TheAlbaniaTime

Shqiptarët e përdorin e-qeverisjen më shumë sesa mesatarja e Bashkimit Europian

2026-03-13 - 05:05

Teksa shumë shërbime sot, si marrja e një certifikate, vërtetimi sigurimesh, pronësie etj, mund të kryhen vetëm online, individët shqiptarë rezultojnë që i përdorin shërbimet online të qeverisjes më shumë sesa mesatarja e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të Eurostat, që për Shqipërinë janë të disponueshme për vitin 2024 (për vendet e BE-së kanë dalë të dhënat e 2025-s), 78% e qytetarëve shqiptarë ndërvepruan me autoritetet publike në mënyrë online gjatë 12 muajve të mëparshëm, në krahasim me 72% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian. Shqipëria është e para në rajon për ndërveprimin me autoritetet publike online dhe e 13-a në Europë. E dyta pas nesh është Serbia (64.2%), Kosova (59.3%), Mali i Zi (52.4). Të fundit janë Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, me përkatësisht 38% dhe 32%. Eurostat e detajon përdorimin edhe sipas grupmoshave. Në Shqipëri, dominojnë të rinjtë, me 97.5% të grupmoshës 16-29 vjeç, që ndërvepruan me autoritetet publike në mënyrë online gjatë 12 muajve të mëparshëm, e katërta më e lartë në Europë, pas Finlandës, Danimarkës e Norvegjisë. I lartë është përdorimi dhe për grupmoshat 55-64 vjeç (66%). Shërbimet e noterisë përfitojnë nga fakti që të moshuarit nuk arrijnë të ndërveprojnë me e-qeverisjen (vetëm 30% sipas Eurostat për grupmoshën 65-74 vjeç), duke ofruar shpesh shërbime me pagesë për këtë kategori. Europa Sipas Eurostat, në vitin 2025, 72% e qytetarëve të BE-së ndërvepruan me autoritetet publike në mënyrë online gjatë 12 muajve të mëparshëm. Përdorimi më i lartë u regjistrua në Danimarkë (98%), Holandë, Finlandë dhe Suedi (të gjitha 96%). Përdorimi i identitetit elektronik (eID) ndryshon ndjeshëm brenda BE-së. Mesatarisht, 52% e qytetarëve e përdorin atë për të aksesuar shërbime publike. Në disa vende nordike dhe të Europës Veriore përdorimi është shumë i lartë – mbi 90% në Danimarkë, Finlandë, Holandë, Suedi dhe Estoni – ndërsa në vende të tjera mbetet shumë i ulët, 15% ose më pak në Gjermani, Sllovaki, Bullgari dhe Rumani. Në vitin 2025, 61% e personave të moshës 35–44 vjeç në BE përdorën identitetin elektronik, ndërsa mes individëve 65–74 vjeç kjo përqindje ishte vetëm 36%.

Share this post: