Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë arrijnë rekordin e 500 milionë eurove
2026-03-23 - 09:11
Vlera e rezervës së arit të mbajtur nga Banka e Shqipërisë ka arritur nivelet më të larta historike, e nxitur nga rritja e çmimeve, por pjesërisht edhe nga rritja e sasisë së rezervave. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të janarit të këtij viti, vlera e arit në rezervën valutore të vendit arriti në 498 milionë euro, më e larta e regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me një vit më parë, vlera e rezervës së arit është rritur me më shumë se 70%. Gjithashtu, pesha specifike e arit në rezervën valutore ka arritur nivelin më të lartë historik në 6.8% të saj, nga 4.65% që zinte një vit më parë. Ari ngelet i vetmi aset fizik në strukturën e rezervës valutore, që në masën dërrmuese përbëhet nga monedha të huaja dhe nga tituj borxhi të denominuara në këto monedha. Çmimi i arit ka ardhur në rritje të vazhdueshme gjatë vitit të kaluar dhe pjesës së parë të këtij viti. Aktualisht, ari kuotohet pranë vlerës së 5000 mijë dollarëve amerikanë për onz (njësi e barabartë me 28.35 gramë). Me bazë vjetore, çmimi i arit i shprehur në dollarë është në rritje me afërsisht 65%, ndërsa në Euro rritja e çmimit rezulton rreth 57%. Rritja e çmimit të arit është ndikuar faktorë të ndryshëm, duke filluar nga konfliktet gjeopolitike, sidomos tensionet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Përgjithësisht, çmimi i arit tenton të rritet në periudha pasigurie, duke qenë se ai konsiderohet si një aset i sigurt dhe i qëndrueshëm. Një faktor tjetër është edhe rritja e kërkesës për ar, e nxitur sidomos nga blerjet e mëdha që po ndërmerren nga Bankat Qendrore. Në një intervistë për “Monitor”, drejtori i departamentit të Operacioneve Monetare në Bankën e Shqipërisë, Marian Gjermeni, u shpreh se qasja e ndjekur nga Banka e Shqipërisë vitet e fundit ka rezultuar e ngjashme me atë të bankave të tjera qendrore, të cilat kanë rritur peshën e arit në rezervat e tyre. Ky fenomen ka rezultuar më i theksuar për bankat qendrore të vendeve me ekonomi në zhvillim, krahasuar me ato të vendeve me ekonomi të zhvilluara. “Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë vijojnë të jenë të krahasueshme me bankat qendrore të ngjashme. Gjatë vitit të fundit, Banka e Shqipërisë ka rritur sasinë e arit në rezervat e saj. Kjo qasje do të vijojë të ndiqet në vitet e ardhshme, në rast se do të mbështetet nga ecuria e faktorëve cilësorë dhe sasiorë që vlerësohen nga Banka e Shqipërisë për përcaktimin e peshës së këtij aktivi në rezervat e saj,” tha z.Gjermeni. Në tërësinë e vet, rezerva valutore po shënon rritje të shpejtë në vitet e fundit, e mbështetur nga blerjet e vazhdueshme të valutës së Bankës së Shqipërisë, por pjesërisht edhe nga rritja e vlerës së aseteve, siç është shembulli i arit. Në janar 2026, vlera totale e aseteve të rezervës arriti në 7.33 miliardë euro, niveli më i lartë historik dhe në rritje me 16.6% krahasuar me një vit më parë. / E.Shehu Burimi: Banka e Shqipërisë