TheAlbaniaTime

Rruga Librazhd – Pogradec mbetet e bllokuar, ARRSH: Po bëhet rivlerësim gjeologjik, ja alternativat

2026-02-23 - 11:44

Juglindja e vendit do të vijojë të mbetet pa kalimin në rrugën Librazhd-Pogradec ndryshe nga sa pritej ditën e sotme. Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se rrëshqitja është përkeqësuar diçka që bën të pamundur bypass-in provizor ndërkohë që mjetet që po punonin janë tërhequr për arsye sigurie. Aktualisht sipas ARRSH po bëhet një rivlerësim gjeologjik dhe teknik. “Qarkullimi do të vazhdojë të jetë i bllokuar në segmentin rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec. Ky segment, i cili pritej të hapej mesditën e sotme, ka pësuar rrëshqitje masive toke, duke e bërë qarkullimin të pakalueshëm. Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve. Aktualisht po kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje. Ndërkohë specialistët në terren po shohim mundësinë e lëvizjes vetëm për mjete e vogla dhe të emergjencave në një rrugë në zonën përreth” thuhet në reagimin e ARRSH. Ky autoritet ka nënvizuar se për të udhëtuar drejt Juglindjes në zonat Përrenjas, Pogradec, Korçë apo Devoll duhet të ndiqen rrugë alternative. “ARRSH, për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve, sugjeron përdorimin e akseve alternative si më poshtë: Për autoveturat: ✓ Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan ✓ Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë Për mjetet e tonazhit të rëndë: ✓ Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit. Duke kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë banorëve të zonës, ju lutemi të ndiqni me kujdes sinjalistikën rrugore si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore” nënvizon ARRSH. Kalimi në rrugën Librazhd-Përrenjas u ndalua të shtunën paradite për shkak të rrëshqitjeve të tokës të cilat e bëjnë të pamundur kalimin e mjeteve dhe së fundmi edhe të këmbësorëve.

Share this post: