Shitjet globale të chip-ave pritet të arrijnë 1 trilion dollarë këtë vit
2026-02-06 - 15:16
Shitjet globale të gjysmëpërçuesve pritet të arrijnë në 1 trilion dollarë këtë vit, tha të premten Shoqata e Industrisë së Gjysmëpërçuesve (Semiconductor Industry Association). Shoqata, e cila përfaqëson pjesën më të madhe të kompanive amerikane prodhuese të chip-ave, deklaroi se shitjet e gjysmëpërçuesve arritën 791.7 miliardë dollarë në vitin 2025, me rritje 25.6% krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje e shpejtë pritet të vazhdojë edhe këtë vit, ndërkohë që kompanitë e mëdha të teknologjisë në të gjithë botën po shpenzojnë qindra miliarda dollarë për të ndërtuar qendra të dhënash për Inteligjencën Artificiale. Segmenti i gjysmëpërçuesve që regjistroi rritjen më të madhe është ai i chip-ave të avancuar për kompjuterë të prodhuar nga Nvidia, Advanced Micro Devices dhe Intel. Shitjet e këtyre pajisjeve u rritën me 39.9%, duke arritur një total prej 301.9 miliardë dollarësh në vitin 2025. Kategoria e dytë më e rëndësishme është ajo e chip-ave të memories, çmimet e të cilëve po rriten për shkak të mungesës së shkaktuar nga Inteligjenca Artificiale. Shitjet e chip-ave të memories u rritën me 34.8%, duke arritur 223.1 miliardë dollarë. Por bumi i Inteligjencës Artificiale është zgjeruar në thuajse të gjithë sektorët e industrisë së gjysmëpërçuesve. John Neuffer, president dhe drejtues ekzekutiv i grupit industrial me seli në Uashington DC, tha se drejtuesit në një sërë firmash më të vogla shprehën optimizëm për vitin 2026 kur ai vizitoi së fundmi Silicon Valley. “Refreni që dëgjova ishte: Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me zhvillimin e IA brenda një viti, por porositë e mia janë tërësisht të përmbushura”, – tha Neuffer për Reuters. “Të paktën për vitin e ardhshëm, jemi në një trajektore mjaft të fortë”. / Reuters