TheAlbaniaTime

Rama: Do të ruajmë çmimin e naftës, në treg distributor shtetëror për blerjet me shumicë

2026-03-18 - 12:52

Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me furnizuesit e naftës në kuadër të përballimit të një krize të re me ndikim në tregun vendas, duke kërkuar ruajtjen e ekuilibrit të çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Kryeministri Rama theksoi se, bazuar në përvojat e mëparshme, përfshirë krizën e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë, qeverisë i është dashur të luajë një rol aktiv në menaxhimin e tregut të karburanteve, nëpërmjet monitorimit të bordit. Kryeministri Rama vlerësoi qasjen e operatorëve, duke nënvizuar se, ndonëse në bursat ndërkombëtare çmimet janë rritur deri në 40%, në Shqipëri rritja ka qenë më e moderuar. Sipas tij, situata mbetet e pasigurt dhe askush nuk mund të parashikojë se si do të evoluojnë çmimet në tregjet globale. Megjithatë, qeveria është e gatshme të ndërhyjë nëse do të jetë e nevojshme, duke nisur nga përdorimi i rezervave nga 30 ditë deri në 100 ditë si dhe futjen e një komapnia shtetërore që do të funskionojë si distributor shumice për furnizimet e operatorëve privat. “Duke pasur praktikat e mëparshme dhe periudhat e krizave të mëparshme, si ajo nga agresioni rus drejt Ukrainës, na është dashur të marrim një rol në të gjithë procesin e trajtimit për naftën. Kam marrë në mënyrë të vazhdueshme informacion nga ministrat, dhe dëshiroj të shpreh konsideratë pozitive për qasjen tuaj, e cila ka qenë e përgjegjshme, pasi në bursat ndërkombëtare ka pasur deri 40% rritje të çmimit, ndërsa në vend çmimi është rritur në mënyrë të moderuar. Gjithsesi, sfida është e hapur. Askush nuk di të thotë se kur do të mbyllet kjo betejë, që mban pas vetes edhe çmimin e naftës. Askush nuk di të thotë se si do të shkojë më tej çmimi në bursë, por ne do të bëjmë atë që na takon, duke nisur nga rezervat. Sipas informacioneve që kam marrë, ju keni një rezervë të arsyeshme, e cila fizikisht ndodhet aty për 30 ditë, ndërsa në kontratat tuaja figuron për 100 ditë. Kjo është pozitive. Kemi në konsultim publik ligjin për rezervën shtetërore, e cila do të shtrihet fizikisht për 100 ditë. Gjithashtu, jemi në punë për të finalizuar nismën e futjes në treg si distributor me shumicë, një faktor shtetëror. Do të garantojmë sasinë e nevojshme dhe do të lehtësojmë marrëdhëniet me të tretët që kalojnë nëpërmjet brokerëve. Në përfundim, ju kërkoj të ruani ekuilibrin aktual. Nuk e kemi parë të arsyeshme të hedhim hapin dhe të kalojmë në bord. Nëse dialogu funksionon siç ka funksionuar deri tani, qëllimi ynë mbetet jo t’u ngarkojmë detyrë shtesë, por gjithahstu pesha e krizës në Lindjen e Mesme nuk mund të mbahet e gjitha nga konsumatori. Kjo do të thotë marzhe fitimi më të ulëta për ju, por më mirë kjo sesa bordi në kurriz”.

Share this post: