TheAlbaniaTime

Si të rrisësh fëmijë “të paprekshëm nga robotët”, këshillat e një neuroshkencëtareje për epokën e IA

2026-03-25 - 13:51

Një neuroshkencëtare që studion IA paralajmëron se fëmijëve nuk duhet t’u mësohen aftësi që nuk do t’u duhen pas 10 vitesh, duke theksuar se mënyra tradicionale e edukimit po i përgatit ata për punë që mund të mos ekzistojnë më. Ajo argumenton se, megjithëse flitet gjithnjë e më shumë për IA dhe aftësi “të buta”, kompanitë vijojnë të vlerësojnë diploma elitare dhe shkollat fokusohen te testet. Sipas saj, rritja e fëmijëve për të ndjekur rregulla dhe për të memorizuar përgjigje i lë ata të papërgatitur për një botë që shpërblen kreativitetin, kureshtjen dhe zgjidhjen e problemeve. Si neuroshkencëtare dhe sipërmarrëse, ajo ka ndërtuar karrierën duke kërkuar cilat aftësi do të kenë vlerë kur IA mund të gjenerojë përgjigje dhe të automatizojë punën mendore. Sipas saj, fokusi duhet të zhvendoset nga transmetimi i njohurive drejt ndërtimit të kapaciteteve. Një nga qasjet që ajo rekomandon është “CV-ja e dështimeve”. Sipas saj, nxënësit më të suksesshëm janë shpesh ata që janë të gatshëm të gabojnë. Eksplorimi dhe dështimi ndihmojnë më shumë në të nxënë sesa përsëritja e përgjigjeve të sakta. Ajo sugjeron që familjet të krijojnë një praktikë ku dështimet regjistrohen dhe diskutohen si pjesë e procesit të rritjes, duke i parë ato si mundësi për të mësuar dhe për të pasur qendrueshmëri. Një tjetër element është krijimi i mjediseve që nxisin zbulimin dhe rastësinë. Ajo thekson se universitetet elitare nuk kanë vlerë vetëm për programet mësimore, por për ekspozimin ndaj ideve dhe problemeve të ndryshme. Prindërit, sipas saj, mund të rikrijojnë këtë efekt duke ndërtuar një ambient që nxit eksplorimin, duke i ekspozuar fëmijët ndaj ideve dhe përvojave të ndryshme. Ajo gjithashtu sugjeron që fëmijët të trajnohen si kritikë të IA-së, dhe jo si përdorues pasivë. Në vend që IA të japë përgjigje përfundimtare, fëmijët duhet ta përdorin atë për të gjeneruar ide dhe më pas të analizojnë dhe sfidojnë rezultatet. Kjo, sipas saj, i ndihmon ata të zhvillojnë mendim kritik dhe kreativitet. Në fund, ajo thekson se në një botë ku përgjigjet janë gjithnjë e më të aksesueshme, vlera reale që sjell një individ nuk është përgjigjja e saktë, por këndvështrimi unik që ai krijon. / CNBC

Share this post: