TheAlbaniaTime

Shpenzimet e sektorit bankar për interesa u rritën për të tretin vit radhazi

2026-02-20 - 13:04

Shpenzimet e sektorit bankar për interesa u rritën për të tretin vit radhazi në 2025. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet për interesa arritën shumën e 9.1 miliardë lekëve, në rritje me 13.5% krahasuar me një vit më parë. Rritja e shpenzimeve për interesa është e lidhur kryesisht me shtimin e depozitave bankare vitin e kaluar. Statistikat treguan se vlera totale e depozitave të sektorit bankar u rrit me 9% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, normat mesatare të interesit të depozitave pësuan një rënie të lehtë në monedhën vendase, ndërsa shënuan një rritje të vogël në Euro. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit e depozitave në Lekë në nëntor 2025 ishte 1.27%, nga 1.39% që kishte qenë në fund të 2024. Ndërkohë, për depozitat me afat norma mesatare e interesit ishte 2.39%, nga 2.45% që ishte në fund të 2024. Për Euron, norma mesatare e interesit për totalin e depozitave u rrit lehtë në 0.81%, nga 0.75% në dhjetor 2024, ndërsa për depozitat me afat norma mesatare e interesit gjithashtu u rrit në 1.57%, nga 1.47% që kishte qenë në fund të 2024. Megjithatë, duhet thënë se banka të veçanta, sidomos gjatë sezonit veror, kanë ofruar norma interesi ndjeshëm më të larta se ato mesatare. Veçanërisht një grup bankash të përmasave të mesme, që po shfaqin ambicie për t’u rritur, po tregohen agresive në çmimin që ofrojnë për depozita dhe duket se kanë pasur sukses në zgjerimin e tyre në treg. Rritja e shpenzimeve për interesa ka ndikuar në një frenim të dukshëm të rritjes së të ardhurave neto nga interesat (të ardhurat nga interesat minus shpenzimet për interesa) për sektorin bankar. Për vitin 2025, të ardhurat neto nga interesat ishin 75.8 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 0.3% krahasuar me një vit më parë. Stanjacioni i të ardhurave neto nga interesat bëri që fitimi i sektorit bankar në 2025 të pësonte rënie, pas pesë vitesh radhazi në rritje. Fitimi i matur sipas standardeve lokale të mbikëqyrjes, së Bankës së Shqipërisë, për 2025 kishte vlerën e 35.6 miliardë lekëve, 4.7% më pak krahasuar me vitin 2024. Sektori bankar, ashtu si edhe sektorët e tjerë të ekonomisë, në vitet e fundit është përballur me rritje të shpenzimeve të personelit dhe të shpenzimeve operative të aktivitetit. Për vitin 2025 shpenzimet e bankave tregtare për personelin arritën në afërsisht 20.2 miliardë lekë, në rritje me 13.6% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa shpenzimet e tjera të veprimtarisë së sektorit bankar arritën në 38.2 miliardë lekë, në rritje me 14.7% krahasuar me një vit më parë./ E.Shehu Burimi: BSH

Share this post: