TheAlbaniaTime

Qeveria miraton vendimet për rritjen e pagave 2.5% për mësuesit, policët dhe ushtarakët

2026-02-27 - 13:54

Në mbledhjen e mbajtur sot Këshilli i Ministrave ka miratuar disa vendimi për rritjen e pagave me 2.5% për mësuesit e sistemit parauniversitar, për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe për ushtarakët. Rritja e pagave i shtrin efektet nga 1 janari 2026, ndërsa shtesa e llogaritur mbi pagën bruto do të aplikohet pas botimit të vendimeve në faqen zyrtare. Në sistemin arsimor parauniversitar, nga miratimi i vendimit përfitojnë rreth 36,390 punonjës mësimorë dhe jomësimorë. Për 30,000 punonjës mësimorë dhe punonjës psikologë/punonjës social dhe oficerë të sigurisë në institucionet arsimore të sistemit të arsimit parauniversitar, në varësi të Ministrisë së Arsimit, efektet llogariten rreth 114.5 mln lekë në muaj për pagat dhe sigurime shoqërore e shëndetësore; Për 1,500 punonjës mësimorë të sistemit të arsimit professional, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, efektet llogariten rreth 6 mln lekë në muaj për pagat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore; Për 4,890 punonjës mësimorë të sistemit të arsimit parashkollor, të qendrave kulturore të fëmijëve dhe të konvikteve shkollore, efektet llogariten rreth 16.7 mln lekë në muaj për pagat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore https://monitor.al/pas-administrates-dhe-mjekeve-propozohet-rritje-pagash-2-5-edhe-per-363-mije-mesues-dhe-edukatore/ Vendimet e miratuara për rritje të pagave: DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.425, DATË 26.6.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË PUNONJËSVE MËSIMORË DHE TË PUNONJËSVE TË TJERË JOMËSIMORË NË INSTITUCIONET ARSIMORE DHE NË INSTITUCIONET PLOTËSUESE TË SISTEMIT ARSIMOR PARAUNIVERSITAR” Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të neneve 37, pika 5, e 59, pika 3, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: Lidhjet nr.1, nr.2 e nr.3, të vendimit nr.425, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij. Vlerat e elementit “paga e pozicionit” për: a) pozicionet me numra rendorë, nga 7 deri në 11, të lidhjes nr.1, pozicionet me numra rendorë 1 e 2, të lidhjes nr.2, dhe pozicionet me numra rendorë, nga 5 deri në 8, të lidhjes nr.3, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave; b) pozicionet e tjera janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse, të miratuara në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore përballohen nga transferta e miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026. PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.4, DATË 9.1.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E VLERAVE PËR SECILIN ELEMENT PËRBËRËS TË PAGËS BRUTO MUJORE DHE PËRCAKTIMIN E KRITEREVE E TË PROCEDURAVE PËR DHËNIEN E SHPËRBLIMEVE PËR PUNONJËSIT E POLICISË SË SHTETIT” Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të pikave 2, shkronjat “a” e “d”, dhe 4, të nenit 104, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: Lidhjet nr.1, nr.2 dhe nr.3, që i bashkëlidhen vendimit nr.4, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore dhe përcaktimin e kritereve e të procedurave për dhënien e shpërblimeve për punonjësit e Policisë së Shtetit”, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij. Vlerat e elementit “paga për gradë”, në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave për punonjësit me gradën “Inspektor” dhe “Nënkomisar” dhe rezultat i indeksimit në masën 2.5% për gradat e tjera. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026. PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.420, DATË 26.6.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË USHTARAKËVE AKTIVË TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të nenit 20, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: Lidhjet nr.1 dhe nr.2, të vendimit nr.420, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij. Vlerat e elementit “pagë bazë për gradë”, në lidhjen nr.1, si dhe vlerat e elementit “pagë për titull akademik/gradë shkencore/kualifikim shkencor”, në lidhjen nr.2, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore, për vitin 2026, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.

Share this post: