Si mund të ulin qeveritë europiane faturat e energjisë brenda natës
2026-03-18 - 15:41
Taksat mbi energjinë elektrike mund të jenë katër herë më të larta se ato mbi lëndët djegëse fosile. Ndërsa Europa ndodhet në mes të një krize tjetër energjetike, shumëkush po pyet se si të ndalet transferimi i kostos së luftës në faturat e familjeve. Zgjidhja afatgjatë, e cila tashmë po ul faturat në Spanjë, është investimi në burime të brendshme të rinovueshme, duke çuar në varësi më të vogël nga lëndët djegëse fosile të importuara, çmime të fryra që i kushtuan BE-së një shtesë prej 2.5 miliardë euro vetëm në 10 ditët e para të luftës me Iranin. Zgjidhja afatshkurtër, të cilën qeveritë mund ta zbatojnë brenda natës, është ulja e taksave. Vitin e kaluar, 28 për qind e faturës mesatare të energjisë elektrike për konsumatorët europianë shkoi për taksa dhe tarifa, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA). Shumë e shohin këtë si veçanërisht të padrejtë, pasi taksat mbi energjinë elektrike janë shumë më të larta se ato mbi lëndët djegëse fosile, pavarësisht se këto të fundit janë shkaktari kryesor i krizës klimatike dhe të biodiversitetit. Në Spanjë, taksat mbi energjinë elektrike ishin 4.2 herë më të larta se ato mbi gazin fosil në vitin 2025, ndërsa në Gjermani ishin 3.2 herë më të larta. Duke qenë se pesë kompanitë më të mëdha të naftës fituan më shumë se 88 miliardë euro në vitin 2024, një taksim më i lartë do t’i linte ato gjithsesi me fitim. Kostoja e energjisë së prodhuar nga gazi është rritur me 55% që nga shpërthimi i luftës me Iranin. Qeveritë europiane po gjejnë mënyra të zgjuara për të ulur taksat mbi energjinë elektrike Fatura e energjisë përbëhet nga tre pjesë: kostot e energjisë, tarifat e rrjetit dhe taksat. Siç thekson Climate Action Netëork (CAN) Europe, çdo komponent i faturës “varet nga zgjedhjet e politikave të bëra nga qeveritë”. Kostot e energjisë janë ato që paguani për energjinë që konsumoni realisht dhe përcaktohen nga shumë faktorë të ndryshueshëm, si çmimet me shumicë të energjisë, ora e ditës dhe kushtet e motit. Tarifat e rrjetit shkojnë për mirëmbajtjen e shtyllave, kabllove dhe infrastrukturës që sjell energjinë në shtëpinë ose biznesin tuaj. Ndërsa taksat që i shtohen faturës vendosen nga qeveritë. Çmimet e energjisë elektrike formohen nga disa faktorë strukturorë, të cilët të gjithë pasqyrohen në faturë. Të gjithë komponentët varen nga zgjedhjet e politikave të bëra nga qeveritë. Nëse një familje apo biznes mesatar paguan më pak taksa, qeveritë ka të ngjarë të duhet të kompensojnë këtë mungesë diku tjetër. Zgjidhja, sipas CAN Europe, është “ribalancimi i taksimit larg energjisë elektrike dhe drejt lëndëve djegëse fosile”. Disa qeveri tashmë kanë arritur të ulin çmimet e energjisë përmes ndryshimeve në taksa. Gjermania, e cila ka faturat më të larta të energjisë në Europë, arriti të ulë faturat vjetore me 16 për qind duke hequr një tarifë për energjitë e rinovueshme nga faturat e energjisë dhe duke e kaluar atë në taksat e përgjithshme. Danimarka gjeti një zgjidhje të zgjuar duke e bërë energjinë elektrike për ngrohje më të lirë, duke shpërblyer kështu familjet dhe bizneset që instaluan pompa nxehtësie. “Qeveria daneze konsideron se përjashtimi nga taksat ishte pjesërisht përgjegjës për rritjen e madhe të instalimit të pompave të nxehtësisë nga 2019-2021 dhe në 2023,” sipas një raporti të organizatës joqeveritare Regulatory Assistance Project. Në përgjigje të krizës aktuale energjetike, të shkaktuar nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit dhe ulja e eksporteve të energjisë nga Lindja e Mesme, dhjetëra vende, përfshirë shumicën e Europës, ranë dakord të nxjerrin në treg një sasi rekord nafte nga rezervat e tyre emergjente. Fanny Petitbon nga organizata mjedisore 350.org argumenton se kjo është si të vendosësh një “fasho mbi një plagë të hapur”. “Nëse vendet e G7 synojnë stabilizimin e tregut, ato duhet të ndalojnë mbrojtjen e fitimeve dhe të fillojnë të taksojnë kompanitë që ushqejnë krizën klimatike.” “Njerëzit që punojnë nuk duhet të paguajnë çmimin, ndërkohë që kompanitë e mëdha të naftës e trajtojnë luftën në Lindjen e Mesme si një llotari fituese.” A i kalojnë kompanitë e lëndëve djegëse fosile taksat te konsumatorët? Është logjike të shqetësohesh se nëse kompanitë e mëdha të lëndëve djegëse fosile, si Aramco dhe Gazprom, do të kishin fitime më të ulëta për shkak të taksave më të larta, ato do të rrisnin çmimet për klientët për të kompensuar humbjen, duke çuar në fatura më të larta për konsumatorët. Por analiza e CAN Europe tregon se kjo nuk ka gjasa të ndodhë: “Dëshmitë ekonomike tregojnë se taksat mbi fitimin, ndryshe nga taksat mbi konsumin, në përgjithësi nuk u kalohen konsumatorëve apo kompanive të tjera, pasi çmimet përcaktohen kryesisht nga kostot e karburantit, tregu dhe kufizimet infrastrukturore, dhe jo nga taksimi i korporatave. Nuk ka gjithashtu një lidhje domethënëse midis taksave më të larta korporative dhe çmimeve më të larta të energjisë elektrike në vendet e BE-së.” Taksat e përhershme mbi fitimet e jashtëzakonshme janë zgjidhja Gjatë goditjes së fundit të madhe energjetike në Europë, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022, blloku vendosi një “kontribut solidariteti”, një taksë e përkohshme mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të lëndëve djegëse fosile për të ndihmuar në mbrojtjen e familjeve dhe bizneseve nga çmimet e larta të energjisë. Ajo gjeneroi 28 miliardë euro, të cilat u përdorën kryesisht nga shtetet anëtare për të mbështetur financiarisht konsumatorët e energjisë, veçanërisht familjet në nevojë. Shumë organizata të angazhuara për klimën kanë kërkuar rikthimin e kësaj takse dhe kthimin e saj në të përhershme, duke krijuar fonde për të nxitur tranzicionin drejt energjisë së pastër. “Në afat të shkurtër, ulja e taksave mbi energjinë elektrike dhe vendosja e masave të synuara mbështetëse, të financuara nga taksimi i fitimeve të tepërta të industrisë së lëndëve djegëse fosile, mund t’u japë njerëzve pak frymëmarrje për momentin. Por në afat të gjatë, fitimet nga lëndët djegëse fosile duhet të taksohen në mënyrë të përhershme, për t’u përdorur për të garantuar të ardhmen e sistemit energjetik të Europës përmes investimeve në burime të rinovueshme, efikasitet, rrjete dhe elektrifikim,” thotë Seda Orhan, Drejtore e Energjisë në CAN Europe. / Euronews