Shtrenjtimi i naftës, Kryeministri Rama: Do ndërhyhet në treg me përfshirjen e një operatori publik
2026-03-13 - 12:34
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp me gazetarët ditën e sotme, ka sqaruar arsyet e tërheqjes nga gara të së vetmes kompani për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Kryeministri Rama tha se në momentin e fundit kompania që kishte kaluar të gjitha fazat e procedurës dhe pritej të paraqiste ofertën u tërhoq nga gara, për shkak të krizës dhe rritjes së kostove. “Ka ndodhur një koincidencë e pashmangshme, ne momentin e fundit kompania që ka kaluar të gjitha fazat dhe të bënte ofertimin u tërhoq, për shkak të krizës dhe rritjes së kostove, krahasuar me tavanin e vendosur nga kërkesat në procedurën e hapur të organizuar nga qeveria shqiptare. Por nuk kemi të dhëna që kompania është ndodhur nën ndonjë presion. I gjithë procesi është zhvilluar në presion, por jo nën presionin e qeverive të SHBA-ve apo të ndonjë qeverie të Bashkimit Europian. Presion të vazhdueshëm nga faktorë të tjerë të painteresuar ka pasur, që ai port të jetë një histori suksesi. Që nga A -ja ku disa thonë që përse duhet një port, i ri se ne kemi portin tonë, atë kënetën në zemrën e Durrësit dhe e lidhnin idenë e portit të ri me shitjen e atdheut në duart e arabëve. Por përtej injorancës se si trajtohen këtu çështjet, që në fillim ka pasur forca të interesuara që projekti i ri të mos ecte përpara. Porti ekzistues nuk ka asnjë kapacitet për të qenë nyja strategjike e Korridorit të 8-të. Këtë nuk e them unë, por të gjitha analizat e bëra dhe proceset e ndjekura, por edhe realiteti i thjeshtë që ai port është i vendosur në mes të qytetit. Pa llogaritur kapacitet që janë të papërshtatshme për të mbajtur peshën e Korridorit të 8-të”. Kryeministri Rama shtoi gjithashtu se në pellgun aktual të portit të Durrësit mund të ndërtohet një bazë ushtarake që do të përdoret nga NATO. Në përfundim, Rama deklaroi se qeveria nuk ka asnjë informacion që kompania të jetë tërhequr nga gara për arsye të tjera. “Mund të bënim ne një bazë ushtarake që do të shfrytëzohet nga NATO në atë pellgun aktual të portit të Durrësit. Nuk kemi asnjë informacion që kompania është tërhequr nga gara për arsye të tjera”, tha Rama ndër të tjera. Ndërhyrjet për shtrenjtimin e karburanteve nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te efektet e krizës pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme. Fillimisht, kryeministri njoftoi se Këshilli i Ministrave ditën e hënë do t’i drejtohet Kuvendit për miratimin e një rezolute për të shpallur shtetin e Iranit dhe Gardën Iraniane si shtet sponsor të terrorizmit, “pasi kjo është e vërteta”, theksoi ai. Sipas Ramës, kriza po shfaqet kudo në botë dhe ndikohet edhe nga rritja e çmimeve të naftës. Ai theksoi se që në mbledhjen e parë të qeverisë kishte vendosur si objektiv krijimin e një faktori shtetëror në tregun e naftës, për të krijuar kapacitete që të lehtësojnë barrën për qytetarët, sikundër e lehtësuan edhe masat për konkurrencën në lëvizjet ajrore. “Nga ana tjetër, fakti është që kriza po shfaqet në të gjithë botën, po shfaqet edhe këtu si pasojë e rritjes së çmimeve. E kam shprehur qëkur kemi bërë mbledhjen e parë, që një nga objektivat tona është krijimi i një faktori shtetëror në tregun e naftës, një force publike për të krijuar një kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët sikundër e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar komplet qasjen për fluturimet ajrore. Shqipëria kishte aeroportin më të shtrenjtë në Europë, sot ka aeroportin më të gjallëruar të Ballkanit. Sot nuk është më Beogradi kryeqyteti i aviacionit se është Tirana dhe kjo është arritje e kësaj qeverie, me gjithë keqardhjen për të gjithë ata që na duan të vdekur, por sa më shumë të vdekur na duan, aq më shumë gjallërohemi. Ne do ta krijojmë faktorin publik, forcën e shtetit do ta fusim edhe në tregun e naftës dhe shumë shpejt do të japim. Duke vënë në dispozicion kapacitetin dhe garancinë e shtetit do të bëhet shumë më e lehtë për të pasur marrëveshje me kompanitë që shpërndajnë naftën që të kenë qëndrueshmëri afatgjatë”, u shpreh kryeministri. Sa i përket rezervave të naftës, për këtë çështje kam folur që para vitit 2020, kur shumë diskutime ishin përpjekje të kota. Projektligji për konsultim publik përcakton se rezervat duhet të mbulojnë deri në tre muaj. Por kjo nuk mjafton si masë sigurie, dhe qeveria do të shkojë përtej kësaj, duke krijuar një treg nafte më të qasshëm për qytetarët, një treg që ata meritojnë.