Shoqata e Bankave paralajmëron për rrezikun e telefonatave mashtruese nga interneti
2026-03-05 - 14:44
Shoqata Shqiptare e Bankave paralajmëroi sot klientët e sektorit, lidhur me disa raste të fundit të telefonatave mashtruese të realizuara nëpërmjet teknologjisë VOIP (telefonata përmes internetit). Sipas njoftimit të Shoqatës, në ditët e fundit janë raportuar raste telefonatash nga adresa me prapashtesa si “@gmail” apo platforma të tjera, ku përdoret emër banke. Gjatë telefonatës, në ekran mund të shfaqet emri ose logoja e bankës, duke krijuar përshtypjen se telefonata vjen nga banka, ndërkohë në fakt bëhet fjalë për një përpjekje mashtrimi. Këto lloj telefonatash realizohen nëpërmjet internetit dhe identiteti i vërtetë i telefonuesit nuk mund të verifikohet përmes këtyre adresave (p.sh. @gmail, @instagram apo platforma të tjera). Gjatë telefonatave, personat që telefonojnë mund të komunikojnë në gjuhë të ndryshme dhe të kërkojnë të dhëna të kartës bankare ose informacione të tjera personale me pretendimin për ndalimin e disa veprime të dyshuara të kryera me kartën tuaj. Shoqata Shqiptare e Bankave u kujton klientëve se bankat në Shqipëri nuk kërkojnë kurrë përmes telefonit të dhëna të kartës bankare, PIN-in, kodet e sigurisë apo informacione të tjera konfidenciale. Klientët këshillohen që, nëse marrin një telefonatë të dyshimtë, të mos ndajnë asnjë informacion personal dhe të ndërpresin menjëherë telefonatën. Çdo komunikim duhet të verifikohet duke kontaktuar bankën vetëm nëpërmjet numrave zyrtarë të publikuar prej saj. Duke kërkuar raportimin e menjëhershëm të çdo rasti të dyshimtë pranë bankës përkatëse, Shoqata Shqiptare e Bankave dhe bankat anëtare shprehen të përkushtuara për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbrojtjen e klientëve nga përpjekjet për mashtrim financiar.