TheAlbaniaTime

Shqipëria shtrëngon mbikëqyrjen e grupeve financiare, gati projektligji i ri

2026-03-26 - 13:51

Shqipëria synon të forcojë mbikëqyrjen e sektorit financiar përmes një projektligji të ri që vendos rregulla të detajuara për konglomeratet financiare, duke reflektuar praktikat e Bashkimit Evropian dhe duke rritur kërkesat për kapital, transparencë dhe menaxhim rreziku. Drafti “Për mbikëqyrjen shtesë të Institucioneve të Kreditit, Shoqërive të Sigurimeve dhe Shoqërive Komisionere, pjesë e Konglomerateve Financiare” i nxjerrë për konsultim nga Ministria e Financave parashikon një regjim “mbikëqyrjeje shtesë” për grupet që operojnë njëkohësisht në bankë, sigurime dhe shërbime investimi. Ky draft i përafruar me direktivën e BE-së synon të adresojë boshllëqet midis mbikëqyrjes sektoriale, duke vendosur një qasje të integruar për grupet që operojnë ndërsektorialisht, në linjë me modelet e Bashkimit Evropian. Sipas draftit, një grup klasifikohet si konglomerat financiar nëse mbi 40% e aktiveve të tij janë në sektorin financiar dhe nëse ka aktivitet të rëndësishëm në të paktën dy sektorë të ndryshëm, si bankar, sigurime ose investime. Një sektor konsiderohet i rëndësishëm nëse përbën mbi 10% të aktivitetit financiar të grupit. Një nga elementët kryesore që ka drafti është kërkesa për mjaftueshmëri kapitali në nivel grupi, duke detyruar institucionet të mbajnë fonde të mjaftueshme për të mbuluar rreziqet e kombinuara të të gjitha aktiviteteve të tyre. Subjektet do të duhet gjithashtu të raportojnë rregullisht për përqendrimet e rrezikut dhe për transaksionet brenda grupit, veçanërisht ato që tejkalojnë 5% të kërkesave për kapital, me qëllim kufizimin e transferimit të rrezikut brenda strukturave komplekse. Projektligji përcakton edhe rolin e një koordinatori mbikëqyrës për çdo konglomerat financiar, i cili do të drejtojë bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve. Në shumicën e rasteve, ky rol pritet të ushtrohet nga Banka e Shqipërisë, veçanërisht kur sektori bankar është dominues në grup. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë do të zhvillojnë udhëzime të përbashkëta për të harmonizuar praktikat mbikëqyrëse dhe për të shmangur mbivendosjen rregullatore. Në të njëjtën kohë, drafti vendos kërkesa të forta për qeverisjen e brendshme dhe menaxhimin e rrezikut, duke kërkuar sisteme të integruara monitorimi, politika të qarta për kapitalin dhe plane rimëkëmbjeje në rast krizash. Subjektet do të duhet të sigurojnë transparencë më të madhe mbi strukturën e tyre organizative dhe lidhjet brenda grupit. Projektligji parashikon gjithashtu përdorimin e testeve të stresit për të vlerësuar qëndrueshmërinë e konglomerateve ndaj goditjeve ekonomike dhe rreziqeve ndërsektoriale. Autoritetet shqiptare do të bashkëpunojnë me homologët ndërkombëtarë për mbikëqyrje më të koordinuar, duke u afruar me praktikat europiane në këtë fushë.

Share this post: