni edhe: Nga qershori 2026, Air Transat do të kryejë fluturime të rregullta javore direkte drejt Torontos Shkëlqimi dhe rënia e “Air Albania”, dueli i heshtur me “Turkish Airlines” “Rrëzimet” e shpeshta të kompanive ajrore Dikur shkonim ne, tani vijnë ata; 555 mijë udhëtarë nga rajoni në Rinas në vitin 2025 “’Wizz Air’ ka në ‘radar’ edhe Vlorën” “Aeroporti i Vlorës risjell nordikët me pushime në Shqipëri këtë verë”