Renditja globale e kostos së jetesës për vitin 2026
2026-02-22 - 10:24
Kostoja e jetesës mbetet një nga treguesit më të rëndësishëm për të krahasuar standardin ekonomik mes vendeve, veçanërisht në një periudhë kur çmimet e banesave dhe ushqimeve kanë shënuar rritje të fortë në shumë ekonomi. Indeksi Global i Kostos së Jetesës 2026 i Numbeo ofron një panoramë të qartë të diferencave mes vendeve, duke treguar se sa e shtrenjtë është përditshmëria në raport me Nju Jorkun si pikë reference. Për ta kuptuar më mirë këtë, grafiku i mëposhtëm vizualizon Indeksin Global të Kostos së Jetesës të Numbeo-s, i cili mat çmimet e shpenzimeve të përditshme, përfshirë qiranë, në raport me Nju Jorkun (bazë 100). Nëse një vend ka një indeks 80, kjo do të thotë se çmimet janë 20% më të ulëta se në Nju Jork. Vlerat mbi 100 tregojnë kosto më të larta të jetesës. Megjithëse inflacioni është zbutur në shumë rajone, kostoja e jetesës mbetet një sfidë e madhe globale. Në 28 vende, çmimet e banesave janë rritur me më shumë se 50% që nga viti 2020, ndërsa çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm në vende si Meksika, Gjermania dhe Malajzia, duke vazhduar të ushtrojnë presion mbi buxhetet familjare në mbarë botën. Të dhënat për vitin 2026 përfshijnë 155 vende dhe territore dhe tregojnë dallime të theksuara në koston e jetesës në mbarë globin. Bermuda renditet si vendi me koston më të lartë të jetesës në botë, një territor britanik i njohur për pasuri të paluajtshme luksoze, turizëm të nivelit të lartë dhe kapital offshore. Sipas Indeksit Global të Kostos së Jetesës 2026 të Numbeo, Shqipëria renditet në vendin e 73-të nga 155 vende me një indeks 31.7, shumë pranë mesatares globale prej 30.8. Në krahasim rajonal, Shqipëria rezulton pak më e shtrenjtë se disa vende fqinje të Ballkanit, por mbetet në mesin e vendeve me kosto relativisht të ulët në Europë. Mali i Zi renditet pas saj në vendin e 77-të (31), ndërsa Serbia është më poshtë në vendin e 82-të (29.5) dhe Bullgaria në vendin e 90-të (28). Nga ana tjetër, Kroacia është dukshëm më e shtrenjtë, në vendin e 54-t (37.1), ndërsa Greqia qëndron edhe më lart në vendin e 55-të (36). Kjo tregon se Shqipëria pozicionohet në një nivel të ndërmjetëm në rajon: më e përballueshme se destinacionet turistike të zhvilluara si Greqia dhe Kroacia, por disi më e kushtueshme se disa ekonomi fqinje të Ballkanit. Dhjetë vendet me koston më të lartë të jetesës në vitin 2026: Bermuda – 123.5 Ishujt Kajman – 97.9 Zvicra – 84.3 Ishujt e Virgjër Amerikanë – 82.5 Singapori – 81.2 Bahamas – 77.1 Islanda – 75.9 Jersey – 72.5 Hong Kong – 69.8 Ishujt Solomon – 65.4 Shumë prej vendeve më të shtrenjta në botë për të jetuar janë ishuj dhe shpesh shërbejnë si parajsa fiskale ose qendra financiare. Ishujt e Virgjër, Jersey dhe Ishujt Kajman janë të gjithë pjesë e dhjetëshes së parë. Përqendrimi i lartë i pasurisë, i kombinuar me varësinë e madhe nga importet, rrit çmimet në këto ekonomi ishullore. Zvicra renditet e treta në botë, ndërsa Zyrihu është shpallur qyteti më i shtrenjtë në botë në vitin 2026. Përveç frangës së fortë zvicerane, pagat e larta dhe standardi i jetesës kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e kostove. Singapori ka koston më të lartë të jetesës në Azi, duke u renditur i pesti globalisht. Mungesa e tokës ka nxitur rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme, ndërsa varësia nga importet, rreth 90% e ushqimit, shton presionin mbi çmimet. Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 19-të globalisht me një indeks 56.3. Për krahasim, mesatarja globale e indeksit të kostos së jetesës në vitin 2026 është 30.8. / Visual Capitalist