Shtrembërimi i tregut, të gjithë drejt qirasë afatshkurtër, por rritet ajo afatgjatë në kryeqytet
2026-01-31 - 21:17
Vrulli i shumë individëve për të lënë shtëpitë e tyre me qira ditore, duke rritur stokun e njësive të disponueshme të listuara në Airbnb në 26 mijë në gjithë vendin, ka bërë që në treg të ketë më pak apartamente e shtëpi, që jepen me afat të gjatë. Kjo ka çuar në shtrenjtimin e pagesave mujore, sidomos në kryeqytet. Rritja ka qenë aq e fortë sa në dhjetor ndikoi në gati gjysmën e inflacionit (0.96 pikë përqindje nga 2.2% që rezultoi Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin e fundit të vitit). INSTAT raportoi se krahasuar me muajin dhjetor 2024, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,8%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 3,6%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,6%. Të tre këta tregues lidhen direkt ose indirekt me kërkesën e turistëve për shërbime, duke ndikuar në shtrenjtimin e tyre për vendasit. Sipas të dhënave nga AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, të bëra të disponueshme për “Monitor”, vetëm në Tiranë kishte mesatarisht të listuara rreth 5200 njësi në vitin 2025, nga rreth një mijë që ishte kjo shifër në vitin 2021, kur është e dhëna e parë e disponueshme, me pesëfishim. “Për qiratë afatgjata ka stok të ulët, ndërsa për ato afatshkurtër është i lartë”, thotë Stela Dhami, nga “Colliers International”. Ajo shton se shumë persona i janë futur biznesit të dhënies së shtëpive me qira me ditë, të nxitur nga fluksi i turistëve, pa u hyrë shumë thellë llogarive, sidomos ata që e kanë për herë të parë. Burimi: AirDNA “Qiramarrësi afatgjatë është më i vështirë për t’u gjetur, dhe ka kosto sa herë ndryshon ai. Pronarët e apartamenteve mendojnë se për momentin të ardhurat ditore janë më të thjeshta dhe më të shpejta”, thotë znj. Dhami. Ajo shton se ka pasur raste klientësh që i kanë hequr nga tregu hapësira komerciale, kanë bërë arredim bazë dhe i kanë konvertuar në njësi që jepen me ditë përmes platformës Airbnb. “Ai zgjodhi këtë alternativë, ndërkohë që qiranë e zyrave e mbante edhe më lart, por e kishte bosh, pasi e vinte më shpejt në punë përmes qirasë ditore, ndonëse me një amortizim më të madh të pronës”. Znj. Dhami thotë se qiratë afatgjata janë shtrenjtuar me 20 – 30% brenda një viti në kryeqytet. Kërkesa, krahas vendasve, si familjet e reja apo studentët, është shtuar nga të ashtuquajturit ‘expat’ (profesionistë që kanë ardhur në Shqipëri për arsye pune, biznesi), nomadët digjitalë (profesionistë që punojnë online dhe jetojnë “pa adresë fikse”, duke ndjekur punën përmes internetit). Sidomos expat-ët kërkojnë zakonisht apartamente të mobiluara mirë, qira afatmesme ose afatgjata dhe zona qendrore ose rezidenciale. Një tjetër kategori që po “eksperimenton” qëndrime relativisht të gjata në vend janë dhe pensionistët. Znj. Dhami thotë se krahas italianëve, tregu po testohet dhe nga pensionistët amerikanë, të cilët mund të rrinë deri në një vit pa leje qëndrimi. Qiraja më e lirë që mund të gjesh sot në kryeqytet është 250 – 300 euro në zonat periferike, ndërsa afër dhe në qendër, çmimet variojnë nga 500 – 1000 euro në muaj. Për vilat, kostot arrijnë në 300 – 5000 euro në muaj. Aksioni i fundit i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të tjera më herët kanë zbuluar se qiramarrësit e kullave moderne shpesh kryenin aktivitete të jashtëligjshme, si ai i një kompanie call center që kryente mashtrime me klientët jashtë vendit, kryesisht në Itali. “Këto janë ato kategori klientësh që paguajnë qira afatgjatë prej 30 – 40 euro për metër katror”, thotë znj. Dhami. Afatshkurtër apo afatgjatë, çfarë është më me leverdi Rritja e qirave afatgjatë nga ulja e ofertës dhe rënia e atyre ditore nga shtimi i stokut po bën që kthimi të barazohet, madje të jetë më i lartë dhe i garantuar për lëshimin e shtëpisë me frekuencë mujore ose më gjatë. Armela zotëronte tre apartamente jashtë zonës së Unazës, të cilat pas pandemisë vendosi t’i orientojë drejt qiradhënies ditore, e nxitur nga rritja e fluksit të turistëve. Në vitin 2022, sipas saj, çmimi arrinte deri në 50-60 euro/nata. Apartamentet ishin të zëna për më shumë se gjysmën e kohës, duke gjeneruar të ardhura mujore nga 900 deri në 1200 euro. “Ishte një vit shumë i mirë dhe kërkesa ishte e vazhdueshme”, tregon ajo. Situata ndryshoi në vitin 2023, kur ky model filloi të përhapej gjerësisht. Numri i apartamenteve për qira ditore brenda Unazës së Madhe dhe në zonat qendrore u shtua ndjeshëm, ndërsa çmimet për një apartament me dy dhoma ranë në rreth 40 euro për natë. Ky presion vijoi edhe gjatë 2024-s e sidomos 2025-s, duke sjellë ulje të mëtejshme të tarifave në zonën ku ndodheshin pronat e saj, deri në 30 euro/nata, si pasojë e konkurrencës së fortë. Përveç faktit që apartamentet nuk arrinin të ishin të zëna çdo natë, edhe shpenzimet fikse ndikuan në rënien e ndjeshme të të ardhurave neto. “Kostot e energjisë ishin të larta, sepse qiramarrësit mbanin kondicionerët ndezur gjatë gjithë kohës; pajisjet amortizoheshin shpejt dhe nevojitej zëvendësim i shpeshtë i çarçafëve dhe peshqirëve”, shprehet ajo. Aktualisht, Armela thotë ka hequr dorë nga qiraja ditore dhe i ka kaluar apartamentet në qira afatgjatë, me çmime që variojnë nga 550 – 700 euro në muaj. Të dhënat nga AirDNA tregojnë se e ardhura neto mesatare nga qiraja përmes Airbnb në kryeqytet në vitin 2024 ishte 25.4 euro/ditë, ose 762 euro në muaj, ndërsa në 2025-n zbriti në 24.9 ero/ditë, ose 748 euro. Të konvertuara në lekë, me kurset mesatare të viteve përkatëse, kthimi nga qiraja në vitin 2024 ishte 76.7 mijë lekë dhe në vitin 2025 zbriti në 73 mijë lekë, me rënie prej rreth 5%. Ky është fitimi bruto, pasi duhen zbritur kostot e ujit, energjisë, amortizimit të pajisjeve, që e ulin kthimin dhe me të paktën 20%. Burimi: AirDNA Lexoni edhe: Rritja e turizmit, familjet shqiptare fituan një rekord prej 134 mln eurosh nga Airbnb në vitin 2025 Qytetet ku fitohet më shumë nga qiradhënia ditore, nuk është Tirana... A ia vlen të blesh një apartament për ta dhënë me qira Jo vetëm apartamentet, edhe qiratë po bëhen të papërballueshme për vendasit e familjet e reja