Shitjet e makinave në Europë bien në janar
2026-02-24 - 15:04
Makinat me benzinë pësojnë rënie të fortë Shitjet e makinave të reja në Europë ranë në janar krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025, për herë të parë që nga qershori, për shkak të rënies së regjistruar në tregjet kryesore, duke përfshirë Gjermaninë, Francën, Belgjikën dhe Poloninë, sipas të dhënave të publikuara të martën nga Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automobilave, ACEA. Tkurrja ishte më e fortë në Norvegji, ku regjistrimet e makinave të reja, tregues i shitjeve, ranë me rreth 76% krahasuar me të njëjtin muaj të 2025-s. Përse është e rëndësishme Industria automobilistike europiane po kalon një fazë të thellë transformimi, ku prodhuesit tradicionalë po përpiqen të konkurrojnë me modele kineze më ekonomike dhe tranzicionin drejt dekarbonizimit. Ata po përballen me një mjedis tregtar edhe më të pasigurt, pasi të premten Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara shpalli të paligjshme pjesën më të madhe të tarifave amerikane. Shifrat Sipas të dhënave të ACEA, shitjet në Bashkimin Europian, në Britaninë e Madhe, Zvicër, Norvegji dhe Islandë ranë me 3.5% në janar, në 961,382 makina. Regjistrimet e makinave me benzinë ranë me rreth 26% krahasuar me janarin e një viti më parë, me tkurrje drastike në Francë (-49%) dhe Gjermani (-30%). Në anën tjetër, makinat elektrike me bateri, hibride plug-in dhe hibride elektrike u rritën përkatësisht me 14%, 32% dhe 6% dhe përfaqësojnë në total 69% të regjistrimeve të reja, në rritje nga 59% në janar 2025. Regjistrimet e Volkswagen, BMW, Renault dhe Toyota ranë përkatësisht me 3.8%, 5.7%, 15% dhe 13.4%, ndërsa ato të BYD u rritën me 165%. Stellantis dhe Mercedes regjistruan rritje përkatësisht me 6.7% dhe 2.8%. Prodhuesi amerikan i makinave Tesla vijoi tendencën në rënie, me tkurrje prej 17% me bazë vjetore. Sipas të dhënave të ACEA-s, ky është muaji i trembëdhjetë radhazi në të cilin shitjet janë tkurrur. / Reuters