Qeveria takimi me fermerët: Po rishikojmë planin e mbështetjes, në shtator pritet të hapet IPARD 3
2026-01-30 - 12:07
Në takimin me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe Ministri i Financave Petrit Malaj, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se po rishikohet plani i mbështetjes duke marrë në konsideratë kërkesat dhe sugjerimet e fermerëve. “Janë shumë të domosdoshme dhe të dobishme që ne ta rishikojmë pjesën e mbështetjes dhe mënyrën si do të jemi ndaj aplikantëve, për të ulur numrin e krerëve për bagëti në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë fermerë. Kemi marrë sugjerime për bletarinë dhe kërkesa që lidhen me certifikatat e pronësisë dhe kontratat e tokave me qira. Jemi duke i rishikuar, kemi bërë një plan me AZHBR dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe do të shikojmë atë që na sugjeroni, për t’i përafruar edhe me skemën e naftës, ku kemi pasur problematika të shtuara sipas propozimeve të fermerëve. Duhet të jemi sinkron, të mbështesim edhe përmes IPARD-it, ku së shpejti do të ketë mbështetje për të gjithë sektorin bujqësor. Do të ndërtohen edhe dhoma frigoriferike, do të ketë mbështetje për fermerët e të gjitha fushave, si bimët medicinale, dhe mbi të gjitha duhet të jemi në terren bashkë me fermerët. Ju do të jeni zëri dhe mbështetja për çdo punë që do të krijojmë së bashku,” përfundoi Ministri Salla. Na ana tjetër kryeministri Edi Rama deklaroi se fondet për bujqësinë nuk mungojnë, por problemi qëndron te mungesa e instrumenteve dhe projekteve të mirëfillta për t’i përthithur ato. Sipas tij ka një mangësi në pushtetin vendor, i cili duhet të jetë shumë më aktiv në bashkëpunimin me fermerët dhe bujqit për të adresuar këto financime. “Si pjesë e këtij cikli dëgjesash që ka organizuar ministri i bujqësisë për të kolauduar të gjithë planin e mbështetjes për këtë vit. Ministri i financave foli me shifra konkrete që janë domethënëse. Unë dua të fokusohem në një tjetër aspekt që ka të bëjë me mundësitë e pashfrytëzuara pasi ne jemi mësuar që t’i referohemi buxhetit të shtetit, por buxheti është tani vetëm njëri nga komponentët e zinxhirit të financimeve të bujqësisë. Natyrisht që buxheti është më i thjeshti se përcaktohet nga qeveria dhe vjen tek bujku me një kanal të drejtpërdrejtë është aplikimi përkatës. Komponentët janë pak më të vështirë, por janë komponentë që do të jenë më të pranishëm që duhet të gjithë të përpiqen të mësojnë dhe të aftësohen për ti shfrytëzuar. Unë them që sot në vendin tonë çështja e financimit të projekteve që secili ka, nuk është problem në aspektin financiar. Ajo që është problem është mungesa e informacionit dhe mungesa e përgatitjes për t’i thithur ato para, e njëjta vlen dhe për atë që lidhet me BE. Ne do të kemi gjithmonë e më shumë fonde nga BE. Por sa të aftë do të jemi ne për t’i thithur ato para. Duhen disa gjëra të pashmangshme, që lidhen me dosjet që duhet të ketë një projekt dhe argumentet pse duhet financuar. Ne kemi vënë në dispozicion 250 milionë euro, që mund të shkojnë edhe në 1 miliard nëse do të shfrytëzohen. Të gjithë mund të shkojnë të marrin kredi në banka me garanci nga shteti. Për të shfrytëzuar këtë garanci duhet një dosje e mirëfilltë. Ka një mangësi në pushtetin vendor, duhet të jenë shumë më aktivë me fermerët dhe bujqit për t’i adresuar këto financime. Nuk duhet të ketë asnjë problem nëse duhet një komponent agro-përpunimi. Bujqësia është një sektor që, për të funksionuar siç duhet, duhet të ketë mbështetjen e duhur”. Deri më tani janë zhvilluar 18 takime me fermerët në qarqe të ndryshme të vendit, nga 23 të planifikuara gjithsej. Dëgjesat për Skemën Kombëtare 2026 do të vijojnë në të gjitha qarqet e vendit, me synimin që politikat mbështetëse të ndërtohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me fermerët dhe të reflektojnë nevojat reale të sektorit bujqësor. Malaj: Jemi besimplotë dhe shpresëplotë se në shtator do të hapet dhe IPARD III, 118 milionë euro për bujqësinë Ministri i Financave, z. Petrit Malaj tha se qeveria është e angazhuar të ndërtojë një model i cili synon të mbështesë drejtpërdrejt fermerët dhe është i ngritur në katër komponentë kryesorë: 1.Skema e Granteve, me një fond minimal prej 20 milionë euro për vitin 2026; 2.Skema e Subvencioneve direkte për fermerët, me 31 milionë euro të buxhetuara për vitin 2026; 3 Garancia Sovrane, e cila mundëson për të gjithë fermerët kredi të buta me normë interesi 2 %, me garanci shtetërore rreth 70 % të vlerës së kredisë, në total 30 milionë euro për vitin 2026; 4.Kompensimi i TVSH për të gjithë fermerët, ku nga 1 janari 2026 fermerët do të kompensohen me 10% të vlerës së faturave të shitjes së produkteve bujqësore, dy herë në vit. “Për çdo produkt që keni filluar të shisni nga data 1 janar 2026 e në vazhdim do të duhet të mblidhni faturat për produktet që çoni te grumbulluesit dhe dy herë në vit, më 30 qershor dhe më datën 1 janar do të çoni faturat pranë autoriteteve tatimore dhe do të kompensoheni me 10 % të vlerës së faturave”, tha z. Malaj. Ministri i Financave u shpreh optimisht për hapjen e programit IPARD III në shtator. “Bujqësia ka nevojë për më shumë, por jemi të bindur se jemi në rrugën e duhur për ta bërë bujqësinë shqiptare më konkurruese dhe më të fortë në tregjet evropiane. Nga ana tjetër, jemi besimplotë dhe shpresëplotë se në shtator do të hapet dhe IPARD 3, që janë dhe 118 milionë euro të tjera për sektorin e bujqësisë.”, përfundoi Ministri Malaj.