TheAlbaniaTime

Sejko pret drejtoreshën e AMF: Krijimi i grupeve financiare kërkon koordinim të mbikëqyrjes

2026-01-29 - 13:52

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti sot në një takim zyrtar Drejtoreshën e re Ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Adela Xhemali. Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, gjatë takimit, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet kryesore të ekonomisë shqiptare, duke u ndalur në ecurinë e aktivitetit ekonomik, situatën financiare dhe perspektivën e tyre afatmesme. Në kuadër të përgjegjësive të Bankës së Shqipërisë në fushën e mbikëqyrjes bankare, Guvernatori Sejko u ndal te masat dhe ndryshimet e fundit rregullatore të ndërmarra me synim forcimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe rritjen e transparencës në marrëdhëniet ndërmjet institucioneve financiare dhe klientëve të tyre. Palët diskutuan mbi zhvillimet që lidhen me ndërveprimin në rritje ndërmjet sektorit bankar dhe atij jobankar, në kushtet e krijimit dhe konsolidimit të grupeve financiare me veprimtari ndërsektoriale. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e shkëmbimit të informacioneve lidhur me metodologjitë e përgatitjes së të dhënave statistikore nga dy institucionet, si dhe forcimin e koordinimit mbikëqyrës, me qëllim identifikimin dhe adresimin në kohë të rreziqeve potenciale për stabilitetin financiar. Në kuadër të procesit të integrimit evropian, palët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga negociatat për kapitujt e acquis communautaire. Në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe AMF-së lidhet me Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit” dhe Kapitullin 17 “Politika ekonomike dhe monetare”. Guvernatori Sejko rikonfirmoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe efektiv me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit.

Share this post:
← Back to feed