TheAlbaniaTime

Qeveria e Kosovës kundër heqjes së TVSH-së për naftën, paralajmërohet ligj për çmimet tavan

2026-03-30 - 12:32

Në Kosovë po vazhdon debati për çmimin e naftës, ku Qeveria ka kundërshtuar heqjen e TVSH-së dhe akcizës, duke paralajmëruar ligj për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë. Opozita, ekspertët dhe Shoqata e Naftëtarëve kërkojnë masa më të shpejta lehtësuese. Në një kohë kur çmimi i naftës në Kosovë po sillet nga 1.7 deri në 1.8 euro për litër, Qeveria e Kosovës ka dalë kundër propozimeve për heqjen e TVSH-së dhe akcizës, duke paralajmëruar një ligj për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë. Kryeministri Albin Kurti theksoi se rritja e çmimeve të naftës është pasojë direkte e varësisë së Kosovës nga importi dhe inflacionit global. “E gjithë nafta që është në Kosovë importohet, ne jo vetëm që nuk kemi burime të naftës, por as rafineri të naftës... çmimet e larta që janë jashtë, bëhen çmime edhe më të larta këtu brenda”. Ai shtoi se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka vazhduar masat e ish-ministres Hajdari dhe është në koordinim me ekspertët. Kurti i ka cilësuar të paarsyeshme propozimet për heqjen e tatimeve. “Këto propozimet për heqje të TVSH-së e të akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen në dije ekonomike”. Sipas tij, një hap i rëndësishëm që pritet së shpejti është ligji për çmimet tavan. “Së shpejti në mbledhje të Qeverisë... do ta kemi edhe ligjin për tavanin e çmimeve për produktet bazë,” deklaroi Kurti, duke shtuar se vonesat e mëhershme lidhen edhe me proceset në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për çmimin e naftës. “Jemi të shqetësuar me qasjen e Qeverisë dhe mosmarrjen e asnjë mase për lehtësimin e jetës së qytetarëve... Kuvendi duhet të marrë rol mbikëqyrës në këtë rast dhe të miratojë rezolutë,” tha shefja e GP të LDK-së, Jehona Lushaku. Ajo shtoi se nëse nuk ka marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja. “Nëse vullneti i tyre është që të ketë një zgjidhje, do të kemi. Nëse jo, Kosovës i mbetet të shkojë drejt zgjedhjeve”. Në anën tjetër, Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka treguar ditë më parë se ulja e TVSH-së nuk shihet si opsion i favorshëm, duke u bazuar në përvojat e mëhershme. “TVSH po hezitojmë ta heqim pasi... kur është zbritur TVSH nuk janë zbritur çmimet,” tha ajo. Ajo paralajmëroi gjithashtu draft-ligjin për çmimet tavan që pritet të dërgohet në Qeveri dhe më pas në Kuvend. Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës dhe subjektet ekonomike po kërkojnë uljen e akcizës dhe TVSH-së, duke argumentuar se kjo do ta lehtësonte barrën për qytetarët dhe bizneset. “Deri tani nuk e kanë parë të arsyeshme të ulin akcizën dhe TVSH-në. Heqja e saj do te ulte çmimin e derivateve dhe do te ishte një lehtësim për qytetarët. Por, kjo nuk varet nga ne. Këtë vendim duhet ta merr qeveria”, ka thënë kreu i shoqatës, Fadil Berjani. Sipas të dhënave zyrtare, heqja e TVSH-së do ta ulte çmimin në rreth 1.45 euro për litër, ndërsa heqja e akcizës në rreth 1.28 euro. Shteti aktualisht ka vendosur vetëm kufizim të marzhës së fitimit, ku sipas vendimit marzha maksimale për shumicë është 2 centë për litër dhe për pakicë 12 centë, masë që sipas kritikëve nuk ka sjellë ulje reale të çmimeve, por vetëm ka parandaluar abuzimet. Shqipëria ka ulur akcizën për 20%, Serbia për 40%, ndërsa Maqedonia e Veriut ka ulur TVSH-në nga 18% në 10% për një periudhë të kufizuar. Kosova vazhdon të mbetet plotësisht e varur nga importi i naftës, me furnizime nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn edhe përmes Durrësit. Vetëm nga janari deri në mars të këtij viti janë importuar rreth 130 milionë euro naftë dhe benzinë, me të hyra shtetërore rreth 66 milionë euro nga akciza dhe mbi 30 milionë nga TVSH-ja. Vitin e kaluar importet arritën rreth 530 milionë euro, ku 350 milionë euro ishin akcizë dhe mbi 157 milionë euro TVSH.

Share this post: