Shtrenjtimi i kostos së jetesës, konsumatorët po rendin drejt çmimeve të lira
2026-03-28 - 21:11
Sezonaliteti dhe ndryshimet demografike vijojnë të ndikojnë te konsumi. Në muajin janar, importet e makaronave, orizit dhe vajit janë ulur. Supermarketet pohojnë se kërkesa për produktet e shportës ushqimore është e qëndrueshme, por konsumatorët po tregohen më të kujdesshëm, duke zgjedhur produkte me çmime më të përballueshme. Emigracioni po ndikon ndjeshëm edhe te kërkesa në bare dhe restorante. Pritet rigjallërim nga turizmi Dorina Azo Në këtë fillim viti, importet e mallrave të shportës ushqimore përfshirë, orizin, makaronat dhe vajin rezultojnë në rënie, në raport me vitin paraardhës. Megjithatë, sipas rrjeteve të supermarketeve, kërkesa e konsumatorëve nuk paraqitet e tkurrur, por ka një ndryshim në sjelljen e tyre, duke u orientuar kryesisht drejt produkteve me çmim më të lirë. Kompanitë importuese të produkteve ushqimore shpjeguan se gjithmonë pas periudhave me importe të larta, siç ishin festat e fundvitit, për të përballuar luhatjet e kërkesës, menaxhojnë stokun duke shfrytëzuar rezervat ekzistuese. Burimi: Doganat Në muajin janar 2026, sipas të dhënave të Doganave, u importua një sasi prej 1.5 milionë kilogramë makarona. Në raport me janar 2025, sasia e makaronave të importuara ra me 4%. Importet me bazë vjetore shfaqen me rritje. Në vitin 2025, importi i makaronave u rrit me 9%, në raport me vitin paraardhës. Burimi: Doganat E njëjta ecuri në muajin janar shfaqet edhe tek importet e orizit. Sipas të dhënave të Doganave, në janar 2026 u importua një sasi prej 1.2 mln kg oriz. Krahasuar me muajin janar 2025, importet u ulën me 8%. Për produktin ushqimor të orizit, importet kanë vijuar të ndjekin tendencën e 2025-s. Në total, në vitin paraardhës, importet u ulën me 10% krahasuar me 2024. Kompanitë importuese dhe paketuese të mallrave të shportës ushqimore raportojnë rënie të kërkesës për mallra konsumi në muajin janar, e ndikuar nga menaxhimi i rezervave që familjarët iu bëjnë ushqimeve të blera në sasi më të lartë gjatë periudhave të festave të fundvitit. Në muajin shkurt, sipas tyre, kërkesa për mallrat kryesore të shportës ushqimore mbeti e njëjtë me vitin paraardhës. “Konsumi bie gjithmonë në muajin janar, për shkak të furnizimeve me sasi më të lartë që familjarët kryejnë gjatë festave fundvitit. Veçanërisht në muajin dhjetor, familjet blejnë më shumë produkte ushqimore. Si rezultat i krijimit të rezervave, në janar, konsumi bie ndjeshëm. Pra janari është një muaj i veçantë dhe çdo vit shoqërohet me ulje të konsumit. Teksa për muajin shkurt, nga të dhënat e kompanisë, rezulton se kërkesa për produktet e shportës paraqitet e njëjtë me muajin shkurt 2025. Për të mbajtur të qëndrueshme kërkesën në periudha luhatje, theksojmë se kemi shtuar gamën e llojeve të artikujve të shportës, përfshirë edhe artikuj të njëjtë me çmime të ndryshme”, tha Eleni Babameto, nga kompania “Teuta”, importuese dhe paketuese e produkteve ushqimore. Supermarketet: Konsum i qëndrueshëm, por kërkohen më shumë mallra me çmime të lira Përfaqësues të supermarketeve raportojnë se, në muajt janar-shkurt kërkesa për produktet e shportës mbetet e njëjtë në raport me janar-shkurt 2025, por konsumatori vijon të jetë i orientuar kryesisht drejt produkteve me çmim të lirë. Klaudja Karabolli, Drejtoreshë Marketingu për rrjetin e supermarketeve “Big Market”, tha për “Monitor” se në muajt janar-shkurt 2026, është reflektuar një konsum relativisht i qëndrueshëm, me rritje të lehtë në volum për disa kategori bazë të produkteve ushqimore. “Nuk konstatohet tkurrje e kërkesës, por vihet re një konsum më i matur dhe më i planifikuar. Struktura e shportës ka pësuar ndryshim: konsumatori është më racional, analizon më shumë çmimet dhe orienton buxhetin drejt produkteve me raport optimal cilësi–çmim”. Për sa i përket ecurisë së kërkesës për produkte kryesore të shportës ushqimore, si për oriz, makarona, vaj, vezë, zonja Karabolli tha se vijon të jetë konstante. “Krahasuar me vitin e kaluar, vihet re orientim më i theksuar drejt produkteve më të përballueshme brenda kategorive përkatëse”, pohoi ajo. Sipas përfaqësueses së rrjetit të supermarketeve “Big Market”, është rritur interesi për ofertat promocionale, si pjesë e një kulture konsumi më të planifikuar dhe më të ndërgjegjshme. “Ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë tendencë përmenden ndikimi i inflacionit në fuqinë blerëse, sezonaliteti, mekanizmat promocionalë, si dhe ndryshimet në stilin e jetesës. Konsumatori i sotëm është më i kujdesshëm, më racional dhe më i orientuar drejt optimizimit të shpenzimeve”, nënvizon zonja Karabolli. Sipas saj, në muajt në vijim, pritshmëritë për ecurinë e konsumit janë pozitive. “Sezoni veror pritet të ndikojë në rritjen e volumit të shitjeve, veçanërisht në zonat turistike. Në këtë kuadër, kompania po punon për optimizimin e stokut dhe të zinxhirit logjistik, për të përballuar me efikasitet rritjen sezonale të kërkesës. Ndryshimet demografike po luajnë gjithashtu rol të rëndësishëm në formësimin e strategjive të zgjerimit. Urbanizimi dhe transformimi i strukturës familjare po ndikojnë drejtpërdrejt në kërkesë, ndërsa vendimmarrja për hapjen e pikave të reja mbështetet në analiza të densitetit të popullsisë dhe të potencialit ekonomik të zonave përkatëse”, thekson ndër të tjera zonja Karabolli. Burimi: INSTAT Vajrat, çmimet janë stabilizuar, por importet bien Edhe te grupi “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale” ka pasur rënie të importeve. Sipas INSTAT, për muajin janar 2026, importet e grupit ranë me 9% krahasuar me muajin janar 2025. Rënie të importeve për grupin “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale” pati edhe gjatë 2025. Importet e grupit sipas të dhënave të INSTAT ranë me 4% krahasuar me vitin paraardhës. Importuesit dhe ambalazhuesit e vajit të lulediellit pohojnë se rënia e popullsisë dhe emigracioni po ndikojnë te kërkesa. Në 2024, ardhja e turistëve në muajt e verës ndryshoi tërësisht konsumin për vajin e lulediellit. Deri në fillim të muajit qershor 2023, importuesit pohonin se shitjet ishin rreth 40% më të ulëta se viti paraardhës, për shkak të emigrimit të lartë dhe mbiprodhimit të vajit të ullirit. Faktor tjetër që ka ndikuar te përmirësimi i kërkesës për këtë produkt është edhe ulja e çmimit, ku tashmë prej dy vitesh në treg çmimet me shumicë janë stabilizuar. Vaji i lulediellit po tregtohet me shumicë me çmim nën 200 lekë për litër (150 deri në 180 lekë për litër). Rënia e çmimit të vajit të lulediellit nisi në qershor 2022, periudhë në të cilën filloi të importohet vaji nga depozitat e Ukrainës drejt vendeve kufitare, pasi transporti detar ishte i bllokuar nga lufta. Në muajin korrik 2022, çmimi i vajit u ul me 24% krahasuar me çmimin e shitjes pas luftës. Pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë dhe vështirësive të krijuara në importin e vajit të lulediellit, çmimet në tregun shqiptar u rritën me rreth 33%. Në muajin mars 2022, çmimi i vajit të lulediellit u tregtua 330 lekë për litër nga 249 lekë për litër në shkurt (32,5% rritje). Pas kësaj periudhe, çmimi u rrit edhe me rreth 9% dhe arriti 370 lekë për litër, ndërsa në mesin e muajit prill, çmimi i vajit me pakicë arriti pikun 400 lekë për litër. Gruri me rënie të fortë importesh në janar, pasi furnizimet janë orientuara nga Kaukazi Importet e grurit për vitin 2025, sipas të dhënave të Doganave, arritën në sasinë e 205,7 mijë tonë. Krahasuar me 2024, importet u rritën me 1%. Në muajin janar 2026 u importuan 6,708 tonë grurë, duke shënuar sasinë më të ulët të importeve që prej 2018-s. Krahasuar me muajin janar 2025, importet ranë me 37%. Përfaqësuesit e kompanive të blojës, anëtarë të Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, të kontaktuar nga “Monitor”, shpjeguan se rënia është kryesisht rezultat i përdorimit të rrugëve të reja të furnizimit. “Aktualisht, kompanitë e blojës po furnizohen kryesisht nga Kaukazi, ku gruri ka cilësi më të mirë dhe çmim më të leverdishëm sesa në Serbi. Megjithatë, për shkak të motit të ftohtë dhe ngricave të shumta gjatë muajve janar-shkurt, furnizimi ka qenë i kufizuar, megjithëse kompanitë kishin krijuar rezerva në dhjetor. Furnizimet nga Serbia vazhduan, por në sasi të vogla”, sqaroi një nga administratorët e kompanive të blojës në vend. Megjithatë, kërkesa për miell raportohet rreth 20% më e ulët krahasuar me një vit më parë, për shkak të emigracionit dhe ndryshimeve demografike. Burimi: Doganat Vijon rritja e fortë e importeve të misrit për blegtorinë; Çmimi i importit deri në 60% më i lirë Tregu i misrit vijon të ndjekë tendencën e fortë të rritjes së importeve, si pasojë e çmimeve më të favorshme në tregjet ndërkombëtare dhe kostove të larta të prodhimit vendas. Te grupi i drithërave, importet e misrit hynë në vitin e dytë të rritjes së përshpejtuar. Në 2025, sipas të dhënave të Doganave, u importua një sasi prej rreth 120,6 mijë tonë misër. Krahasuar me vitin paraardhës, sasia e misrit të importuar u rrit me 30%. Shtimi i importeve ka vijuar edhe gjatë 2026. Në muajin janar u importuan një sasi prej 12,8 mijë tonë. Në raport me janar 2025, importet u rritën me 65%. Misri është një nga produktet bazë për ushqimin e bagëtive në vend dhe çmimi i tij ndikon drejtpërdrejt në koston e prodhimit të mishit, qumështit dhe nënprodukteve të tyre. Drejtues të Shoqatës së Blegtorëve pohuan më herët se fermat e mesme dhe të mëdha po orientohen gjithnjë e më shumë drejt misrit të importuar, për shkak të diferencës së çmimit dhe kostove më të ulëta të transportit në raport me prodhimin vendas. Ardit Bali, fermer në Lushnjë dhe njëkohësisht drejtues i një farmacie bujqësore, pohon se gjatë muajve të dimrit, çmimi i misrit të shitur në vend vijon të mbetet më i lartë se ai i importit. Sipas tij, krahasuar me vendet e rajonit, çmimi i misrit për përdorim në blegtori në tregun vendas është rreth 60% më i shtrenjtë. “Aktualisht, çmimi i shitjes së misrit nga Saranda arrin në 320 euro për ton (rreth 32 lekë/kg). Ndërkohë, për furnizimet nga Greqia, çmimi është rreth 240 euro për ton (24 lekë/kg), ndërsa nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut varion nga 200 deri në 205 euro për ton (rreth 20 lekë/kg)”, thotë Bali. Burimi: Doganat Burimi: Doganat Bien importet e qumështit Importet e qumështit në 2025-n sipas të dhënave të Doganave ranë 20% krahasuar me vitin paraardhës. Rënie e importeve u shënua edhe në muajin janar. Sipas të dhënave për muajin janar 2026 u importua një sasi 1.2 milionë litra. Krahasuar me janar 2025, importet u ulën me 26%. Qumështi i importuar po përdoret kryesisht si lëndë e parë nga përpunuesit e produkteve të bulmetit, për shkak të çmimit më të lirë në furnizime nga Italia apo Hungaria. Kompanitë e përpunimit të qumështit paralajmërojnë rritje të sasisë së importit për muajt mars dhe prill, me qëllim krijimin e rezervave për shitjet e stinës së verës. Sipas tyre, përveç çmimit, shkak për importet po bëhet edhe shtimi i rasteve me gjetje të lëndës aflaktosinë (substanca toksike dhe kancerogjene, ndaj nivelet e tyre në qumësht monitorohen rreptësisht nga institucionet e sigurisë). Problem në vend, si për prodhuesit dhe industrinë përpunuese vijon të mbetet kostoja e lartë e prodhimit të qumështit. Aktualisht çmimi i qumështit të lopës për grumbullim nga fermat e vogla dhe të mesme ka arritur 50 lekë për litër. Për kryetarin e Shoqatës së Blegtorëve, Gentian Lalaj, grumbullimi i qumështit me këtë çmim nuk i nxit fermerët të shtojnë prodhimin, madje shumë prej tyre po therin lopët. “Prej 2-3 muajsh janë të shumtë fermerët në zonën e Samaticës në Berat që po therin lopët, pasi me këtë kosto të lartë dhe çmim të ulët të grumbullimit për qumështin e lopës nuk është e leverdishme mbajtja e lopëve. Në ndihmë të blegtorëve do të vinte vetëm nëse qeveria vendos të zbatojë një çmim të stabilizuar për grumbullimin deri në tre vite, deri në përmirësimin e gjendjes së blegtorëve ose të zbatohen subvencione direkte për qumështin e prodhuar. Në të kundërt do të rriten rastet e therjes së kafshëve”, thekson zoti Lalaj. Kompanitë pohojnë se ecuria e konsumit për produkte të bulmetit për muajt janar-shkurt është e njëjtë krahasuar me vjet, për shkak të sezonalitetit të përdorimit të këtyre produkteve. Përpunuesit parashikojnë rritje të konsumit për muajt e verës, e ndikuar edhe nga kërkesa e shtuar për shkak të turizmit. Burimi: Doganat Burimi: Doganat Për janarin bie prodhimi dhe importi i birrës Në muajin janar është shënuar rënie si për prodhimin edhe për importin e birrës. Sipas të dhënave, në muajin janar 2026, prodhimi i birrës ra me 29%. Në vitin 2025, prodhimi ra me 6% në raport me vitin paraardhës. Rënia e kërkesës për birrë, sipas Ardian Kostaqit, administrator i Birra Korça, lidhet me disa faktorë të kombinuar ekonomikë dhe sezonalë. “Së pari, përtej rënieve ciklike të muajve janar–shkurt, këtë vit vihet re tkurrje më e theksuar e konsumit për shkak të motit me reshje, që tradicionalisht ndikon negativisht në shitjet e birrës. Po ashtu, nisja e muajit të Ramazanit sjell ulje të ndjeshme të konsumit të pijeve alkoolike në nivel kombëtar. Një tjetër element shqetësues është dobësimi në tërësi i fuqisë blerëse dhe, sipas të dhënave paraprake nga supermarketet (e dhënë që ka nevojë për më tepër verifikim), raportohet një rënie deri në 46% e blerjeve nga konsumatorët. Ndër faktorët afatgjatë përmenden edhe emigrimi, si dhe ndryshimi i preferencave të brezit të ri, i cili po orienton konsumin drejt alternativave të tjera dhe po redukton konsumin tradicional të birrës. Për kompaninë, problem shtesë mbetet edhe infrastruktura, konkretisht dalja jashtë funksionit e akseve rrugore që lidhin pjesën tjetër të vendit me Juglindjen, duke ndikuar në shpërndarje dhe furnizim”. Për importet në janar 2026 u shënua rënie 34% krahasuar me janar 2025. Për 2025, prodhimi ra me 5% në raport me vitin paraardhës. Burimi: Doganat Burimi: Doganat Burimi: Doganat Lexoni edhe: Të rinjtë nuk pinë më alkool, konsumi në bare dhe restorante nuk po arrin të rikuperohet Ndryshimi i stilit dhe ritmit të jetës, rritet kërkesa për ushqime të gatshme