Rriten 12% aplikimet online nga biznesi për shërbimet doganore në 2025-n
2026-02-06 - 11:16
Gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, shërbimet doganore të ofruara përmes platformës e-Albania shënuan rritje të qëndrueshme. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kjo pasqyron përparimin e procesit të dixhitalizimit dhe rritjen e përdorimit të shërbimeve online nga bizneset dhe qytetarët. Në këtë periudhë janë regjistruar 2,355 aplikime online, çka përfaqëson një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 2,100 aplikime. Ky tregues, sipas njoftimit, dëshmon besimin në rritje ndaj shërbimeve elektronike dhe eficiencën e tyre në lehtësimin e procedurave doganore. Paralelisht, gjatë vitit 2025 janë përditësuar në sistem 13,014 autorizime për regjime të posaçme, duke shënuar një rritje prej 1.16% në raport me vitin 2024, kur numri i autorizimeve ishte 12,864. Ky proces ka kontribuar në përmirësimin e administrimit dhe monitorimit të regjimeve doganore, si dhe në rritjen e transparencës procedurale. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton se vijon angazhimin për ofrimin e shërbimeve më të shpejta, më transparente dhe më efikase, përmes zgjerimit dhe përmirësimit të shërbimeve digjitale, në funksion të lehtësimit të ndërveprimit me biznesin dhe qytetarët.