TheAlbaniaTime

Shtrenjtohet sërish çmimi i naftës në pikat e pakicës, arrin 182 lekë për litër

2026-03-06 - 12:34

Në Tiranë për disa pika çmimi i naftës ka arritur 182 lekë për litër. Krahasuar me çmimin e shitjes së naftës me pakicë para nisjes së luftës, rezulton se rritja është 7 lekë për litër. Sot sipas një vëzhgimi në terren rezulton se çmimi i naftës në pikat e pakicës është rritur nga disa operatorë, përfshirë kompanitë, si: “Kastrati”, “Bolv” dhe “Elda”. Në një nga pikat e kompanisë “Kastrati” pranë tregut të Medresë çmimi i naftës rezulton 182 lekë për litër nga 175 lekë për litër që tregtohej më parë. Rritja është 7 lekë për litër. Ndërsa nafta nga operatori “Elda” është rritur sërish. Nga 179 lekë për litër që u shit në pikat e pakicës ditën e mërkurë, çmimi i naftës sot ka arritur 182 lekë për litër. Rritja është edhe me 3 lekë të tjera. Rritje çmimi prej 7 lekë ka pasur edhe te pikat e pakicës së kompanisë “Bolv”. Çmimi ka arritur 182 lekë për litër. Para nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës ishte 175 lekë për litër. Në treg rezulton se çmimi prej 175 lekë për litër ka qenë i qëndrueshëm prej tetorit të 2024-s, pra prej më shumë se 1 viti. Ndërkohë prej të mërkurës, rreth 4 ditë pas nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme çmimi në tregun e pakicës u rrit me 4 lekë, duke arritur në nivelet e 179 lekë për litër. Ndryshimi i çmimit u reflektua në disa pika në Tiranë të operatorit “Elda”, ndërsa mbeti i pandryshuar te pikat e furnizimit me pakicë në autostradë. Rritja të çmimit të naftës është shënuar edhe në bursat e huaja. Çmimi i naftës brent crude është 88.9 USD për fuçi. Para nisjes së sulmeve çmimi i naftës brent crude në bursë ishte 65 USD për fuçi. Ndërsa çmimi i naftës të rafinuar, sipas operatorëve ditën e premte, para sulmit, u ble me 700 USD për ton. Pas sulmit, çmimi u rrit në 900 USD për ton. Por pas mbylljes së rafinerisë “Ras Tanura” në Arabinë Saudite, për shkak të një sulmi me dron, çmimi i naftës së rafinuar në bursat ndërkombëtare arriti 1,150 USD për ton. https://monitor.al/cmimi-i-naftes-fillon-te-rritet-ne-disa-pika-te-tiranes-arrin-179-leke-per-liter/

Share this post: