TheAlbaniaTime

Rruga Librazhd–Prrenjas e mbyllur, ARRSH: Akset alternative që mund të përdorni

2026-02-21 - 20:25

Kaosi i shkaktuar nga bllokimi i qarkullimit me juglindjen e vendit ka detyruar Autoritetin Rrugor Shqiptar të reagojë sërish këtë të shtunë. Në një njoftim, ARRSH ka ridrejtuar trafikun drejt akseve alternative pas rrëshqitjes së përkeqësuar të terrenit, që detyroi mbylljen e plotë të segmentit Librazhd–Prrenjas, një nga lidhjet kryesore midis qendrës së vendit dhe juglindjes. Autoriteti Rrugor Shqiptar rekomandoi për autoveturat itineraret Maliq–Lozhan–Strelc–Gramsh–Elbasan dhe Qafë Thanë–Pogradec–Korçë–Leskovik–Përmet–Tepelenë. Për mjetet e tonazhit të rëndë sugjerohet kalimi përmes Maqedonisë së Veriut nga Bllatë dhe më pas përdorimi i Rrugës së Arbërit. Në njoftim, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë rrugore, ndërsa situata monitorohet në kohë reale. Qarkullimi u ndërpre paraditen e kësaj të shtune për të gjitha mjetet në zonën e Arrat e Gurrës pas një përkeqësimi të shpejtë të rrëshqitjes së terrenit në rrugë. Institucionet thanë se ekipet po punojnë për një bypass provizor, ndërsa ndërprerja po kufizon lidhjen e rajoneve juglindore, përfshirë Devollin, me pjesën qendrore të vendit. Segmenti Qukës–Qafë Plloçë është i dëmtuar nga e njëjta problematikë gjeologjike, duke ngushtuar opsionet për rikthimin e qarkullimit normal. Në të njëjtën zonë, edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit njoftoi për rrëshqitje toke pranë një shtylle të linjës 110 kV Librazhd–Përrenjas. Struktura mbetet e paprekur, ndërsa po shqyrtohet zhvendosja parandaluese për të minimizuar rreziqet.

Share this post: