Rreziqet inflacioniste ende nuk shqetësojnë investitorët, bien yield-et e obligacioneve 10-vjeçare
2026-03-05 - 05:14
Yield-et e obligacioneve 10-vjeçare pësuan përsëri rënie në ankandin e kësaj jave dhe iu afruan nivelit më të ulët në historinë e tyre. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në rihapjen e ankandit të obligacioneve 10-vjeçare, yield-i uniform i pranuar ra në 4.72%, nga 5.15% që kishte qenë yield-i në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve, të zhvilluar në janar të këtij viti. Yield-i i këtyre instrumenteve i është shumë afër nivelit minimal historik prej 4.7%, që ishte regjistruar një vit më parë. Edhe ankandi i obligacioneve 10-vjeçare u karakterizua nga një pjesëmarrje e lartë e investitorëve të interesuar. Nga 3.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave arriti në rreth 5.27 miliardë lekë. Ministria e Financave vendosi të rrisë shumën e emetimit me afërsisht 10%, brenda intervalit të lejuar nga rregullorja e ankandit, për një shumë totale prej 3.85 miliardë lekësh. Një ecuri të ngjashme po shfaqin edhe instrumentet e tjerë të borxhit qeveritar. Në fillim të kësaj jave, në rihapjen e ankandit të obligacioneve 20-vjeçare, yield-i uniform i pranuar ra në 6.2%, nga 6.72% që kishte qenë yield-i në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve, të zhvilluar në janar të këtij viti. Edhe në tremujorin e parë të këtij viti, tregu i bonove dhe obligacioneve po karakterizohet nga likuiditet i bollshëm dhe kërkesë e lartë nga investitorët. Kjo kërkesë po i shtyn akoma më shumë në ulje yield-et e titujve dhe po ul çmimin e huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm financiar. As përqendrimi relativisht i lartë i huamarrjes së qeverisë në tremujorin e parë të vitit nuk ka qenë i mjaftueshëm për të zhvendosur në rritje yield-et. Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar vlerësohet të vlerën e 134 miliardë lekëve, në rritje me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shumë përbën rreth 35% e vlerës totale vjetore të emetimeve të parashikuara. Edhe tremujori i parë i këtij viti po konfirmon tendencat në rënie të yield-eve. Kjo përcakton jo vetëm koston e borxhit të qeverisë, por është një referencë edhe për kosto e huamarrjes së sektorit privat. Normat e ulëta të interesit po mbështesin kreditimin me ritme të shpejta të ekonomisë, sidomos në segmentin e familjeve. Tensionet gjeopolitike dhe rritja e çmimit të naftës kanë shtuar rreziqet e një skenari me rritje të inflacionit gjatë këtij viti, por, për momentin, tregu i brendshëm nuk po e reflekton një shqetësim të tillë në çmimin e kërkuar për të financuar borxhin afatgjatë të qeverisë. Burimi: Banka e Shqipërisë