Raporti i kredive me probleme e nisi në rritje vitin 2026
2026-03-10 - 11:34
Raporti i kredive me probleme e nisi me një rritje të lehtë vitin 2026. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në janar raporti i kredive me probleme ishte në nivelin 3.85%, nga 3.8% që e kishte mbyllur vitin 2024. Ky tregues ngelet sidoqoftë në rënie me bazë vjetore, nga niveli prej 4.12% i një viti më parë. Stoku i kredive me probleme në fund të janarit vlerësohet afërsisht në vlerën e 36.2 miliardë lekëve, në rritje me 4.3% krahasuar me një vit më parë. Raporti i kredive me probleme pati shfaqur një ecuri të luhatshme gjatë vitit 2025, por në fund të vitit pësoi një zhvendosje më të dukshme në ulje, e lidhur pjesërisht kjo edhe me procesin e zakonshëm të fshirjes së kredive të humbura para mbylljes së bilancit vjetor. Nga ana tjetër, ulja e raportit të kredive me probleme u mbështet edhe nga rritja me ritme të shpejta e portofolit të kredisë. Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit 2025 arriti vlerën e 943.5 miliardë lekëve. Me bazë vjetore portofoli total i kredisë u rrit me 12.9%. Rritja e portofolit u përshpejtua më tej, krahasuar me rritjen prej 12.3% të vitit 2024. Megjithatë, rritja e shpejtë e kredisë në dy vitet e fundit i ka shtuar shqetësimet për cilësinë e pritshme të portofolit të kredisë për ekonominë në vazhdim. Këto shqetësime mund të bëhen më të mprehta në rast të skenarëve që mund të përkeqësojnë ecurinë e ekonomisë reale dhe aftësinë paguese të huamarrësve. Shqetësimi për skenarë të këtij lloji është shtuar pas sulmeve mbi Iranin dhe tensioneve në Lindjen e Mesme, që kanë sjellë rritje të çmimeve të naftës dhe rrjedhimisht edhe të rreziqeve për një rritje të inflacionit. Në një prononcim për “Monitor” në fund të vitit 2025, Banka e Shqipërisë vlerësonte se duhet bërë kujdes që të kontrollohet dhe të moderohet efekti i mundshëm i zgjerimit të shpejtë të kredisë dhe i rritjes së konkurrencës në treg në relaksimin e standardeve të kreditimit. Banka e Shqipërisë, në fakt ka reaguar nëpërmjet shtrëngimeve rregullatorë, duke rritur fillimisht kërkesat e kapitalit për bankat tregtare, ndërsa në vijim nëpërmjet miratimit të disa parametrave kufi të administrimit të rrezikut, në kredinë për blerjen e banesave nga individët. Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar masat nuk kanë sjellë ndonjë frenim domethënës në ritmet e kredidhënies me qëllim financimin e blerjes së banesave. Burimi: Banka e Shqipërisë