Sektori i manifakturës në krizë, ProEksport Albania kërkon urgjent miratimin e paketës me 8 masa
2026-03-27 - 12:21
Shoqata ProEksport Albania (PEA) ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme ku ka përsëritur kërkesën ndaj qeverisë për miratimin e një pakete me 8 masa mbështetëse për sektorin e manifakturës (sidomos fasonin). Në nisje të fjalës së tij kryetari i PEA Edvin Prençe tha se sektori po përballet me një krizë të paprecedentë në këto 30 vite, e shkaktuar nga efektet e kursit të këmbimit, pa asnjë mbështetje konkrete nga ana e qeverisë. “Sot nuk jemi këtu për të përsëritur problemet, ato tashmë janë të njohura. Sot jemi këtu për të përcaktuar një qëndrim. Ky sektor përfaqëson dhjetëra mijëra vende pune në vend. Çdo dobësim i tij nuk është vetëm problem biznesi, është problem social dhe ekonomik. Sektori po përballet me një krizë të paprecedentë në këto 30 vite, e shkaktuar nga efektet e kursit të këmbimit, pa asnjë mbështetje konkrete nga ana e qeverisë. Edhe pas paraqitjes së kësaj situate në Komisionin e Ekonomisë, reagimi mungon. Prej muajsh, sektori ka folur. Sot, sektori po pozicionohet. Kjo asamble shënon një vijë ndarëse. Nga ky moment, kjo nuk është më një çështje individuale e bizneseve të veçanta. Është një çështje e përbashkët e gjithë sektorit. Kjo asamble nuk është vetëm për të diskutuar, por për të informuar mbi hapat konkrete të ndërmarra në këtë situatë të jashtëzakonshme dhe për të unifikuar qëndrimin e sektorit në vijim. Dhe si e tillë, përgjigjja do të jetë e koordinuar. Ne kemi qenë të qartë në kërkesat tona. Ne kemi qenë të hapur për dialog. Por sot po themi qartë: mungesa e reagimit nuk mund të jetë më një opsion i pranueshëm. Ky nuk është më një apel. Ky është një pozicion. Nga kjo asamble do të dalë një drejtim i qartë për hapat në vijim dhe përgatitje për veprime konkrete në mbrojtje të sektorit. Ne nuk kërkojmë përplasje. Por nuk do të pranojmë më as heshtje. Nëse nuk ka reagim, do të ketë reagim nga sektori. Ky është mesazhi i kësaj asambleje. Dhe ky mesazh do të pasohet me veprim”. Paketa e masave e propozuar nga sektori pak ditë më parë i është dërguar edhe deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, ku kërkohet ndër të tjera është kërkuar: Rritja e tavanit të TAP në bazë të pagës minimale – Rillogaritja e TAP për pagat (taksimi të fillojë nga paga minimale dhe jo nga 35,000 lekë) Rimbursimi i kontributeve për gjithë stafin për periudhën 9-mujore; Mekanizëm fiskal kompensues mbi vlerën e shtuar reale të eksportit Rikthimi dhe dyfishimi i fondit të AIDA për Grante për teknologji dhe inovacion; Rritja e koeficientit të amortizimit nga 20 deri 40% për pajisje dhe makineri prodhimi etj. Lexoni edhe: Nga zerim i taksës për lëndët e para, TAP mbi 50 mijë lekë, fasoni kërkon mbështetje tek Ekonomia