Selami Xhepa, Holta Zaçaj dhe Matilda Shehu, drejt votimit për në Këshillin Mbikëqyrës të BSH
2026-02-16 - 11:56
Mazhoranca në Kuvend ka zgjedhur Selami Xhepën, Holta Zaçajn dhe Matilda Shehun si tre kandidatët që do të propozohen për t’u zgjedhur në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Selami Xhepa aktualisht është president dhe pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, ndërsa të shkuarën ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, këshilltar i kryeministrit për çështjet ekonomike, ekonomist i lartë në Bankën e Shqipërisë, etj. Në prezantimin e vizionit të tij para Komisionit Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, kandidati Selami Xhepa, theksoi domosdoshmërinë e përshtatjes së rolit të Bankës Qendrore me zhvillimet e reja të lidhura sidomos me format e reja të parasë, që shtron sfida të reja për stabilitetin monetar dhe financiar. Kjo, sipas tij, shtron nevojën për një kuadër rregullator më dinamik. Gjithashtu, ai theksoi nevojën që Banka e Shqipërisë të eksplorojë më thellë dhe më mirë misionin e mbrojtjes konsumatore, për të balancuar asimetrinë e fuqisë dhe informacionit mes qytetarit të zakonshëm dhe institucioneve financiare. Holta Zaçaj në fund të vitit të kaluar mbylli mandatin si anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në të shkuarën ka qenë pedagoge, avokat dhe drejtuese e departamentit Ligjor në Alpha Bank Albania. Në prezantimin e vizionit të saj para Kuvendit, ajo theksoi nevojën për të forcuar rolin e Këshillit Mbikëqyrës si garant i zbatimit të misionit ligjor të Bankës së Shqipërisë, duke balancuar pavarësinë e institucionit me një proces të besueshëm dhe transparent të llogaridhënies. Sipas saj, nevojitet forcim i transparencës lidhur me produktet dhe shërbimet financiare, si parakusht për rritjen e besimit të publikut te sistemi në tërësi. Ajo nënvizoi gjithashtu rolin e Bankës së Shqipërisë për të siguruar funksionimin e ndershme në treg, nëpërmjet një qasjeje mbikëqyrëse të paanshme dhe proporcionale. Kandidatja Matilda Shehu është pedagoge në Departamentin e Financës së Fakultetit të Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës. Në prezantimin e saj, ajo vendosi theksin te mbrojtja e konsumatorit financiar. Ajo u shpreh në favor të krijimit të institucionit të ombudsmanit financiar. Gjithashtu, ajo vendosi theksin te nevoja e forcimit të zbatimit të ESG (mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes) në veprimtarinë e sistemit bankar në vend. Në muajin dhjetor përfunduan mandatet shtatëvjeçare të gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, të zgjedhur në fund të vitit 2018, përkatësisht Luljeta Minxhozi, Artan Hoxha, Suela Popa, Edlira Luçi, Ridvan Bode dhe Violeta Staka ( që përfundoi mandatin e ish-anëtarit Arben Malaj). Tre prej kandidatëve që përfunduan mandatin ishin të propozuar nga Kuvendit i Shqipërisë, që në nëntor 2025 nisi procedurën për zëvendësimin e tyre. Në procedurën e hapur nga Kuvendi, për tre kandidatët që duhet të propozohen nga ky institucion aplikuan 20 kandidatë, nga të cilët 18 u paraqitën në seancën dëgjimore të zhvilluar nga Komisioni përgjegjës. Ervin Mete drejt postit të zv/guvernatorit të parë Këtë muaj, Këshilli i Ministrave propozoi zyrtarisht Ervin Meten dhe Jonida Priftin si kandidatë për t’u zgjedhur si anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Megjithëse sipas ligjit duhet të propozonte tre emra dhe megjithëse është me vonesë në afatet e propozimit të tyre, Këshilli i Ministrave ka propozuar vetëm dy prej tyre. Ervin Mete në të shkuarën ka mbajtur detyrën e ministrit dhe zëvendës ministrit të Financave dhe drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Sipas burimeve nga tregu, në vijim të zgjedhjes si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, pritet që Ervin Mete të propozohet edhe për të marrë detyrën e zëvendësguvernatorit të parë të Bankës së Shqipërisë. Kjo konfirmohet edhe nga fakti që zëvendësguvernatorja aktuale, Luljeta Minxhozi, nuk është propozuar për të marrë një mandat të dytë si anëtare e Këshillit. Kandidatja Jonida Prifti vjen nga sektori bankar dhe aktualisht punon në Bankën e Këshilit të Europës për Zhvillim, në pozicionin e menaxheres për Shqipërinë, Gjeorgjinë dhe Lituaninë, ndërsa m herët ka punuar edhe në Bankën e Shqipërisë. Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë,” të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Pesë anëtarë propozohen nga vetë Kuvendi, tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave, ndërsa një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.