TheAlbaniaTime

Shiu dhe nafta “shpëtojnë” eksportet në shkurt, fasoni vijon me rënie, “përmbyten” ushqimet

2026-03-17 - 10:52

Eksportet i janë rikthyer tendencës rritëse në shkurt, pas shumë muajsh radhazi me rënie, të ndikuara nga konjuktura e favorshme e çmimit të naftës si dhe eksportet e energjisë si rrjedhojë e reshjeve. Ecuri pozitive po shfaq dhe industria mbështetëse automotive. Ndërkohë, grupi më i madh dhe punëdhënësi kryesor, ai i tekstileve dhe këpucëve ka vijuar tendencën rënëse. Ecuri negative kishin dhe pije ushqime dhe duhan, të ndikuara nga përmbytjet, që dëmtuan prodhimin në sera. Sipas INSTAT, Në Shkurt 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 30,9 mld lekë, duke u rritur me 2,8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 15,8%, në krahasim me Janar 2026. Gjatë muajit Shkurt 2026, në rritjen e eksporteve prej 2,8%, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +6,3 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,7 pikë përqindje. Negativisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me -2,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,9 pikë përqindje, etj. Për dy mujorin, tendenca vijon të mbetet negative, si rrjedhojë e rënies së shitjeve jashtë vendit në janar. Sipas INSTAT, për periudhën janar-shkurt 2026, eksportet ishin 57.7 miliardë lekë, me një tkurrje prej 0.7% me bazë vjetore. Edhe për dy mujorin, ndikimin kryesor pozitiv e dhanë mineralet lëndë djegëse e energji dhe makineri e pjesë këmbimi, ndërsa efekti më negativ ishte nga tekstile e këpucë dhe ushqimet. Fasoni nuk po ngre kokë Eksportet nga industria e veshjeve dhe këpucëve e nisën vitin me rënie si rrjedhojë e disa faktorëve që po ndikojnë negativisht njëherazi industrinë edhe ketë vit. Florian Zekja nga Shoqata ProEksport tha se kërkesa për mallra kryesisht veshje pune ka nisur dobët këtë vit, të ndikuara nga tarifat e SHBA dhe tkurrja e industrisë në Gjermani. Gjithashtu zhvendosja e investitorëve italiane drejt vendeve me kosto të ulët po krijon një efektet psikologjik të klientët që po ikin nga vendi ynë në kërkim të kostove me të lira. Edhe shkurt ka vijuar po me këtë tendencë. Për dy mujorin shitjet e tekstileve e këpucëve zbritën në 16.7 miliardë lekë, me një rënie prej gati 5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në janar hyri në fuqi dhe paga e rritur minimale prej 50 mijë lekësh, nga 40 mijë lekë që ishte më parë, me fasonin, që është sektori që ndikohet më shumë nga kjo lëvizje, për shkak se rritet kosto e punës. Eksportet e tekstileve e këpucëve vijojnë të jenë grupi më i madh eksportues në vend me 29% të totalit. Minerale, lëndë djegëse, energji, me rritje të fortë Grupi “Minerale. Lëndë djegëse, energji” ka eksportuar 8 miliardë lekë në shkurt 2026, me një rritje të fortë prej 31% me bazë vjetore. Përmirësmi është ndikuar si nga energjia, për shkak të eksporteve që u favorizuan nga moti me reshje, ashtu dhe nga nafta. Sipas “Bankers Petroleum”, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës, eksportet kanë qenë pozitive në shkurt, si rrjedhojë edhe e çmimit më të favorshëm. Për 2 mujorin, ky grup eksportoi 13.5 miliardë lekë, me një rritje prej 8.7%. Ky grup është i dyti më i madh në vend, me 23.4% të totalit. Ushqime pije e duhan ndikohen dukshëm nga përmbytjet “Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit dhe një nga dy sektorët që ka shënuar rritje në 2025-n, e ka nisur negativisht 2026-n. Pas tkurrjes me 2% në janar, shitjet e ushqimeve jashtë vendit ranë me 14.4% në shkurt. Ecuria negative e këtij grupi është ndikuar kryesish nga përmbytjet e muajit janar, që ndikuan në prodhimin e serrave. Për dy mujorin, ky grup ka eksportuar 7.4 miliardë lekë, me një tkurrje prej 8.6%. Materiale ndërtimi e metale me rënie më të lehtë “Materialet e ndërtimit dhe metalet” e mbyllën vitin me një rënie prej 25.4%, më e thella nga të gjitha grupmallrat. Kjo tkurrje u ndikua nga mbyllja e aktivitetit të Kurum, prodhuesit të çelikut dhe një prej eksportuesve më të mëdhenj në vend, i cili nuk pritet të rifillojë aktivitetin për përpunimin e metaleve edhe për dy vjet deri sa të përfundojë investimi 150 milionë euro për prodhim çeliku të gjelbër në Zonën Industriale të Metalurgjikut në Elbasan, në bashkëpunim me Danieli Officine Meccaniche S.p.A. Këtë vit, ritmet e rënies janë ngadalësuar. Për dy mujorin, eksportet ishin 7.8 miliardë lekë, me tkurrje prej 3.5% me bazë vjetore. Megjithatë, burime nga Kurum thanë se kompania nuk ka rifilluar ende eksportet. Industria mbështetëse automotive, me ecurinë më pozitive këtë vit “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” është grupi me ecurinë më pozitive në dy muajt e parë të vitit. Për periudhën janar-shkurt shitjet e tij arritën në 7 miliardë lekë, me një rritje prej gati 9.5%. Ky grup, ku peshën kryesore e mban industria automotive është rimëkëmbur që në fund të vitit të kaluar kur kompanitë raportuan se porositë erdhën në rritje. Një pjesë e kompanive prodhojnë pjesë të thjeshta për makineri pune dhe mjete të mëdha transporti një segment që ka qenë në ecuri të qëndrueshme. Ndërkohë vendimi i KE për të lënë mjetet me djegie të brendshme përtej 2035 ne formë hibride, ndryshoi panoramën edhe për këtë vit ku porositë pritet të jenë në rritje. Presionet kryesore që kjo industri e vendosur në vendin tonë po kalon lidhen me fuqinë punëtore, zhvlerësimin e vazhdueshëm të euros pasi kontratat e tyre janë fikse disavjeçare dhe së treti rritja e beftë e pagës minimale në 50 mijë lekë. Ulet deficiti në shkurt Sipas INSTAT, në Shkurt 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 30,9 mld lekë, duke u rritur me 2,8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 15,8 %, në krahasim me Janar 2026. Importet e mallrave arritën vlerën 68,0 mld lekë, duke u rritur me 0,8 % në krahasim me një vit më parë dhe me 17,6 %, në krahasim me Janar 2026. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 37,1 mld lekë, duke u ulur me 0,8 %, krahasuar me një vit më parë dhe duke u rritur me 19,2 %, në krahasim me Janar 2026. Eksportet rriten me Kosovën dhe Gjermaninë Në muajin Shkurt 2026, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shkurt 2025 janë: Kosova (37,1 %), Gjermania (34,7 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rënien më të madhe, janë: Italia (5,1 %), Spanja (42,3 %), etj. Në muajin Shkurt 2026, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Shkurt 2025 janë: Kina (53,9 %), Kosova (36,5 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rënien më të madhe, janë: Italia (5,5 %), Turqia (20,7 %), etj. Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 56,3 %, të gjithë tregtisë. Në Shkurt 2026, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 70,3 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 49,9 % të importeve gjithsej. Burimi: INSTAT Burimi: INSTAT Burimi: INSTAT Burimi: INSTAT

Share this post: