Rezervo sot, paguaj më vonë; Airbnb zgjeron globalisht modelin e ri të pagesës
2026-02-17 - 13:17
Platforma globale e udhëtimeve Airbnb njoftoi se ka nisur zbatimin ndërkombëtar të funksionit të ri të pagesës, “Reserve Now, Pay Later”, që u lejon përdoruesve të sigurojnë rezervimet e akomodimit pa pagesë të menjëhershme. Ky mjet, i prezantuar fillimisht në Shtetet e Bashkuara më herët vitin e kaluar, synon t’i japë udhëtarëve më shumë fleksibilitet financiar duke zhvendosur pagesën në një datë më të afërt me momentin e check-in-it, në vend që të kërkohet pagesë direkte në kohën e rezervimit. Sipas Airbnb, përdorimi fillestar i këtij opsioni ka rezultuar pozitiv, me rreth 70 për qind të rezervimeve të kualifikuara që e zgjedhin këtë mënyrë pagesë, një shifër që tregon kërkesë të fortë për mundësi më të mira financiare ndërsa udhëtarët planifikojnë pushimet e tyre. Funksioni është i disponueshëm për listimet me politika “flexible” ose “moderate” të anulimit, ku pagesa e plotë realizohet para përfundimit të periudhës falas të anulimit. Modeli i ri i pagesës imiton tendencat e e-commerce duke u ngjashëm me planet “blej tani, paguaj më vonë” që janë bërë të zakonshme në treg. Airbnb ka raportuar se ky produkt ka ndihmuar në rritjen e kohës së mesatare të prenotimeve dhe ka shtuar interes për shtëpi të mëdha me shumë dhoma, duke kontribuar në rritjen e çmimeve mesatare ditore të rezervimit. Gjatë thirrjeve të raportimit të rezultateve për tremujorin e katërt të vitit 2025, Airbnb tha se kjo veçori ndihmoi në rritjen e netëve të rezervuara në atë periudhë. CFO e kompanisë, Ellie Mertz, tha se “Reserve Now, Pay Later pati një adoptim të konsiderueshëm midis mysafirëve të kualifikuar në tremujorin e katërt. Ajo gjithashtu çoi në rritjen e kohës mesatare të rezervimit para udhëtimit dhe një ndryshim në përzierjen drejt akomodimeve më të mëdha, sidomos ato me katër ose më shumë dhoma, duke kontribuar në rritjen e çmimit mesatar ditor të rezervimit”. Airbnb ka eksperimentuar me produkte “paguaj më vonë” prej vitesh. Në vitin 2018 kompania solli një produkt që u lejonte përdoruesve të rezervonin një pronë duke paguar 20 për qind ose 50 për qind të kostos totale paraprakisht, dhe pjesën tjetër më vonë. Në vitin 2023, ajo nisi një bashkëpunim me firmën e fintech-it Klarna për të lejuar përdoruesit të paguajnë qëndrimet e tyre në katër këste brenda gjashtë javësh. Përtej këtij ndryshimi të madh në mënyrën e pagesës, Airbnb po përpiqet të forcojë pozicionin e saj në treg duke sjellë më shumë fleksibilitet e opsione për udhëtarët dhe duke u përshtatur me nevojat e një audience globale që kërkon më shumë lehtësi e liri kur rezervon pushimet./ TECHCRUNCH