Rivlerësimi në 60 bashki, AKSH përdor çmimet e referencës të 2016-s, vlerat e tregut nga ekspertët
2026-03-06 - 05:14
Nëse një qytetar planifikon apo kërkon të shesë apartamentin në rrethe dhe kërkon të përfitojë nga tatimi i reduktuar në 5%, nëse e bën rivlerësimin nëpërmjet Agjencisë së Kadastrës Shtetërore, jo përmes një eksperti privat të licencuar, sipas sqarimit të Ministrisë së Financave, llogaritja e vlerës së pronës do t’i bëhet me çmimet e referencës të miratuara në 2016. Ndërsa në rast se rivlerësimi do të bëhet me një ekspert të licencuar, sipas Ministrisë së Financave do të bëhet sipas çmimeve të vlerës së tregut. Për rrjedhojë, për ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, për 60 bashkitë procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme nëpërmjet çmimeve të referencës konsiderohet i paleverdishëm, pasi përdoren çmimet e referencës të miratuara që në vitin 2016, që janë larg vlerave reale të tregut. Ndërsa për bashkinë Tiranë nuk përdoren çmimet e referencës të 2016, pasi vlerat u rishikuan në fund të muajit korrik 2023. Në fillim të muajit gusht të vitit 2023 për Tiranën nisën të zbatoheshin çmimet e reja të referencës. Në Tiranë ndryshe nga rrethet çmimet e referencës janë të ndara në 32 zona kadastrale. Edhe për rivlerësimin se nëse procesi kryhet përmes ASHK përdoren çmimet e referencës të vitit 2023, të përafruara me vlerat e tregut. Ndërsa çmimet e referencës për 60 rrethet të miratuara në 2016 ende ka vetëm një çmim, pa nënndarje zonash dhe pa reflektime të vlerave aktuale të shitblerjes së pronave. Nga Ministria e Financave, ndërkohë është propozuar një hartë e re çmimesh për rrethet me rritje deri 200% (rritja më e lartë në zonën pranë portit të Durrësit), por që nuk ka gjetur miratim ende nga Këshilli i Ministrave. Pra nëse një qytetar që ka një pronë në këtë zonë ku vlerësohet se ka rritje të vlerës deri 200% në raport me vitin 2016, nëse e shet dhe kërkon të përfitojë nga tatimi 5% nëpërmjet rivlerësimit, çmimi i llogaritur nga referencat do të jetë 75 mijë lekë për metër katror. Përveç shitblerjes, mbi çmimet e referencës, bashkitë llogarisin detyrimin për taksën e ndërtesës dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë. Rritja e tyre ngarkon me kosto shtesë si qytetarët ashtu edhe ndërtuesit e projekteve të reja. https://monitor.al/nga-1-janari-sa-do-te-rritet-taksa-e-nderteses-per-shtepite-dhe-dyqanet-per-119-zona-ne-rrethe/ Por burime zyrtare nga Ministria e Financave sqaruan se çmimet e reja të referencës në rrethe ende nuk janë miratuar, pasi po plotësohen sërish me të dhëna të reja. Me projektvendimin e ri rrethet ndaheshin në 176 zona kadastrale nga 62 zona që janë aktualisht (nga një zonë për secilin qytet), duke përfshirë ehe për herë të çmimet si zona më vete edhe fshatrat. Për këtë të fundit aktualisht përdorej çmimi i qytetit por i reduktuar 35%. Për shembull, aktualisht çmimi i referencës për qytetin e Durrësit është 67 500 lekë për metër katror. Në projektvendimin e ri të publikuar te konsultimit publike në korrik 2025 është propozuar që Durrësi të ndahet në 13 zona kadastrale për çmimet e referencës, me vlera që variojnë nga 45 mijë lekë deri në 200 mijë lekë për metër katror (çmimi 200 mijë lekë është për zonën e Portit ku po ndërtohet projekti “Durrës Yahts Marina”). Në Durrës zona kadastrale më vetë janë propozuar edhe vija e parë e ndërtimit në fshtrat e Gjirin të Lalzit dhe Hamallaj me vlerë 190 mijë lekë për metër katror. Për fshatrat e Himarës, si Dhërmi dhe Palasë janë propozuar referenca me vlerë 140 mijë lekë/m2. Në fshatin Vuno çmimi i referencës do të jetë 100 mijë lekë dhe në Livadh 81 mijë lekë/m2. Në Sarandë fshati më i shtrenjtë do jetë Ksamili, çmimet e referencës do të jenë 100 mijë lekë/m2. Në Vlorë, çmimet e referencës për vijën bregdetare të fshatrave Radhimë dhe Orikum do të jenë 90 mijë lekë/m2 që përbëjnë dhe zonat më të shtrenjta rurale të bashkisë Vlorë. Në Velipojë çmimi i referencës do të jetë 75 mijë lekë për metër katror dhe në Tale të Lezhës 70 mijë lekë për metër katror. https://monitor.al/referencat-e-ndertesave-per-banim-ne-fshat-ja-ne-cilat-zona-cmimet-do-barazohen-me-qytetin/ Por si e llogarit çmimin e tregut eksperti i licensuar; Sa variojnë tarifat për shërbimin në rrethe Në platformën e-Albania, për të pranuar aplikimin e qytetarit për rivlerësim të pasurisë, duhet të ngarkohet një Raport Vlerësimi i përgatitur nga një ekspert i licencuar. “Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal”, theksohet në udhëzimin e miratuar nga Ministria e Financave për zbatimin e procesit të rivlerësimit. Por si përcaktohet vlera e pronës nga një ekspert i licencuar. Ekspertë të kontaktuar nga Monitor shpjeguan se çmimin e përcaktojnë nga dokumenti i hipotekës, përdorimi i metodës krahasuese të çmimeve nëpërmjet disa burimeve, si: çmimeve të marra në terren dhe çmimeve të publikuara online nëpërmjet agjencive imobiliare. Çmimet për shërbimin kur rivlerësimi nga një ekspert i licencuar variojnë për apartamentet në rrethe 15 mijë deri 20 mijë lekë. Ndërsa për njësitë tregtare tarifa për shërbimin varion nga 20 mijë -30 mijë lekë. Ndërsa nëse shërbimi kryhet nëpërmjet ASHK tarifa e shërbimit është 3,500 lekë. Dorina Azo